Tridhjetë vjet më parë, anija 'Vlora' mbërriti në brigjet e Barit me 20 mijë shqiptarë, që vinin nga ana tjetër e Adriatikut. 8 gushti i 1991 njihet ndryshe si eksodi i shqiptarëve, të cilët ‘të ngarkuar’ mbi një anije mallrash lundruan drejt Italisë.
Për një kohë të gjatë, rreth 45 vjet, Shqipëria kishte mbetur e mbyllur brenda kufijve të saj, pa mundësinë më të vogël të hapjes, dijes apo marrëdhënieve kulturore e njerëzore jashtë mureve të Bllokut Komunist. E megjithatë, ajo ishte përballë Italisë, motrës më të madhe dhe të lirë. Pas rënies së komunizmit, të detyruar nga kushtet e dëshpëruara social-ekonomike, shqiptarët sfiduan vdekjen në kërkim të fatit të tyre, pa asnjë siguri, por me dijen se diku duhej të trokitnin.
Tridhjetë vjet më parë personat në bordin e anijes "Vlora" shkruan historinë e dy vendeve, Italisë dhe Shqipërisë. Ishte fillimi i një epoke të re. Fillimi i ndryshimeve që tronditën Shqipërinë dhe Italinë, duke pasur parasysh se emigracioni është bërë tema kryesore e debatit politik në vitet e fundit.
Në lidhje me 30-vjetorin e eksodit ka reaguar edhe presidenti Ilir Meta i cili ka përkujtuar pamjet tronditëse të anijes Vlora, Përmes një postimi në ‘Facebook’, Meta shkruan se duhet punuar për një të ardhme më të mirë për shqiptarët sepse shpopullimi sipas tij mbetet ende drama më e madhe që po i ndodh vendit tonë.
“Si sot 30 vite më parë, më 8 gusht 1991, rreth 20 mijë shqiptarë zbarkuan në brigjet e Italisë, në kërkim të lirisë dhe shpresës, duke i dëshmuar botës tragjedinë dhe mjerimin e popullit më të shtypur dhe të izoluar të kontinentit. Anija ‘Vlora’, me të gjithë simbolikën, emocionet e forta dhe kujtimet e gjalla që risjell, na fton për një reflektim të thellë mbi sakrificat e jashtëzakonshme njerëzore, në emër të së cilave duhet të punojmë, për të ndërtuar një të ardhme më të mirë dhe dinjitoze për qytetarët tanë, veçanërisht kur shpopullimi është drama më e madhe, që po i ndodh vendit”, shkruan Meta.
Kreu i opozitës Lulzim Basha ka reaguar në përkujtim të 30-vjetorit të eksodit të shqiptarëve. Përmes një postimi Basha shkruan se 20 mijë shqiptarët ikën në Itali për të lënë pas vuajtjet e komunizmit e ndërsa sipas tij shpopullimi i Shqipërisë vazhdon edhe sot. Për këtë, sipas Bashës e ka fajin regjimi që drejton vendin.
“30 vite më parë, 20 mijë shqiptarë mbërritën në brigjet e Italisë me anijen “Vlora”, në përpjekje për të lënë pas vuajtjet dhe tragjedinë që regjimi totalitar i kishte shkaktuar vendit.
Fatkeqësisht, eksodi i shqiptarëve vijon, i heshtur dhe i dhimbshëm, prej diktaturës së korrupsionit, që vret njësoj shpresat për një të ardhme më të mirë, këtu, në tokën tonë. Lëvizja e lirë ka fshehur nga sytë pamjet rrënqethëse të dikurshme por largimi masiv, sidomos i të rinjve, njerëzve të kualifikuar, intelektualëve, lexohet te shifrat e frikshme të shqiptarëve që kanë kërkuar azil përgjatë viteve të fundit. Lexohet në sytë e përlotur të nënave që kanë larg bijtë dhe bijat e tyre, apo sepse po përgatiten për të marrë rrugët e botës, pasi keqqeverisja po i mban larg Europës dhe një jete më të mirë.
Që kjo plagë të marrë fund, që shqiptarët të gëzojnë frytet e çdo gjëje të mrekullueshme që Zoti i ka falur vendit tonë, duhet ndëshkuar modeli korruptiv dhe kriminal i ndërtuar nga ky regjim dhe duhet zhbërë kapja e shtetit që pasuron një pakicë, ndërsa lë në varfëri shumicën e qytetarëve.
Përkundër masakrës zgjedhore, qytetarët mbështetën planet dhe vizionin e Partisë Demokratike, ndaj ne do të luftojmë me gjithë forcën që na dhanë njerëzit në 25 prill, që t’u kthejmë shumicës së shqiptarëve të drejtën për të jetuar një jetë të plotë dhe të lirë për realizimin e aspiratave të tyre këtu, pranë familjeve dhe miqve të tyre”, shkruan Basha.
Anija ‘Vlora’, një nga episodet më dramatike të vendit tonë që bëri xhiron e botës. Kështu i ka cilësuar sekretari i Përgjithshëm i PS, Taulant Balla, pamjet e anijes që mbante 20 mijë shqiptarët në drejtim të Italisë 30 vite më parë.
“Homazh! Sot 30 vite më parë, më 8 Gusht 1991 mbërrinte në Bari anija tregtare Vlora, e nisur nga Durrësi, e cila mbante në bord rreth 20 mijë vëllezër dhe motra shqiptarë. Eksodi nëpërmjet anijes tregtare Vlora ishte një nga episodet më dramatike, pamjet e të cilit bënë xhiron e gjithë botës”, shkruan Balla.
Kryebashkiaku Erion Veliaj ka zgjedhur të publikojë mëngjesin e kësaj fundjave një foto të veçantë të 30 viteve më parë, e cila u bë ilustrimi unik i aspiratës së shqiptarëve për liri pas diktaturës komuniste.
“8 Gusht 1991 - 30 vjet anija ‘Vlora’. Kjo foto e shkrepur nga barezi 16 vjeçar Lorenzo Turi u bë ilustrimi unik i aspiratës së shqiptarëve për liri pas diktaturës komuniste, por dhe shembulli më i madh i mikpritjes në Bari e më pas gjithë Italinë! Le të mos harrojmë”, shkruan Veliaj.
Atehere "dikatatura"ishte rene,Po iknin shqiptaret nga "demokratet" dhe atdheu i tyre pas"diktatures" sic e quajna vetem shqiptaret kohen e komunizmit.
PërgjigjuKeni shume te drejte, por une do ta korrigjoja, "Fotoja e fillimit te eksodit shqipetare e shkrepur me 8 gusht 1991" Me sa di une eksodi dhe perpjekjet e shqipetareve per tu larguar nuk jane ndalur akoma.
Përgjigju