Tirana ngriti sot flamurin në sheshin “Skënderbej”, për të përkujtuar 108 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë në 28 Nëntor 1912 në Vlorë. Ceremonia u zhvillua në respektim të masave ndaj pandemisë, teksa kryebashkiaku, Erion Veliaj, tha se ky është viti i dytë që shqiptarët nuk e festojnë dot siç i ka hije këtë festë, pasi vitin e kaluar vendi ishte përfshirë nga tërmeti shkatërrues i 26 Nëntorit.
I shoqëruar nga një orkestër, ai mbajti një fjalim ku ndër të tjera tha se kur shqiptarët bëhen bashkë ne mund të ngrihemi dhe të përballojmë çdo sfidë.
“Besoj se ata që realisht e duan këtë vend, që e duan Shqipërinë, do t’ia dalin ta drejtojnë atë drejt transformimeve të mëdha, falë punës, mirësisë dhe përkushtimit, sepse në fund të ditës, ua kemi borxh atyre që themeluan këtë shtet, këtë qytet dhe gjeneratës së re, që nuk besoj se do të na e falin kurrë nëse nuk do të mund të bënim atë sakrificë që baballarët e këtij kombi bën për këtë vend”, vijoi kryebashkiaku.
Në fund, Veliaj nënvizoi se sot beteja është me pandeminë e jo me njëri-tjetrin, me injorancën apo me padijen, duke dhënë mesazhin se shqiptarët duhet të jenë të bashkuar, ashtu siç kanë qenë gjithmonë.
“Një shqiptar mund të bëjë shumë për veten e tij, por kur bëhen dy, ashtu si shqiponja jonë me dy koka në flamur, mund të bëjnë edhe më shumë për Shqipërinë. Ne sot kemi betejë me pandeminë, e jo me njëri-tjetrin. Ne sot kemi betejë, me tërmetet, jo me njëri tjetrin. Ne sot kemi betejë me injorancën dhe padijen, jo me njëri-tjetrin. Sot s’ka të majtë e të djathtë, s’ka toskë e gegë, s’ka të vegjël e të rritur, s’ka këndej e andej kufirit... Ka vetëm shqiptarë me një datë si shenjë të qartë identifikuese: 28 NËNTOR!”, përfundoi ai.
Lajmi kryesor:
Nëntori i dytë i pazakontë/ Sot 108 vite nga shpallja e Pavarësisë! Meta, Ruçi dhe Rama në Vlorë! Kryeministri: Gëzuar për Thaçin dhe luftëtarët e tjerë të UÇK
E.M.//ReportTv.al