Menjëherë pasi ndodhi atentati i dështuar i eliminimit fizik të Edison Begajt në Kaninë të Vlorës më 29 maj, policia u vu në ndjekje të një automjeti, i cili dyshohej se i përkiste autorit të ngjarjes. Gjithçka u zbulua nga disa pamje të kamerave të sigurisë që tregonin një mjet që lëvizte me shpejtësi në drejtim të Lushnjës. Burime të Report Tv saktësojnë se pasi drejtuesi i mjetit konstatoi se po ndiqej nga policia, nga shpejtësia e madhe doli nga rruga dhe përfundoi në kanal, në afërsi të rrethrrotullimit të Lushnjës, por nuk u dëmtua.
Nga aty, autori i dyshuar u arratis në drejtim të paditur, i ndihmuar nga errësira dhe bimësia e madhe e zonës. Identiteti i tij është mësuar shumë shpejt, ndërsa hetuesit kanë dyshime se është ndihmuar nga persona të tjerë për t’u larguar nga vendi ku makina e tij përfundoi në kanal. Në makinën që drejtohej nga autori i dyshuar i plagosjes u gjetën një arsenal i tërë provash, të cilat u shërbyen hetuesve për identifikimin e identitetit. Bëhej fjalë për Mitri Priftin, i cili pas një verifikimi të thjesht rezultoi se ishte i afërm i Edison Begajt, që mbeti i plagosur me katër plumba. Në makinë hetuesit gjetën fije floku, kapele, pështymë, shenja gishtash, të cilat ndihmuan për të faktuar autorësinë e ngjarjes. Fillimisht Prifti u shpall në kërkim policor, por ia doli të largohet një ditë pas ngjarjes në mënyrë të ligjshme, përmes aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza”, në drejtim të Italisë. Pasi hetuesit morën në dorë rezultatet e analizave të ADN-së, arritën të faktonin autorësinë, dhe tashmë Mitri është shpallur në kërkim ndërkombëtar. Autoritetet italiane, thonë burimet, janë kontaktuara nga ato shqiptare dhe po bëhen tratativa për prangosjen e tij.
Edison Begaj dhe Mitri Prifti kanë pasur një sherr pak kohë para se të ndodhte plagosja. Të dy janë konfliktuar në publik me njëri-tjetrin, ndërsa Begaj e ka qëlluar me shpullë. Hetuesit mendojnë se kjo ka qenë arsyeja që ka shtyrë Priftin të tentoj eliminimin e 41-vjeçarit. Ai qëlloi katër herë në drejtim të Begajt në sy të fëmijëve, të cilët ishin në brendësi të makinës aty pranë.
Si u qëllua me armë Begaj?
Edison Begaj ka qenë duke hapur portën e banesës së tij dhe në makinë ka qenë me dy fëmijët, ora 23 20 mbrëmjen e dt 29 Maj. Ndërkohë që autori i maskuar dhe i kamufluar me rroba policie ka shtënë me arme ndaj tij. Ndaj Begajt është shtënë me katër plumba. Në dëshminë e tij të parë ai ka thënë para hetuesve se nuk e ka parë autorin dhe nuk e di se kush mund të jetë, kjo edhe për shkak të errësirës në zonë. Autori ka qenë i fshehur mes ullishteve të Kaninës duke pritur 38-vjeçarin. Ai po qëndronte në këmbë dhe pasi ka qëlluar nga 3 metra largësi Edison Begën është larguar po në këmbë nga vendi i ngjarjes. Më pas është marrë nga një automjet në gjysmë të rrugës dhe është larguar.
41 vjeçari nuk është një emër i panjohur për drejtësinë. Ai është subjekt i OFL dhe i dënuar dhe kapur disa herë me drogë përgjatë viteve. Në shkurt të 2010 ai është dënuar me 7 vite e 6 muaj burg për drogë. Por ashtu edhe në vitin 2015 Begaj u kap me 50 kg lëndë narkotike të llojit marijuanë "çokollatë", në vendin e emërtuar "Qafa e Kuzum Babasë". Ndërsa në 18 qershor Gjykata e Vlorës ka lënë në arrest shtëpie Edison Begajn, i cili u arrestua pasi u kap me ramë zjarri pa leje e fishekë, pas një aksioni të RENEA-s në Vlorë.