Kosova & Rajoni

LDK merr Prishtinën pas tetë vitesh, kush është Përparim Rama që do të drejtojë kryeqytetin e Kosovës

14 Nëntor 2021, 22:24| Përditesimi: 14 Nëntor 2021, 22:28

  • Share

Përparim Rama nga Lidhja Demokratike e Kosovës prin në rundin e dytë të zgjedhjeve lokale për kryetar të Komunës së Prishtinës, të mbajtura më 14 nëntor.

Rama para se t’i hynte garës për kryetar të Prishtinës, ishte i njohur për veprimtarinë e tij arkitekturale në disa vende të botës si Angli, Shtetet e Bashkuara, Zvicër, Çeki, Shqipëri dhe vende të tjera.

Përparim Rama u lind në Prishtinë më 20 janar 1976.

Në vitin 1992, në moshën 16-vjeçare u shpërngul në Britani të Madhe ku përfundoi edhe studimet për arkitekturë.

Ai ka përvojë mbi 20 vjet në projekte të ndryshme në banesa e hotele.

Në vitin 2012, në Bienalen e Arkitekturës në Venecia, Rama përfaqësoi Kosovën për herë të parë në histori me veprën e quajtur “Punuesi i filigranit”

Në maj të vitit 2021, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku prezantoi Ramën si kandidatin e kësaj partie për të parin e Prishtinës.

Përparim Rama është i martuar dhe ka tre fëmijë.

Plani i tij për Prishtinën

Rama një ndër projektet kryesore të programit e ka vendosur të ashtuquajturin "Ridefinimi i qendrës së qytetit".

Rama ka paraparë që qendrën e Prishtinës ta bëjë gjithë hapësirën brenda unazës së brendshme të qytetit.

“Kjo qendër e re do ta ndryshojë hierarkinë e lëvizjes në trafik: këmbësori do të jetë i pari, transporti publik dhe ai alternativ i dyti, kurse veturat të tretat”, thuhet në programin e Ramës.

Ai ka premtuar se asfalti do të shndërrohet në gjelbërim, në kalldrëme, e në materiale që njihen si të këmbësorëve.

Problemin e parkingut të veturave Rama ka premtuar se do ta zgjidhë njëherë e përgjithmonë. 

Vend-parkingje të mëdha ka premtuar se do t’i ndërtojë në gjashtë pikat kryesore rreth unazës së brendshme të Prishtinës, ku distanca do të jetë rreth 500 metra nga secila pikë e qendrës.

Vetëm në lagjen Ulpiana ai ka premtuar ndërtimin e 430 vend-parkimeve.

Në sektorin e shëndetësisë ka premtuar kompletimin e rrjetit të Qendrave të Mjekësisë Familjare në tërë territorin e Komunës së Prishtinës, sipas standardit një Qendër e Mjekësisë Familjare për 10,000 banorë.

Siguria në trafik, e që lidhet ngushtë edhe me sigurinë e fëmijëve në rrugë, është gjithashtu një ndër prioritetet kryesore, të programit të qeverisjes katërvjeçare të Ramës.

Brenda mandatit katërvjeçar, Rama ka thënë se do të rrisin nivelin e hapësirave të gjelbra, duke e lansuar një program masiv që do të ketë për synim krijimin e 250 hektarëve të hapësira të gjelbra dhe mbjelljen e 800 mijë drunjve fidanor.

Sipas programit të Ramës, në Prishtinë mungojnë shtatë objekte shkollore të nivelit të arsimit fillor dhe të mesëm të ulët. Këto objekte, Rama ka premtuar se do të ndërtohen në lagjet Sofali, Kodrina, Qëndresa, Përroi i Njelmët, Kalabria, Kodra e Trimave dhe në lagjen Prishtina e Re - Qendër.

Po ashtu, Rama ka premtuar se do të ndërtojnë shkollën profesionale të ulët dhe të mesme të muzikës dhe baletit “Prenk Jakova”, si dhe Gjimnazin “Ahmet Gashi”.

Për problemin e qenve endacakë, Rama ka paraparë ndërtimin e një strehimoreje.

Mësim cilësor, zhvillim ekonomik, mirëqenie sociale, lirim i hapësirave publike, menaxhim dhe riciklim i mbeturinave janë po ashtu çështje të cilat Rama ka premtuar se do t’i trajtojë dhe do të punojë për përmirësimin e tyre.

“Do të jem kryetar i cili do të mbahet në mend për projekte infrastrukturore të mëdha e të guximshme, të cilat do ta zhvillojnë Prishtinën për dekadat e ardhshme”, ka thënë Rama./ REL


Lajmi kryesor:

Raundi i dytë i zgjedhjeve lokale në Kosovë/ Përfundon numërimi në shumicën e komunave, Albin Kurti humb thellë, merr vetëm katër komuna! LDK fiton në Prishtinë


  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?