Mbështetësit e LDK-së festojnë në Prishtinë pas fitores

Kosova & Rajoni

Raundi i dytë i zgjedhjeve lokale në Kosovë/ Përfundon numërimi në shumicën e komunave, Albin Kurti humb thellë, merr vetëm katër komuna! LDK fiton në Prishtinë

14 Nëntor 2021, 07:31| Përditesimi: 14 Nëntor 2021, 22:57

  • Share

Partia Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurti ka regjistruar një humbje të thellë në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Kosovë, duke korrur fitore në vetëm 1 mes katër komunave më të mëdha, në Gjilan. Kandidati i LVV, Alban Hyseni mundi të marrë 51.03% të votave, përballë kandidatit të LDK-së, Lutfi Hazirit që mori 48.88%.

Ndërkohë LDK ka korrur fitore të madhe në Prishtinë, me kandidatin Përparim Rama që mori 51.07% të votave, përballë Arben Vitias të LVV që mori 48.93%. Ishte ky i fundit i cili i uroi i pari fitoren Ramës.

Prizrenin e ka fituar kandidati i PDK-së, Shaqir Tozaj me 51.01% përballë kandidatit të LVV, Mytaher Hasksuka me 48.99%. Komunën e Gjakovës e ka fituar kandidati i AAK-së, Ardian Gjini me 56.06% të votave, përballë Mimoza Kusari Lila me 43.94%.

Kur kanë mbetur kutitë e fundit për t'u numëruar, në garën në balotazh, PDK ka fituar 5 komuna, LDK  5, LVV 4 komuna, AAK 3 komuna, nga 1 komunë kanë fituar Nisma, Lista Serbe, KDPT (parti e minoritetit turk) dhe 1 kandidat i pavarur.

Lista nga rezultatet e deritanishme:

LVV: Gjilan, Kamenicë, Podujevë, Shtimen

LDK: Prishtinë, Istog, Fushë Kosovë, Junik, Viti

PDK: Prizren, Gllogoc, Dragash, Kaçanik, Vushtrri

AAK: Gjakovë, Klinë, Rahovec

Nisma: Malishevë

Iniciativa Qytetare për Obiliqin: Obiliq

KDTP: Mamushë

Lista Serbe: Kllokotit

Raundi i dytë i zgjedhjeve vendore në 21 komuna të Kosovës u mbyll pa incidente, teksa votimi nisi në orën 7 të mëngjesit ndërsa kutitët e fundit të votimit u mbyllën në orën 19.00. Përgjatë këtij raundi u shënua një pjesëmarrje prej 38 për qind të votuesve, ndërsa i gjithë procesi u monitorua nga 10 mijë vëzhgues vendas e ndërkombëtar.

Kujtojmë se në raundin e parë të zgjedhjeve lokale në Kosovë, Partia Demokratike e Kosovës fitoi në katër komuna e pasuar nga Lidhja Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës që fituan nga dy. Lista Serbe fitoi 9 nga dhjetë komunat ku shumicë janë pjesëtarët e këtij komuniteti. Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurti, nuk fitoi asnjë post për kryetar komune në raundin e parë.

Në përditësim...

Ora 22:53
Zgjedhjet lokale, Basha: Urime Kosovë për demokracinë që përcolle, suksese të zgjedhurve

Kryedemokrati Lulzim Basha ka uruar kryetarët e zgjedhur në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Kosovë. Përmes një postimi në rrjete sociale Basha shprehet se në këto zgjedhje u përcoll demokraci. Më tej, Basha shpreh respekt për të gjithë kandidatët pasi treguan qytetari në këtë garë.

"Urime Kosovë për leksionin e demokracisë që percolle edhe në këto zgjedhje! Suksese kryetarëve të zgjedhur në misionin e tyre në shërbim të qytetarëve të Kosovës dhe përmirësimin e kushteve të jetës së tyre. Respekt për të gjithë kandidatët që treguan qytetari në këtë garë."-shkruan Basha.
 

