Nëntori i dytë i pazakontë/ Sot 108 vite nga shpallja e Pavarësisë! Meta, Ruçi dhe Rama në Vlorë! Kryeministri: Gëzuar për Thaçin dhe luftëtarët e tjerë të UÇK

28 Nëntor 2020, 07:41| Përditesimi: 28 Nëntor 2020, 17:44

  • Share

Sot, 28 nëntor Shqipëria feston ditën e flamurit dhe të pavarësisë. Për të dytin vit radhazi, vendi ynë ndodhet në një situatë aspak normale.

Kujtojmë që një vit më parë, i gjithë vendi ynë ishte në zi kombëtare gjatë kësaj periudhe për shkak të tërmetit që u mori jetën 51 qytetarëve. Ndërsa tani ndodhemi nën "kthetrat" e një pandemie globale, në përballje me koronavirusin.

Për shkak të rritjes së numrit të të infektuarve dhe masave kufizuese, qytetarët shqiptarë nuk mund të grumbullohen për të festuar, kjo për të parandaluar dhe përhapjen e mëtejshme të virusit.

Edhe pak ditë më parë, Ministria e Shëndetësisë u bëri apel qytetarëve shqiptarë që të qëndrojnë në shtëpi gjatë festave kombëtare dhe të festojnë me familjarët e tyre.

"Patriot është ai që qëndron në shtëpi dhe mbron familjen nga infektimi" - tha ministrja Ogerta Manastirliu.

28 Nëntori është ditë e veçantë për shqiptarët. Në këtë datë në dy vite të ndryshme kanë ndodhur dy ngjarje historike që kanë shenjuar historinë e Shqipërisë. Në vitin 1443, më 28 nëntor heroi ynë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu çliroi Krujën nga pushtimi osman dhe ngriti flamurin kombëtar mbi kalanë e saj. Ndërsa më 28 nëntor 1912, i quajtur gjithashtu si Nëntori i dytë, u shpall Pavarësia e Shqipërisë nga Ismail Qemaili i cili ngriti flamurin në Vlorë.

Festa bëri bashkë Presidentin e vendit, Ilir Meta, kryeparlamentarin Gramoz Ruçi dhe Kryeministrin Edi Rama që morën pjesë në ceremoninë e ngritjes së Flamurit në Vlorë. I veçantë ishte mesazhi i Kryeministri i cili gjeti rastin dhe bëri urimin e veçantë për Hashim Thaçin dhe luftëtarët të tjerë të UÇK-së.

Tirana ngriti sot flamurin në sheshin “Skënderbej”, për të përkujtuar 108 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë në 28 Nëntor 1912 në Vlorë. Ceremonia u zhvillua në respektim të masave ndaj pandemisë, teksa kryebashkiaku, Erion Veliaj, tha se ky është viti i dytë që shqiptarët nuk e festojnë dot siç i ka hije këtë festë, pasi vitin e kaluar vendi ishte përfshirë nga tërmeti shkatërrues i 26 Nëntorit.

Kryeministri Ramam përmes një mesazhi në Facebook,  përkujtoi edhe Adem Jasharin, i cili ka lindur në një ditë të shënuar si 28 nëntori.

Një tjetër aktivitet interesant ishte edhe ai i ministrit në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, i cili bashkë me ministrin e Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani dhe ministren e Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla zhvilluan një video telefonatë të përbashkët. Kështu që në këtë 10-vjetor të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë i veçantë është fakti se drejtues të Ministrive të Jashtme të tre vendeve në Ballkan janë shqiptarë.

 

Ora 17:43
Cakaj homazhe në varrin e Adem Jasharit: Pavarësia u shpall në Vlorë, por historia e vonë është vendosur në Prekaz

1606581936_6de52b171cad4890b14081141f887a52.jpg

Në 108 vjetorin e Ditës së Flamurit, datë që përkon edhe me ditën e lindjes së Komandantit legjendar të UÇK-së Adem Jashari, Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, vizitoi Kompleksin e Memorialit të Adem Jasharit, në Prekaz të Drenicës.

