Ish-kryeministri i Britanisë së Madhe, Tony Blair, ka thënë se nuk është penduar asnjëherë që e ka ndihmuar Kosovën në çlirimin e saj para 25-vjetësh.
Në seancën solemne të mbajtur sot në Kuvendin e Kosovës me rastin e vizitës së tij, Blairi ka kujtuar të rënët për liri, duke shprehur mirënjohje të përjetshme për ta.
“Nuk mund t'ju falënderoj për mirëpritjen që keni bërë ndaj meje. Në këtë ditë 25 vjet më parë u arrit marrëveshja. Kosova më në fund u lirua, njerëzit mund të jetojnë, të shpresojnë, të besojnë sërish në të ardhmen e lirë nga presioni dhe padrejtësia. Sot kujtojmë ata që vdiqën, që dhanë jetën për çlirimin e këtij kombi. Ne kujtojmë guximin e tyre, sakrificën e tyre dhe shprehim mirënjohjen tonë të përjetshme për ta dhe për familjet e tyre. Takuam refugjatë kosovarë në kampet afër Shkupit, dëgjuam rrëfime të prekshme. Në fytyrat e tyre kërkohej ndihmë. Ne ndihmuam dhe nuk jam penduar kurrë”, tha Blair nw Kuvend.
Blair u shpreh se lufta për Kosovën nuk ka qenë vetëm për kosovarët por siç tha ai për të gjithë, duke përfshirë edhe e tij.
“Për mua lufta për Kosovën nuk ka qenë vetëm për kosovarët por për të gjithë ne, përfshirë edhe vendin tim i cili ka vlerësuar se liria është një gjë që duhet luftuar për të. Ishte luftë për liri, por jo thjeshtë për të qenë të lirë, por sepse liria hap mendjen dhe shpirtin e njeriut”, u shpreh tutje Blair.
Tony Blair po qëndron në Kosovë në prag të shënimit të 25 vjetorit të Çlirimit të Kosovës.
Lajmi kryesor:
25-vjetori i Çlirimit, Tony Blair në Kosovë: Ndërhyrja e NATO-s gjëja e duhur, mezi pres t’iu shoh në OKB! Osmani: Hero i popullit tonë! Seancë solemne në Kuvend
S.G//ReportTv.al