Ora 22:36
Zgjedhjet lokale, Edi Rama uron kryebashkiakun e ri të Prishtinës: Kurioz për impaktin që do të ketë arkitekti, risi interesante

Kryeministri Edi Rama i uron fitoren kryetarit të ri të Prishtinës, Përparim Rama, të dalë nga raundi i dytë i zgjedhjeve lokale këtë mbrëmje. Rama teksa i uron suksese kryetarit të ri të Prishtinës, shprehet kurioz se çfarë impakti do të ketë kryebashkiaku arkitekt, ndërsa e quan risi interesante në një realitet sfidues.

Statusi i plotë i Ramës
Shumë kurioz për impaktin që do të ketë në Prishtinë një kryebashkiak arkitekt, risi interesante në një realitet sfidues! Urime Përparim Ramës dhe mbarësi e sukses atij dhe të gjithë të zgjedhurve të rinj në krye të komunave të Kosovës.
 

Ora 22:24
LDK merr Prishtinën pas tetë vitesh, kush është Përparim Rama që do të drejtojë kryeqytetin e Kosovës

Përparim Rama nga Lidhja Demokratike e Kosovës prin në rundin e dytë të zgjedhjeve lokale për kryetar të Komunës së Prishtinës, të mbajtura më 14 nëntor.

Rama para se t’i hynte garës për kryetar të Prishtinës, ishte i njohur për veprimtarinë e tij arkitekturale në disa vende të botës si Angli, Shtetet e Bashkuara, Zvicër, Çeki, Shqipëri dhe vende të tjera.

Përparim Rama u lind në Prishtinë më 20 janar 1976.

Në vitin 1992, në moshën 16-vjeçare u shpërngul në Britani të Madhe ku përfundoi edhe studimet për arkitekturë.

Ai ka përvojë mbi 20 vjet në projekte të ndryshme në banesa e hotele.

Në vitin 2012, në Bienalen e Arkitekturës në Venecia, Rama përfaqësoi Kosovën për herë të parë në histori me veprën e quajtur “Punuesi i filigranit”

Në maj të vitit 2021, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku prezantoi Ramën si kandidatin e kësaj partie për të parin e Prishtinës.

Përparim Rama është i martuar dhe ka tre fëmijë.

Plani i tij për Prishtinën

Rama një ndër projektet kryesore të programit e ka vendosur të ashtuquajturin "Ridefinimi i qendrës së qytetit".

Rama ka paraparë që qendrën e Prishtinës ta bëjë gjithë hapësirën brenda unazës së brendshme të qytetit.

“Kjo qendër e re do ta ndryshojë hierarkinë e lëvizjes në trafik: këmbësori do të jetë i pari, transporti publik dhe ai alternativ i dyti, kurse veturat të tretat”, thuhet në programin e Ramës.

Ai ka premtuar se asfalti do të shndërrohet në gjelbërim, në kalldrëme, e në materiale që njihen si të këmbësorëve.

Problemin e parkingut të veturave Rama ka premtuar se do ta zgjidhë njëherë e përgjithmonë. 

Vend-parkingje të mëdha ka premtuar se do t’i ndërtojë në gjashtë pikat kryesore rreth unazës së brendshme të Prishtinës, ku distanca do të jetë rreth 500 metra nga secila pikë e qendrës.

Vetëm në lagjen Ulpiana ai ka premtuar ndërtimin e 430 vend-parkimeve.

Në sektorin e shëndetësisë ka premtuar kompletimin e rrjetit të Qendrave të Mjekësisë Familjare në tërë territorin e Komunës së Prishtinës, sipas standardit një Qendër e Mjekësisë Familjare për 10,000 banorë.

Siguria në trafik, e që lidhet ngushtë edhe me sigurinë e fëmijëve në rrugë, është gjithashtu një ndër prioritetet kryesore, të programit të qeverisjes katërvjeçare të Ramës.

Brenda mandatit katërvjeçar, Rama ka thënë se do të rrisin nivelin e hapësirave të gjelbra, duke e lansuar një program masiv që do të ketë për synim krijimin e 250 hektarëve të hapësira të gjelbra dhe mbjelljen e 800 mijë drunjve fidanor.

Sipas programit të Ramës, në Prishtinë mungojnë shtatë objekte shkollore të nivelit të arsimit fillor dhe të mesëm të ulët. Këto objekte, Rama ka premtuar se do të ndërtohen në lagjet Sofali, Kodrina, Qëndresa, Përroi i Njelmët, Kalabria, Kodra e Trimave dhe në lagjen Prishtina e Re - Qendër.