Kryediplomati Cakaj kreu homazhe tek varret e Adem Jasharit, Hamza Jasharit dhe anëtarëve të tjerë të familjes Jashari, vend i cili nëpërmjet fakteve konkrete flet për rrjedhën e luftës para 18 vjetëve dhe rezistencën e bërë nga kjo familje heronjsh në përballje me ushtrinë dhe policinë serbe.

“28 nëntori nuk është thjeshtë festë kombetarë. 28 nëntori është dita e kujtimit të rrugëtimit historik si komb dhe nderimit të të gjithë brezave që me punën e tyre kanë shënuar historinë e Shqiperisë dhe shqiptarëve. Pavarësia e Shqipërisë është shpallur në Vlorë, por historia e vonë e gjithë shqiptarëve është vendosur në Prekaz. Për më shumë, sot festojmë edhe ditëlindjen e Komandatit Legjendar, Adem Jashari, i cili u flijua heroikisht bashkë me familjen e tij për Kosovën dhe shqiptarinë.” - u shpreh Cakaj.

Ora 14:46
FOTOLAJM/ Flamuri kuqezi valëvitet në Spitalin Infektiv, mjekët në luftë me COVID nuk harrojnë 28 Nëntorin

Pavarësisht se ata janë në krye të detyrës në përballje me koronavirusin, disa mjekë në spitalin Infektiv nuk kanë harruar festën e flamurit.

Ministrja Ogerta Manastirliu ka publikuar dy foto në profilin e saj në Facebook ku shfaqen 3 mjekë që valëvisin ngjyrat kuqezi në ballkonin e spitalit Infektiv.

 

Ora 11:48
Rudina Hajdari me fjalët e Ismail Qemalit uron Pavarësinë dhe paralajmëron partinë: Një popull që fle vdes

Deputetja Rudina Hajdari përmes një postimi në Facebook ka zgjedhur që t'i urojë shqiptarët për festën e Pavarësisë dhe njëkohësisht edhe t'i njoftojë për prezantimin e forcës së re politike sot në orën 18:00.

"'Fëmija që fle rritet, një popull që fle vdes'. Me këtë shprehje të Ismail Qemalit ju uroj gëzuar ditën e flamurit gjithë shqiptarëve dhe uroj që si popull të jemi më aktivë dhe më pjesëmarrës në vendimmarrje, për të mos e lënë të ardhmen në dorë të vetëm pak njerëzve.

Ia nisim nga sot në orën 18:00 ku do të prezantojmë organizimin dhe idetë e reja për 30 vitet që vijnë.

Mund të na ndjekësh live në rrjetet sociale ose ti bashkohesh bisedës në zoom duke kërkuar linkun në inbox", shkruan Hajdari.

Ora 10:59
28 nëntori/  Ceremonia e ngritjes së flamurit në Tiranë, Veliaj: Kur shqiptarët bëhen bashkë, mund t'i bëjmë ballë çdo sfide

 

Tirana ngriti sot flamurin në sheshin “Skënderbej”, për të përkujtuar 108 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë në 28 Nëntor 1912 në Vlorë. Ceremonia u zhvillua në respektim të masave ndaj pandemisë, teksa kryebashkiaku, Erion Veliaj, tha se ky është viti i dytë që shqiptarët nuk e festojnë dot siç i ka hije këtë festë, pasi vitin e kaluar vendi ishte përfshirë nga tërmeti shkatërrues i 26 Nëntorit.

I shoqëruar nga një orkestër, ai mbajti një fjalim ku ndër të tjera tha se kur shqiptarët bëhen bashkë ne mund të ngrihemi dhe të përballojmë çdo sfidë.

