Ndonëse ky përvjetor për socialistët do të kishte më shumë arsye për të festuar, me një mandat të katërt radhazi dhe aspiratën për ta integruar vendin në BE gjatë qeverisjes së tyre, 12 qershori e gjen Partinë Socialiste ende në organizim.
Kryesocialisti Rama u mjaftua në këtë ditë me një urim në rrjetet sociale.
“Me këtë simbol të flamurit të socialistëve e progresistëve shqiptarë, që në këtë 34 vjetor të valëvitjes së tij është ngjitur më lart se asnjëherë falë 856 mijë e 177 zemrave, të cilat u bënë bashkë për Shqipërinë 2030 në BE, ju uroj gëzuar ditëlindjen e Partisë Socialiste”.
34 vjetori i krijimit do të kremtohet pas një jave, më 19 qershor në selinë rozë, një mbledhje simbolike për të trokitur gotat me të vjetrit e të rinjtë që i bashkohen Partisë Socialiste.
Një ditë më pas, në 20 qershor, Partia Socialiste do të nisë zyrtarisht edicionin e tretë të Akademisë Politike, por këtë herë për të trajnuar deputetët e zgjedhur të 11 majit që marrin për herë të parë një mandat deputeti.
54 janë deputetët e rinj, por vetëm 39 prej tyre që nuk janë ulur më parë në poste të nivelit të ministrave, Zv/ministrave apo kryetarëve të bashkive do të ulen në bankat e shkollës verore, ndërsa lektori i tyre i parë do të jetë vetë kryeministri Rama.
“Kursi” i deputetëve do të jetë intensiv çdo fundjavë deri në fund të muajit korrik, me gardën e vjetër të socialistëve që ndër vite kanë mbajtur pozicione drejtuese në Kuvendin e Shqipërisë dhe të grupit socialist.
Partia Socialiste u themelua më 12 qershor 1991, ndërsa kryetari i saj i parë u zgjodh Fatos Nano që e drejtoi deri në vitin 2005, për t’ia lënë më pas stafetën Edi Ramës i cili është në krye të kësaj force politike tashmë prej 2 dekadash.
PS është edhe partia e cila ka qeverisur vendin më gjatë se çdo forcë tjetër politike në 34 vite demokraci. Socialistët morën drejtimin e vendit nga 1997-a deri në vitin 2005, për 8 vite.
PS u rikthye në pushtet në 2013-ën me në krye Edi Ramën i cili qeveris prej 12 vitesh vendin, ndërsa më 11 maj mori mandatin e katërt qeverisës dhe besimin për të drejtuar vendin deri në 2029-ën. Në 34 vite demokraci socialistët e kanë qeverisur vendin për 20 vite.
Postimi i kryeministrit Rama
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka uruar në 34-vjetorin e themelimit të Partisë Socialiste. Në një postim në rrjete sociale, Veliaj shprehet se PS është forca më e madhe politike në vend, që për më shumë se tre dekada ka qenë një shtyllë e rëndësishme e stabilitetit dhe modernizimit të vendit.
Sipas tij, falë punës dhe vizionit, Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm drejt integrimit.
“Gëzuar ditëlindjen PS!
Urime të përzemërta zemrave dhe mendjeve socialiste e progresiste me rastin e 34-vjetorit të themelimit të Partisë Socialiste të Shqipërisë!
Forca më e madhe politike në vend, që për më shumë se tre dekada ka qenë një shtyllë e rëndësishme e zhvillimit, stabilitetit dhe modernizimit të Shqipërisë.
Falë punës, vizionit dhe përkushtimit të saj, vendi ynë ka hedhur hapa të rëndësishëm drejt integrimit europian, dhe pa dyshim do të vazhdojë të japë më shumë për të ardhmen europiane të Shqipërisë.”, shkruan Veliaj.
Postimi i Veliajt
Foto: Taulant Balla
Në 34-vjetorin e themelimit të Partisë Socialiste, ministri i Shtetit dhe Drejtuesi Politik i PS për Diasporën, Taulant Balla, ka përcjellë një urim për të gjithë kontribuesit ndër vite në forcimin dhe zhvillimin e partisë më të madhe progresiste të vendit.
“Gëzuar ditëlindjen e Partisë Socialiste, të gjithë atyre që kanë kontribuar prej ditës së parë e deri më sot,” shprehet Balla në mesazhin e tij, duke shprehur mirënjohje të veçantë për themeluesit, liderin e parë Fatos Nano, intelektualin e shquar Dritëro Agolli dhe drejtues të rëndësishëm në periudha sfiduese si Gramoz Ruçi, Servet Pëllumbi, Namik Dokle, Luan Hajdaraga e Rexhep Meidani.
Një falënderim i posaçëm iu drejtua gjithashtu çdo anëtari: “Mirënjohje çdo anëtari, çdo patronazhisti, çdo simpatizanti të thjeshtë në Shqipëri dhe në diasporë, drejtuesve në territor.”
Në këtë përvjetor të veçantë, ku Partia Socialiste feston pas fitores së 11 majit, Balla vlerësoi lidershipin e Kryeministrit Edi Rama.
“Mirënjohje Kryetarit tonë Edi RAMA për lidershipin e fitoreve historike për Shqipërinë2030”, thekson Balla.
Partia Socialiste u themelua më 12 qershor të vitit 1991, kur një pjesë e anëtarëve të asokohe Partisë së Punës ekzistuese vendosën të ndahen nga e kaluara, duke iu përshtatur ndryshimit të sistemeve.
Sot, Partia Socialiste mban pushtetin që prej zgjedhjeve të vitit 2013. Në historinë e pluralizmit politik, është e vetmja forcë politike fituese e katër mandateve rresht për të qeverisur Shqipërinë me të njëjtin Kryeministër, Edi Ramën.
Komente