Po ashtu, Rama ka premtuar se do të ndërtojnë shkollën profesionale të ulët dhe të mesme të muzikës dhe baletit “Prenk Jakova”, si dhe Gjimnazin “Ahmet Gashi”.

Për problemin e qenve endacakë, Rama ka paraparë ndërtimin e një strehimoreje.

Mësim cilësor, zhvillim ekonomik, mirëqenie sociale, lirim i hapësirave publike, menaxhim dhe riciklim i mbeturinave janë po ashtu çështje të cilat Rama ka premtuar se do t’i trajtojë dhe do të punojë për përmirësimin e tyre.

“Do të jem kryetar i cili do të mbahet në mend për projekte infrastrukturore të mëdha e të guximshme, të cilat do ta zhvillojnë Prishtinën për dekadat e ardhshme”, ka thënë Rama./ REL

Ora 22:18
Rezultati i zgjedhjeve në Kosovë, Mero Baze: Kurti nga sot, pakicë politike

1614766659_albin.jpg

Gazetari dhe botuesi i gazetës “TemA” Mero Baze ka komentuar rezultatin e zgjedhjeve në Kosovë. Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ai shkruan se lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti nga sot është pakicë politike.

“Albin Kurti nga sonte është pakicë politike në Kosovë. Ai mund të konsumojë mandatin për të marr rrogën e kryeministrit, por nuk është më njeriu që udhëheq Kosovën. Është rrogëtar i saj. 

E reja e vërtetë e Kosovës janë ata që e mundën. Urime Lumir Abdixhikut e Memli Krasniqit. Urime Përparim Ramës”, shkruan Mero Baze.

Ora 21:29
LDK fiton Prishtinën, kandidati i LVV pranon humbjen: Kryetari i ri i qytetit, Përparim Rama

Kandidati i LVV-së për kryetar të Prishtinës, Arben Vitia e ka pranuar humbjen në këto zgjedhje. Përmes një konference për media, Vitia ka thënë se tashmë Prishtina ka kryetarin e ri, Pëprarim Ramën, kandidat i LDK-së.

“Prishtina tashmë e ka një kryetar të ri, dhe ai është Përparim Rama. E falënderoj aktivistët e VV-së dhe qytetarët e Prishtinës, gjithashtu edhe zotëri Ramën. Prishtinës i dëshiroj sukses dhe të gjitha të mirat. Personalisht unë dhe VV-ja do të jemi krahë në çdo proces që është në interesin e qytetarëve. Do të bëjmë më të mirën për Prishtinën”, tha ai.

Ora 21:22
Raundi i dytë i zgjedhjeve në Kosovë, numërohen mbi 70% e votave, në Prizren garë e ngushtë mes kandidatit të PDK dhe LVV! Ja rezultati i deritanishëm

Teksa janë numëruar më shumë se 70 për qind të votave, Lëvizja Vetëvendosje po udhëheq në Kamenicë me kandidatin Kadri Rahimaj, në Podujevë me Shpejtim Bulliqin, në Shtime me Qemajl Aliun dhe në Gjilan me Alban Hysenin.

Në komunën e Prizrenit po zhvillohet garë e ngushtë në mes të kandidatit të Partisë Demokratike të Kosovës, Shaqir Totajt dhe kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje, Mytaher Haskuka.

Lidhja Demokratike e Kosovës po prin në Prishtinë me Përparim Ramën, në Istog me Ilir Feratin, Fushë Kosovë me kandidat Burim Berishën, në Junik me Ruzhdi Shehun dhe në Viti me Sokol Halitin. Partia Demokratike e Kosovës prin në Gllogoc me Ramiz Lladrovcin, Dragash me Shaban Shabanin, në Kaçanik me Besim Ilazin dhe Vushtrri me Ferit Idrizin.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës po udhëheq në Gjakovë me Ardian Gjinin, Klinë me Zenun Elezajn dhe Rahovec me Smajl Latifin.

Ndërkaq Nisma Social Demokrate prin në Malishevë me Ekrem Kastratin. Në komunën e Obiliqit po prin Xhafer Gashi nga Iniciativa Qytetare për Obiliqin.