“Besoj se ata që realisht e duan këtë vend, që e duan Shqipërinë, do t’ia dalin ta drejtojnë atë drejt transformimeve të mëdha, falë punës, mirësisë dhe përkushtimit, sepse në fund të ditës, ua kemi borxh atyre që themeluan këtë shtet, këtë qytet dhe gjeneratës së re, që nuk besoj se do të na e falin kurrë nëse nuk do të mund të bënim atë sakrificë që baballarët e këtij kombi bën për këtë vend”, vijoi kryebashkiaku.  

Në fund, Veliaj nënvizoi se sot beteja është me pandeminë e jo me njëri-tjetrin, me injorancën apo me padijen, duke dhënë mesazhin se shqiptarët duhet të jenë të bashkuar, ashtu siç kanë qenë gjithmonë.

“Një shqiptar mund të bëjë shumë për veten e tij, por kur bëhen dy, ashtu si shqiponja jonë me dy koka në flamur, mund të bëjnë edhe më shumë për Shqipërinë. Ne sot kemi betejë me pandeminë, e jo me njëri-tjetrin. Ne sot kemi betejë, me tërmetet, jo me njëri tjetrin. Ne sot kemi betejë me injorancën dhe padijen, jo me njëri-tjetrin. Sot s’ka të majtë e të djathtë, s’ka toskë e gegë, s’ka të vegjël e të rritur, s’ka këndej e andej kufirit... Ka vetëm shqiptarë me një datë si shenjë të qartë identifikuese: 28 NËNTOR!”, përfundoi ai.

Ora 10:38
PD dega Fier, homazhe në memorialin e kushtuar 28 nëntorit

Partia Demokratike dega Fier ka festuar sot njëkohësisht Ditën e Pavarësisë edhe Ditën e Çlirimit të Shqipërisë. Ish depuetet i PD Fier Luan Baçi së bashku me anëtar dhe simpatizantë të PD kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur kurora me lule në memorialin kushtuar 28 nëntorit.

Të pranishëm kanë qenë dhe një grup flautistësh të cilët kanë shoqëruar homazhet.

"Jemi këtu si çdo vit në 28 nëntor si një ditë e veçantë për gjithë shqiptarët kudo që janë është një ditë e veçantë jo vetëm për shqiptarët e Shqipërisë por për të gjithë shqiptarët në të gjithë botën. 28 nëntori si ditë kombëtare e shpalljes së pavarësisë  ku Ismail bej Vlora së bashku me njerëz të shquar shqiptarë. I kujtojmë me respekt dhe nderim të veçantë këta burra të nderuar. Urojmë që Shqipëria të jetë e lirë dhe e pavarur gjithmonë. Urojmë gjithë shqiptarët kudo që janë për të kaluar sa më shpejt këtë kohë ku jemi" - tha Baçi.

Ora 10:31
Sot edhe dita e lindjes së heroit legjendar/ Rama përkujton Adem Jasharin: Lindi në 28 nëntor dhe vdiq për të jetuar përgjithmonë

Në çdo 28-nëntor, përveç ditës së shpalljes së Pavarësisë, shqiptarët kujtojnë edhe ditën e lindjes së heroit Adem Jashari.

Edhe Kryeministri Rama, përmes një mesazhi në Facebook,  përkujton Adem Jasharin, i cili lindi më 28 nëntor 1955/ /

"ADEM JASHARI erdhi në këtë botë mu në Ditën e Flamurit Kombëtar dhe iku nga kjo botë pasi e la trupin pa jetë si një monument të shtrirë në mesin e shtëpisë ku mbante flamurin kombëtar.

Historia e vdekjes që i dha përjetësinë atij e trungut të prerë të familjes së tij, i tejkalon kufijtë e të besueshmes dhe i ngjan më shumë një versioni të legjendës së Gjergj Elez Alisë, ku plagët në trup janë më shumë se nëntë e janë vetë trupat e njerëzve të gjakut të heroit, copëtuar nga plumbat e një bajlozi të stërmadh sa një ushtri e tërë armike që mësyu mizorisht mbi shtëpinë ku zhvillohet rrëfimi mitologjik.

