Shkon në 2 numri i personave që dyshohen se kanë strehuar disa prej klandestinëve nga 55 sirianët që që u kapën më 8 janar në një gomone në grykëderdhjen e Vjosës.
Pas pronarit të hotelit në Tiranë, Fatos Dushes, i cili është vënë në pranga burime për Report Tv bëjnë me dije se është shpallur sot në kërkim një tjetër person i cili dyshohet se ka strehuar klandestinët sirianë. Mësohet se kanë qenë vetë dëshmitë e refugjatëve, çka kanë orientuar hetimet.
Në baze të dëshmive të mbledhura ata kanë folur për një shtëpi dykatëshe dhe sipas tyre kanë ndenjur më shumë se 10 ditë në katin e dytë të kësaj banese. Blutë e Vlorës së bashku me grupin e ekspertëve kanë verifikuar informacionet e dhëna nga klandestinët.
Personi i cili mendohet se ka strehuar klandestinët nuk është gjetur në banesë në momentin e kontrollit.
Mendohet se sirianët janë strehuar në një banese dykatëshe në një nga fshatrat e Vlorës, afër Novoselës. Për shkak të hetimeve emri i personit dhe vendi nuk bëhen të ditura.
Më 8 janar, në grykëderdhjen e Vjosës u shpëtuan 55 sirianë nga një gomone që po mbytej. Një telefonatë SOS “po mbytemi” nga një numër shqiptar ka çuar rojën bregdetarë gjatë natës në grykëderdhjen e lumit Vjosë pranë fshatit Poro.
Emigrantët e paligjshëm u shpëtuan, por 3 trafikantët shqiptarë sipas burimeve u hodhën në det nga anija e rojës bregdetare dhe u zhdukën në afërsi të Triportit, Vlorë.