Në komunën e Mamushës po prin Abdulhadi Krasniq nga KDTP. Ndërkaq në komunën e Kllokotit po prin Vladan Bogdanoviq nga Lista Serbe. Ndërsa në Komunën e Obiliqit po prin Xhafer Gashi nga Iniciativa Qytetare për Obiliqin.

Ora 20:16
Vijon numërimi i votave në Kosovë, në Prishtinë prinë kandidati i LDK! LVV përmbys rezultatin në Gjilan

Teksa numërimi i votave vijon në Kosovë, rezulton se deri më në Komunën e Prishtinës, kryeson kandidati i LDK, Përparim Rama. Ai ka marrë 51.27% të votave, kurse Arben Vitia ka 48.73%. Diferenca në vota është mbi 1 mijë vota për shumë për kandidatin e LDK-së. Në Komunën e Prizrenit kur janë numëruar mbi 37% e votave, kryeson kandidati i PDK Shaqir Totaj me 57.52%. Kurse kandidati i LVV, Mytaher Haskuka ka marrë 42.48%. Në Komunën e Gjilanit kur janë numëruar mbi 55% e votave, kryeson kandidati i LVV, Alban Hyseni me 50.35% të votave. Ndërsa kandidati i LDK-së, Lutfi Haziri ka 49.65% me një diferencë në vota më pak se 200 vota. Në Komunë e Gjakovës kur janë numëruar gati 33% e votave, kryeson kandidati i AAK, Ardian Gjini me 66.78% kurse kandidatja e LVV, Mimoza Kusari Lila ka 33.22%. LVV shpreson të përmbysë rezultatin në Prishtinë, Prizren dhe Gjilan ku duket se ka një garë shumë të ngushtë kurse në Gjakovë rezultati duket i thellë.

Ora 19:33
Koalicioni i organizatave joqeveritare në Kosovë thirrje partive për vetëpërmbajtje deri në shpalljen e rezultateve

Koalicioni i organizatave joqeveritare që monitoron zgjedhjet në Kosovë, Demokracia në Veprim (DnV), ka bërë thirrje për përmbajtje deri në shpalljen e rezultateve për rundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Kosovë.

Në një komunikatë për mediat DnV thotë se procesi i votimit është zhvilluar në mënyrë të qetë, por theksohet se pjesëmarrja ka qenë më e ulët në krahasim me raundin e parë të zgjedhjeve lokale.

“Ftojmë subjektet politike dhe mbështetësit e tyre që të mos shpallin fitoret eventuale bazuar në burime jozyrtare, por të presin shpalljen e rezultateve preliminare nga KQZ-ja. Respektimi i masave mbrojtëse kundër Covid 19 ka qenë i mangët, sidomos nga votuesit në zonat rurale, por duke mos përjashtuar edhe stafin zgjedhor”, thuhet në deklaratë.

Ora 18:41
Zgjedhjet lokale, nënkryetarja e PDK thirrje qytetarëve të votojnë pak minuta para mbylljes: Sot, ditë feste për demokracinë

Pak para mbylljes së votimeve për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Kosovë, nënkryetarja e PDK, Vlora Çitaku, në një konferencë për mediat ka ftuar të gjithë qytetarët e komunave në balotazh që të shfrytëzojnë të drejtën e votimit para mbylljes në orën 19:00. Ajo tha se sot është një ditë feste për demokracinë dhe dita vendimtare kur qytetarët të japin verdiktin për të ardhmen katër vjeçare të komunave të tyre. Çitaku theksoi se këto zgjedhje lokale nuk janë për politikanët, por për qytetarët e Kosovës, të cilët me votën e tyre do ta fuqizojnë demokracinë dhe shtetin e Kosovës.

“Ka mbetur dhe pak kohë deri në mbylljen e vendvotimeve në komunat në balotazh. Sot është ditë feste për demokracinë, është dita vendimtare ku ju jepni verdiktin për të ardhmen katër vjeçare të komunave tuaja.  Prandaj, ju ftoj sërish të gjithë juve që keni të drejtë vote dhe nuk e keni shfrytëzuar ende, të dilni të votoni për ata që do të ju udhëheqin në 4 vitet e ardhshme. Bazuar në informacionet e marra nga vëzhguesit dhe komisionerët tanë, të angazhuar në tërë territorin e vendit, procesi zgjedhor po ecën mbarë, pa ndonjë parregullsi.  Edhe një herë, bëj thirrje që të shfrytëzoni kohën e mbetur deri në mbyllje të vendvotimeve dhe të dilni e të votoni dhe të zgjedhni udhëheqësit tuaj më të mirë. Shpresoj që në fund të ditës, demokracia të jetë fituesi më i madh i këtyre zgjedhjeve.” - tha ajo.