Sikur ajo shtëpi e sharruar nga zjarri armik të mos ishte ende aty, sikur familjarët e vrarë të Adem Jasharit të mos ishin banorë të asaj shtëpie, që figurojnë një më një, në gjendjen civile të komunës Prekaz dhe sikur vetë Adem Jashari të mos ishte një njeri i gjallë deri në 7 marsin e vitit 1998, i cili figuron edhe si klient në regjistrin e hotelit "Arbëria" në Tiranë, do të ishte realisht e pamundur t'i besohej vërtetësisë së historisë mitike të komandantit legjendar të luftës së Kosovës.

Madje edhe vetë Besarta, shtojzovallja e mbijetuar e asaj masakre të pabesueshme, do të dukej si rrëfimtarja e përhumbur e një përralle, nëse familja Jashari nuk do të kishte qenë aty, mes një komuniteti të tërë shqiptarësh të zakonshëm prej të cilit u nda, e gjitha, menjëherë, në terrin mes dy ditëve të zakonshme mbi pllajën baritore të Prekazit.

Madje madje edhe ajo pllajë, e kthyer sot në një varrezë unikale dëshmorësh me një trung të vetëm familjar, nëse nuk do ishte aty, pjesë reale e gjeografisë së Kosovës, do të dukej si peizazhi i krijuar nga peneli i imagjinatës për të qenë skena magjike e zhvillimit të gojëdhënës së lashtë, për një kreshnik me emrin Adem Jashari e familjen e tij.

Mirëpo jo, e gjitha është thjesht e vërtetë, e vërteta e pabesueshme e kulmimit epik të Luftës së fundit Çlirimtare në mes të Evropës, bash në fund të shekullit XX, ku një popull i mohuar në të drejtën e tij për liri nga një diktaturë e urrejtjes etnike dhe i poshtëruar prej harresës së gjatë të botës demokratike, ngriti krye kundër urrejtjes e harresës dhe triumfoi kundër të gjitha paragjykimeve e parashikimeve.

Adem Jashari lindi në 28 nëntor dhe vdiq për të jetuar përgjithmonë, si legjenda e gjallë e flamurit më të bukur në botë", shkruan Rama.

Ora 10:25
Manastirliu: Patriot është ai kush qëndron në shtëpi

Në këtë ditë festë, Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu teksa ka uruar, kërkon nga të gjithë qytetarët të qëndrojnë në shtëpi, për të mbrojtur jetën e të afërmve të tyre.

‘Ua t’i uroj me zemër të gjithë shqiptarëve gëzuar ditën e pavarësisë. Por kam edhe një lutje për çdo qytetar. Këto festa na gjejnë përballë një sfide të shëndetit publik, që ndodh një herë në shekull. Patriot sot është kush qëndron në shtëpi, për të mbrojtur shëndetin e vetes, familjes dhe të afërmv. Fitorja ndaj covid do të jetë një tjetër betejë që do të renditet ndër fitorët më të mëdha të një shteti.’, thotë ministrja e shëndetësisë.

 

Ora 10:13
Meta, Ruçi dhe Rama në  ceremoninë e ngritjes së flamurit në Vlorë! Kryeministri: Gëzuar për Hashim Thaçin dhe luftëtarët e tjerë të UÇK

Në këtë festë të 108-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë Presidenti i vendit, Ilir Meta, kryeparlamentari Gramoz Ruçi dhe Kryeministri Edi Rama kanë marrë pjesë në ceremoninë e ngritjes së Flamurit në Vlorë.

Në një prononcim të shkurtër për mediat pas ceremonisë Rama pati një urim të veçantë për Hashim Thaçin dhe ish-luftëtarët  e tjerë të UÇK.

