25 prilli/ Kompania angleze, 21 mln USD për identifikimin biometrik, Pelinku: Po bëjmë vlerësimin e Smartmatic, s’e shoh të nevojshëm konsultimin me PD

6 Janar 2021, 15:11| Përditesimi: 6 Janar 2021, 15:59

  • Share

Thirrjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për sigurimin e pajisjes që do mundësojnë teknologjinë i është përgjigjur vetëm një kompani, “Smartmatic”, një kompani angleze e cila për të siguruar pajisjet elektronike për identifikimin biometrik kërkon rreth 21 mln dollarë.

Nënkomisionerja Lealba Pelinku thotë se negocimi i kontratës me kompaninë që është ofruar do të realizohet vetëm pas vlerësimit  të kritereve.

“Ligji për prokurorimin publik e njeh si të suksesshme procedurën  dhe me një ofertues të vetën. Jemi në fazën e shqyrtimit të ofertave. Komisioni do të shqyrtojë kualifikimin e kompanisë nëse i plotëson kriteret dhe më pas do të kalojë te vlerësimi i zgjidhjes teknike që ka ofruar kompania. Nëse kjo fazë përfundon me sukses do vijohet më pas me negocimin e kontratës”, u shpreh Nënkomisionerja.

Kompania “Smartmatic” një vit më parë realizoi votimin elektronik të zgjedhjeve brenda PS. Për Lealba Pelinkun nuk përbën problem.

“Është një kompani private dhe nuk ka fare pse të paragjykohet për këtë. E rëndësishme është që procesi deri më tani është kryer me transparencë”, shprehet Pelinku.

Sa i përket votimit dhe numërimit elektronik do të jetë procedurë më vete.

“E sigurt është që është procedurë më vete, do të jetë një projekt që nuk afekton projektin e identifikimit elektronik”, tha ndër të tjera Pelinku.

Si e zgjedhur nga opozita, a është konsultuar Lealba Pelinku me PD?

“Nuk kam pasur dhe nuk e shoh nevojshme që të kem”, thotë Pelinku.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?