Ora 15:27
Raundi i dytë i votimeve në Kosovë, KQZ njofton: Shkon në 23.98% numri i votuesve deri në orën 15:00

Shkon në 23.98% numri i votuesve që iu drejtuan kutive të votimit për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Kosovë deri në orën 15:00, kjo sipas të dhënave nga KQZ.

Sipas këtyre të dhënave, Mamusha mbetet komuna me përqindjen më të lartë të qytetarëve që kanë dalë për të votuar me 44,73%. Ndërsa komuna me interesimin më të vogël të qytetarëve për të votuar deri në orën 15:00 është Rahoveci me 16,64%.

Kujtojmë se deri në orën 12:00, vetëm 7.13% e votuesve kishin ushtruar të drejtën e tyre të lirë, ndërsa votimet do të zgjasin deri në orën 19:00.

Ora 13:20
Albin Kurti voton në Prishtinë: Po përmbyllim një vit të suksesshëm elektoral

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka votuar në Prishtinë në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale për kryetarë të komunave. Pasi ushtroi të drejtën e tij për të votuar, Kurti tha para gazetarëve se me këtë proces të radhës, Kosova është duke përmbyllur një vit të suksesshëm elektoral.

“Unë si qytetar i republikës dhe banor i kryeqytetit porsa votova. Ushtrova të drejtën demokratike për të zgjedhur kryetarin e komunës që do të qeverisë në katër vitet në vijim. Komuna është shumë e rëndësishme, i inkurajoj qytetarët me të drejtë vote që ta shfrytëzojnë mundësinë, e ta përdorin këtë rast. Moti është shumë i bukur, dhe pjesëmarrja sa më masive është e pritshme. Mekanizmat shtetërorë do të kujdesen për mbarëvajtjen e procesit. Po përmbyllim një vit të suksesshëm elektoral. Republika e Kosovës e ka dëshmuar se është një shtet demokratik në të cilin respektohen të drejtat e të gjithë qytetarëve, në mënyrë të lirë e të ndershme zgjedhin", tha Kurti

Ora 13:04
Raundi i dytë i zgjedhjeve lokale në Kosovë, KQZ jep lajmërimin: 7,13% e qytetarëve votuan deri në orën 11

Ndërsa sot është raundi i dytë i zgjedhjeve lokale në Kosovë, deri në orën 11:00 sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kanë votuar 7,13 për qind e votuesve.

“Sipas të dhënave preliminare që kemi pranuar nga 97 për qind e vendvotimeve, numri i qytetarëve me të drejtë vote që kanë votuar është 88 mijë e 622 votues apo 7.22 për qind e votuesve nga 1,260,571 sa janë gjithsej”, ka deklaruar kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi.

Votues në raundin e dytë janë 1,260,571 në 21 komuna, ndërsa 575 qendra votimi, 1,638 vendvotime.Në raundin e dytë Lëvizja Vetëvendosje (LVV) do të garojë në 12 komuna: Prishtinë, Prizren, Gjilan, Shtime, Gjakovë, Rahovec, Fushë Kosovë, Podujevë, Kaçanik, Obiliq, Viti dhe Kamenicë.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) garon në raundin e dytë në tetë komuna: Drenas, Kaçanik, Shtime, Vushtrri, Malishevë, Prizren, Dragash dhe Klinë.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) do të jetë në garë në nëntë komuna: Prishtinë, Gjilan, Viti, Vushtrri, Istog, Fushë Kosovë, Dargash, Podujevë dhe Junik.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) garon në pesë komuna: Gjakovë, Klinë, Rahovec, Junik dhe Istog.

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Ben: 15/11/2021 04:36

    Bravo Prishtina,bravo Kosova.Me ne fund e kuptut qe me katunar nuk ecet perpara.Suksese Perparim Rames.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?