Për javën që lamë pas, në gjithë vendin janë gjobitur 30 mijë e 376 drejtues mjetesh, për një sërë shkeljesh të rregullave të qarkullimit rrugor.
Taulant Gjoka, specialist në Drejtorinë e Policisë Rrugore, shpejgoi në Report Tv operacionet që po ndërmerr policia për ndëshkimin e drejtuesve që shkelin Kodin Rrugor. Sipas Gjokës, kur policia evidenton një shkelje hartohen plane operacionale në shkallë vendi.
Gjoka thotë se këto janë shifra alarmante, ndërsa thekson se përdorimi i celularit në timon është arsyeja kryesore se përse ndodhin aksidentet, ndërsa më pas renditet shpejtësia tej normave të lejuara e parakalimet e gabuara.
“Shifra alarmante sa i përket shkeljeve që janë drejtpërdrejtë burim aksidenti. Është metodë policore që strukturat e policisë sa herë anulojnë faktorët dhe shkaqet e aksidenteve, hartojnë planë operacionale që konsiston në kontrolle në shkallë kombëtare për disa shkelje që kanë qenë shkaktarët kryesore të aksidenteve.
Java që lamë pas, fokusi ka qenë te përdorimi i celularit dhe rezultatet e tjera janë në funksion të kontrolleve. Përdorimi i celularëve është fenomeni kryesor për aksidente, pastaj shpejtësia tej normave dhe parakalimet e gabuara”, tha Gjoka në Report Tv.
I ftuar në emisionin ‘Përballje’, me gazetaren Rovena Neziri, eksperti rrugor, Islam Qibini thotë se duhet të shtohen më shumë kontrolle në rrugët rurale.
“Kemi segmente rrugore që janë në rrugë lokale që s’mund të monitorohen nga policia, por është një nismë që duhet përshëndetur. Duhet të ketë një sensibilizim të opinionit publik. Policia në segmentet rrugore jashtë qendrave të banuara duhet të ushtrojë kontroll me patrullime për të ndëshkuar drejtuesit që përdorin alkool”, tha Qibini.
Nga ana tjetër, gazetari Sokol Dema thotë se shifrat e aksidenteve janë në ulje prej disa vitesh, ndonëse mbetet një shqetësim shkelja e rregullave të qarkullimit.
“Një pjesë e aksidenteve kanë ndodhur jashtë territorit të Tiranës, mbase kjo është edhe një arsye që operacioni të jetë në shkallë kombëtare. Ka një vëmendje të gjerë sa i përket kryeqyteti, ka një numër të madh të automjeteve që qarkullojnë. Shifrat e aksidenteve janë në ulje ka disa vite. Ka raste të aksidenteve të rënda, siç ishte rasti në Tepelenë”, u shpreh gazetari Dema.
Sociologia Entela Binjaku thotë se aksidentet kanë edhe pasoja të tjera, pasi personat që u mbijetojnë përvallen me trauma.
"Pasojat janë të shumanshme, edhe të shëndeti mendor. Njerëz që i mbijetojnë aksidenteve përballen me një kalavar të gjatë në procesin rehabilitues, kanë nevojë për shërbime fizioterapie, psikoemocionale. Edhe vetë luftojnë me familjet e tyre dhe pasojat janë traumatike, ka njerëz që e përballojnë traumën më thjeshtë, por ka të tjerë që procesi i rehabilitues është më i gjatë", thotë ajo.
Eksperti Qibini dhe sociologia Binjaku theksojnë se duhet të punohet më shumë me edukimin e të fëmijëve dhe të rinjve mbi edukatën dhe normat e qarkullimit rrugor, duke theksuar se institucionet duhet të punojnë më shumë në këtë aspekt, apo që edukimi të nisë herët që në shkollë. Nga ana tjetër specialisti rrugor vë theksin edhe tek roli i autoshkollave, të cilat certifikojnë shoferët e rinj.