"Njëkohësisht në këtë ditë është edhe dita e lindjes të komandantit legjendar të luftës çlirimtare të Kosovës. Dua të uroj festën e flamurit dhe pavarësisë Hashim Thaçit dhe luftëtarëve të tjerë të UÇK-së

Ora 10:02
108-vite Ditë e Flamurit/ Tre shqiptarë ministra të Jashtëm në tre shtete në rajon, mesazhi i Cakajt

Në këtë 10-vjetor të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë i veçantë është fakti se drejtues të Ministrive të Jashtme të tre vendeve në Ballkan janë shqiptarë.

Ditën e sotme, ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, bashkë me Ministrin e Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani dhe Ministren e Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla zhvilluan një video telefonatë të përbashkët.

Në një reagim në Facebook, lidhur me video-telefonatën, Kryediplomati Cakaj u shpreh se me homologët e tij, e nisën këtë ditë me nderim të përulur për flamurin kuq e zi, bashkëndjenjë të thellë e vetëdije të plotë për rrugëtimin e përbashkët si komb shqiptar dhe, natyrisht, me urimet më të përzemërta për çdo shqiptar, kudo në botë.

Ora 09:49
Nderojnë flamurin në misionet e NATO-së, Olta Xhaçka uron ditën e pavarësisë përmes ushtarakëve shqiptarë

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka ka zgjedhur një mënyrë të veçantë për të uruar ditën e pavarësisë së Shqipërisë.

Ajo ka shpërndarë një video në Facebook të disa ushtarëve shqiptarë që janë larguar me misione nëpër vende të ndryshme të botës me flamuj nëpër duar dhe urime për ditën e pavarësisë.

Xhaçka shkruan se flamuri ynë valëvitet në çdo cep të botës përmes heronjve tanë në uniformë.

"Gëzuar ditën e flamurit. 108 vite pas shpalljes së pavarësisë, flamuri ynë valëvitet në çdo cep të botës përmes heronjve tanë nën uniformë, të cilët qëndrojnë krenarë krah përfaqësuesve të vendeve aleate, në çdo mision të NATO, BE & OKB" - shkruan Xhaçka.

 

Ora 08:10
Dita e Pavarësisë, Meta: 108 vite kanë dëshmuar pjekurinë e shtetit në përmbushjen e misionit për të bër Shqipërinë si gjithë Europa

Presidenti Ilir Meta ka uruar shqiptarët për ditën e pavarësisë dhe të flamurit. Përmes një statusi në Facebook, Meta shkruan se 108 vite kanë dëshmuar pjekurinë dhe seriozitetin e një shteti modern, për përmbushjen e misionit të nisur nga Ismail Qemali për ta bërë Shqipërinë si Europa.

"Gëzuar Ditën e Flamurit Kombëtar, Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë! Të punojmë dhe angazhohemi çdo ditë për ta mbrojtur simbolin tonë të shenjtë dhe përbashkues, të valvitet krenar në këto troje, i pastër dhe i paprekur, njësoj si gjaku i derdhur për të, nga bijat e bijtë më të mirë të kombit" - shkruan ndër të tjera Meta.

 

Ora 08:03
'Rroftë flamuri, rroftë Shqipëria', Rama uron shqiptarët për ditën e pavarësisë

Kryeministri Edi Rama ka uruar Shqipërinë në ditën e Pavarësisë. Ai ka postuar në Facebook një foto të Ismail Qemalit me mbishkrimin "Flamuri i ynë, n'atdhenë t'onë të lirë. Rroftë flamuri! Rroftë Shqipëria".

 

E.M.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Iris: 28/11/2020 23:42

    GEZUAR TE GJITHE SHQIPTAREVE DITEN E PAVARESISE !

    Përgjigju
  • Alb: 28/11/2020 11:56

    108 vite pa e pa nje dite te mir shqiptare.

    Përgjigju
  • Gege Kosova: 28/11/2020 11:18

    "Miku i mire edhe ne diten e veshtire".Keshtu thot populli,Keshtu thot dhe vepron edhe Kryeministri dalur nga populli.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?