Në 2 vitet e fundit në Shqipëri u regjistruan pranë DPSHTRR-së 6,495 automjete luksoze, vlera e të cilave është minimalisht 50 mijë euro. Pronarët e këtyre mjeteve, kaluan në sitën e Drejtorisë së Përgjithshme të tatimeve, që tashmë ka nisur një aksion për zbuluar nëse këto blerje justifikohen me të ardhura të deklaruara.
Nga hetimi i cili nis nga vitet 2023-2024, 400 automjete luksi sipas Tatimeve, u blenë me para të padeklaruara.
Por çfarë ndodh me pronarët në këto raste?
“Nëse këta individë e justifikojnë pasurinë e tyre, i vetmi penalizim është gjoba për deklarim të vonuar. Nëse individët kanë të ardhura, nuk i kanë të deklaruara dhe nuk janë të tatuara më parë në bazë të legjislacionit do të dalë detyrimi për tu paguar, gjoba për tu paguar dhe gjithashtu interesat. Nëse pas investigimit tonë verifikohet që të ardhurat janë të pajustifikuara shkojnë për deklarim të rremë apo ndjekje penale”, thotë Rezana Çelmeta nga Drejtoria e Tatimeve.
Edhe pse janë identifikuar 400 mjete të blera nga individë që nuk kanë deklaruar të ardhura, Tatimet thonë se hetimi i pasurisë nuk do të mbarojë këtu.
“Ne kryejmë analiza në mënyrë të vazhdueshme me të dhënat që kemi në sistemin tatimor dhe me të dhënat që ne i disponojmë nga palë të treta”, tha Çelmeta.
Aktualisht në vendin tonë janë rreth 22 mijë makina që klasifikohen luksoze, pasi janë me vlerë mbi 50 mijë euro.
Drejtoria e tatimeve dhe DPSHTRR-ja po kryqëzojnë të dhënat edhe për një tjetër proces, atë të vjeljes së detyrimeve të prapambetura tatimore. Kush nuk paguan detyrimet tatimore në kohë dhe nuk reflekton pas disa thirrjesh nga Tatimet mund të përballet me bllokim të mjetit.
“Fillimisht bëhet njoftimi i tatimpaguesit për të paguar, më pas njoftohen palët e treta siç janë bankat, kadastra dhe të tjera, dhe të tjera. Nëse nuk paguhen detyrimet njoftojnë drejtorinë e transportit, dhe bllokohet automjeti. Po u pagua detyrimi hiqet masa e sigurimit, nëse jo, mjeti është i bllokuar”, tha Çelmeta.
Këto masa ndërmerren në kuadër të planit kundër evazionit fiskal, me qëllim uljen e informalitetit dhe goditjen e fenomenit të mos deklarimit të të ardhurave.
Komente

Po makina te droges e krimit Jane makinat 100 mije euro makina te paguara me sigurimet e mbajtura te puntoreve ne 30 vite çmimet e kripura qe na shiten gjerat ne shqiperi
Përgjigju