Kjo fletë votimi e treguar në Report TV, i përket qarkut Tiranë dhe ajo nxë vetëm 8 subjekte. Aktualisht kaq është numri i partive dhe koalicioneve që konsiderohen serioze dhe gati për të përmbushur kërkesat ligjore për të qenë në fletën e votimit.
Tre janë koalicione, ai i Sali Berishës me 26 parti, Dash Shehi me Enkeleid Alibeajn dhe Adriatik Lapaj me Endri Shabanin. Ndërsa 5 parti të tjera garojnë të vetme: PS, e Edi Ramës, Tom Doshi, Agron Shehaj, Arlind Qori dhe Lulzim Basha.
Nëse kualifikohen vetëm 3 koalicionet që kanë mbledhur 31 parti në total, dhe 5 partitë kryesore, fleta e votimit nuk do të zmadhohet më shumë se sa kaq dhe ky format me lartësi 40 cm dhe gjerësi 60 centimetra do të mjaftojë.
Megjithëkëtë, kjo nuk është e sigurt. 17 parti të tjera, figurojnë të regjistruara në KQZ si garuese në 11 maj, dhe kanë të drejtë të jenë në fletën e votimit.
Kjo do ta bënte fletën edhe më gjigande e rrjedhimisht më absurde.
Megjithëkëtë, ligji ka parashikuar disa filtra rrugës.
Nëse një parti dëshiron të figurojë në fletën e votimit, do të duhet që të garojë plotësisht në të gjithë Shqipërinë, pa asnjë përjashtim.
Kështu, ata duhet të dorëzojnë deri të mërkurën e ardhshme, të datës 12 mars, listat e plota të kandidatëve. Kësaj radhe ligji kërkon 186 emra nga secili subjekt, 46 në listën e mbyllur dhe 140 për listën e hapur.
Emrat duhet të vijnë me gjithë dokumente shoqëruese dhe mungesa e tyre mund të skualifikojë shumë prej këtyre partive të konsideruara si “fantazmë” që shfaqen vetëm në zgjedhje dhe zhduken menjëherë nëse ndonjë parti e madhe nuk i mbledh në koalicion, ose nëse ndonjë grupim i fuqishëm nuk jua merr partinë me qira për të kandiduar elementë të caktuar.
Model paraprak i fletës së votimit më 11 maj 2025
Komente
