Më 4 shtator 2004 në Tiranë, Shqipëria shkroi një nga faqet më të lavdishme të historisë së saj në futboll. Në “Qemal Stafa”, kuqezinjtë mposhtën 2-1 Greqinë, kampione e saposhpallur të Evropës. Golat e Edvin Muratit dhe Adrian Aliajt ndezën atmosferën e stadiumit dhe të gjithë vendit, duke i dhënë shqiptarëve një nga emocionet më të mëdha sportive të kohës.
Festimet nuk u kufizuan vetëm në Shqipëri. Flamuri kuqezi u valëvit me krenari në çdo cep të globit ku jetonin shqiptarë. Kryeqyteti u ‘përmbyt nga një det’ festues, ndërsa banderola simbolike “Këtu nuk është Portugali” shënoi ironinë ndaj kampionëve europianë.
Megjithatë, entuziazmi i fitores u shoqërua nga një ngjarje tragjike. Në Zakynthos të Greqisë, tifozi shqiptar Gramoz Palushi, vetëm 20 vjeç, u vra brutalisht për shkak të festës së tij të sinqertë për kombëtaren. Humbja e tij tronditi opinionin publik dhe mbetet një plagë e hapur, që kërkon respekt.
Sot, 21 vite më pas, kujtimi i atij suksesi mbetet i pashlyeshëm, si maja emocionale e Kombëtares. 600 mijë euro premio akordoi qeveria shqiptare e asaj kohe për ekipin. 4 shtatori 2004 do të kujtohet gjithmonë si dita kur futbolli shqiptar arriti një nga fitoret më të mëdha të historisë së tij, por edhe si dita që solli dhimbjen për humbjen e Gramoz Palushit për flamur.
Për këtë ndodhi, sot, 21 vite më pas reagoi edhe grupimi 'Tifozat Kuq e Zi'. "Gramoz Palushi ra për flamur", shkruan TKZ.
Shqipëri 2-1 Greqi - 4 shtator 2004 në 'Qemal Stafa'
Shqipëria: Foto Strakosha; Elvin Beqiri, Ardian Aliaj, Besnik Hasi, Altin Lala, Lorik Cana, Klodian Duro, Florian Myrtaj, Ervin Skela, Edvin Murati, Igli Tare Trajner: Hans-Peter Briegel
Greqia: Antonis Nikopolidis, Nikos Dabizas, Michalis Kapsis, Panagiotis Fyssas, Giourkas Seiaridis, Angelos Basinas, Costas Katsuranis, Theodhoros Zagorakis, Georgios Karagounis, Zisis Vryzas, Angelos Charisteas Trajner: Otto Rehhagel
Komente
