25-vjetori i Çlirimit, Tony Blair në Kosovë: Ndërhyrja e NATO-s gjëja e duhur, mezi pres t’iu shoh në OKB! Osmani: Hero i popullit tonë! Seancë solemne në Kuvend

10 Qershor, 10:57| Përditesimi: 10 Qershor, 15:21

  • Share

KOSOVË- Ish-kryeministri britanik, Tony Blair u kthye sot (10 qershor 2024) në Kosovë për të tretën herë pas përfundimit të luftës. Njeriu kyç që vuri në lëvizje ndërhyrjen e NATO-s kundër regjimit të Millosheviçit në vitin 1999, në konferencë me presidenten Vjosa Osmani tha se mezi pret që ta shohë Kosovën në familjen e Kombeve të Bashkuara.

25-vite pas ndërhyrjes së NATO-s, Blair vijon të jetë i bindur se ai ishte vendimi i duhur dhe se sot duhet të qëndrojnë edhe më shumë krah popullit të Kosovës.

“Isha i bindur që ishte gjëja e duhur për ta bërë dhe vazhdoj ta kem këtë bindje, tani jam i bindur që duhet të rrimë krah njerëz të Kosovës. Këtu po ndodhin gjëra pozitive që janë mësim për tërë popullin e Kosovës. Pres me padurim ta shoh ditën kur Kosova zë vendin e duhur në familjen e kombeve”, tha Blair në konferencën e përbashkët me presidenten Osmani.

Presidentja Vjosa Osmani vlerësoi Blair për rolin e tij vendimtar në çlirimin e Kosovës, ndërsa tha se mbetet heto i popullit të Kosovës

“Bota demokratike do të kujtohet për here kumbimin e fjalive ‘kjo është gjëja e duhur për tu bërë”. Fjalët e thëna nga Blair 25 vite më parë, ku njoftonte botën demokratike tu bashkuar për të ndaluar krimet e Milloshevic në Kosovë. 25 vite më pas edhe çdo ditë nga ajo ditë, ne ju themi faleminderit, që përkundër sfidave ju orientuat kompasin e historisë.

Ju falënderoj që jeni me ne në 25 vjetorin e çlirimit, që ta shihni mirënjohjen e qytetarëve tanë që nga viti 99 kur u radhitët në anën e popullit të Kosovës për të qenë i lirë.

Roli juaj ishte vendimtar, sikurse atëherë që ishit hero i popullit të Kosovës edhe sot jeni hero i paqes për vendimin e drejtë të asaj kohe dhe përkrahjen që i keni dhënë Kosovës në 25 vite. Ju na shpëtuat nga shfarosja që synohej nga Milloshevic. Ju vet i keni thënë që ndërhyrja në Kosovë ishte një betejë mes së mirë dhe se keqes, një betejë mes demokracisë dhe diktaturës”, tha Osmani.

Presidentja tha se Kosova është trashëgimia më e suksesshme e Tony Blair.

“Kosova është një nga trashëgimitë tuaja më të suksesshme. Trashëgimia juaj në Kosovës, është trashëgimi e shpresës e lirisë, e partneritetit të qëndrueshëm. Të nderuar që u kemi mik dhe aleatë të Kosovës, në përpjekjet për paqe dhe progres. populli i Kosovës do ju mbajë në zemër sot dhe përherë për kontributin tuaj të çmueshëm për lirinë tonë”, tha Osmani.

Në nder të vizitës së tij, Kuvendi i Kosovës mbajti edhe një seancë solemne që u përshëndet me një fjalim të Blair, i cili përkujtoi të rënët për liri, duke shprehur mirënjohje të përjetshme për ta.

Ora 11:59
Blair: S’jam penduar asnjëherë që e ndihmuam Kosovën! Lufta s’ishte veç për kosovarët, por për të gjithë ne

Ish-kryeministri i Britanisë së Madhe, Tony Blair, ka thënë se nuk është penduar asnjëherë që e ka ndihmuar Kosovën në çlirimin e saj para 25-vjetësh.

Në seancën solemne të mbajtur sot në Kuvendin e Kosovës me rastin e vizitës së tij, Blairi ka kujtuar të rënët për liri, duke shprehur mirënjohje të përjetshme për ta. 

“Nuk mund t'ju falënderoj për mirëpritjen që keni bërë ndaj meje. Në këtë ditë 25 vjet më parë u arrit marrëveshja. Kosova më në fund u lirua, njerëzit mund të jetojnë, të shpresojnë, të besojnë sërish në të ardhmen e lirë nga presioni dhe padrejtësia. Sot kujtojmë ata që vdiqën, që dhanë jetën për çlirimin e këtij kombi. Ne kujtojmë guximin e tyre, sakrificën e tyre dhe shprehim mirënjohjen tonë të përjetshme për ta dhe për familjet e tyre. Takuam refugjatë kosovarë në kampet afër Shkupit, dëgjuam rrëfime të prekshme. Në fytyrat e tyre kërkohej ndihmë. Ne ndihmuam dhe nuk jam penduar kurrë”, tha Blair nw Kuvend. 

Blair u shpreh se lufta për Kosovën nuk ka qenë vetëm për kosovarët por siç tha ai për të gjithë, duke përfshirë edhe e tij.

“Për mua lufta për Kosovën nuk ka qenë vetëm për kosovarët por për të gjithë ne, përfshirë edhe vendin tim i cili ka vlerësuar se liria është një gjë që duhet luftuar për të. Ishte luftë për liri, por jo thjeshtë për të qenë të lirë, por sepse liria hap mendjen dhe shpirtin e njeriut”, u shpreh tutje Blair.

Tony Blair po qëndron në Kosovë në prag të shënimit të 25 vjetorit të Çlirimit të Kosovës.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?