TIRANË- Dy ditë radhazi, Shqipëria ka shënuar 2 viktima me COVID-19 në 24 orët e fundit, duke e çuar në total numrin e personave që kanë humbur betejën me këtë virus në 53. Mësohet se ka ndërruar jetë një 59 vjeçare nga Lushnja dhe një 77-vjeçar nga Vlora. Sipas ministrisë së Shëndetësisë, të dy pacientët vuanin nga sëmundje të tjera bashkëshoqëruese.
"Dy qytetarë e kanë humbur betejën me Covid19 në 24 orët e fundit. Një 59 vjeçare nga Lushnja me insuficencë renale kronike dhe disa sëmundje të tjera bashkëshoqëruese dhe një pacient 77 vjeçar nga Vlora, i cili vuante nga hipertensioni, që trajtohej prej 10 ditësh në terapi intensive nuk kanë mundur të mbijetojnë pavarësisht mjekimit intensiv dhe përpjekjeve maksimale të stafit mjekësor", njofton MSH-ja.
Një ulje të ndjeshme ka pasur sa i përket numrit të të infektuarve, 61 raste të reja, 16 më pak se dje, që vijnë si rezultat i 355 testime të personave të dyshuar, ku sërisht Tirana mban numrin më të lartë të të prekurve.
"Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 12 të prekur në Tiranë, 11 në Vlorë, 7 në Durrës, nga 5 raste në Kukës dhe Divjakë, nga 3 raste në Pukë, Korçë, Kurbin, 2 në Krujë dhe nga 1 rast përkatësisht në Shkodër, Fier, Lezhë, Has, Mirditë, Kamëz, Sarandë, Fushë-Arrëz, Selenicë, Belsh", njofton Ministria e Shëndetësisë.
Teksa lajmi i mirë është se në 24 orët e fundit janë shëruar 48 qytetarë, një lajm jo shumë i mirë është numri i shtrimeve në spitalin Infektiv. Aktualisht po trajtohen 81 pacientë, 12 prej tyre janë në terapi intensive, ndërsa 2 janë të intubuar. Në vendin tonë aktualisht janë 931 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Durrës, ku mësohet se një pjesë e konsiderueshme e rasteve lidhen me ndërmarrje me shumë punëtorë, ndërkohë që vazhdon hetimi për raste të reja.
Nisur nga fakti se ditët e fundit po vihet re shtim i rasteve në aktivitete biznesi, ndërmarrje me shumë punëtorë, institucione publike dhe private,ministria e Shëndetësisë u bën apel të gjithëve të respektojnë rregullat.
"E vetmja mënyrë për të ndaluar përhapjen e infeksionit është duke ruajtur distancën fizike prej 1.5 metër nga njëri tjetri, duke ruajtur higjienën personale dhe duke larë duart vazhdimisht, bizneset dhe institucionet duke respektuar protokollet e përcaktuara. Maskat janë një domosdoshmëri për t’u mbajtur kudo ku ambienti është i mbyllur, në spitale, qendra shëndetësore, dyqane, supermarkete, parukeri, taksi, ambiente pune, zyra shërbimesh dhe kudo në ambiente publike ku nuk ruhet dot distancimi. Qytetarët duhet të shmangin grumbullimet masive pasi janë burim infeksioni, të evitojnë ceremonitë mortore dhe vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye", njofton Ministria.
COVID-19 – Statistika (27 Qershor 2020)
Testime totale 25918
Raste pozitive 2330
Raste të shëruara 1346
Raste Aktive 931
Humbje jete 53 (Qarku Tiranë 30, Durrës 9, Fier 5, Vlorë 2, Shkodër 5, Kukës 1, Elbasan 1)
Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:
Tiranë 359
Durrës 180
Shkodër 156
Vlorë 96
Fier 44
Lezhë 31
Korçë 26
Kukës 16
Elbasan 11
Gjirokastër 7
Berat 5
Rasti pozitiv i shënuar në Fier është një infermiere në burgun e Fierit. Burime për Report Tv bëjnë me dije se infermierja ka qenë për vizitë te vajza e cila, e cila po ashtu është e prekur me COVID-19.
Ka mjaftuar një ceremoni mortore në Kukës, pak ditë më parë që të kthehet në vatër infektimesh me COVID- 19. Katër rasteve të para, prej të cilave tre të së njëjtës familje, sot u janë shtuar edhe pesë raste të reja. Pesë rastet e reja janë kontakte të rasteve të mëparshme që burim infektimi kanë pikërisht ceremoninë mortore të pak ditëve më parë në Bicaj të Kukësit. Rastet e zbuluara nuk kanë simptoma shqetësuese gjithsesi sipas Njësisë Vendore Shëndetësore janë marre masat në bashkëpunim edhe me Policinë e Shtetit për izolimin e kësaj vatre. Të njëjtat burime thonë se sot janë dërguar në ISHP edhe shtatë tampone të marra në kontaktet e të infektuarve.
Në qytetin e Belshit është konfirmuar pozitiv një person. Burime për Report TV bëjnë me dije se i infektuari dyshohet të jetë prekur në QSUT në Tiranë.
Qyteti i Vlorës ka shënuar një numër të lartë të rasteve të reja në 24 orë.
Gazetari i Report Tv, Armand Xhelili raporton se gjatë 24 orëve të fundit janë konfirmuar pozitiv 11 persona.
Situata bëhet më alarmante, pasi këto raste të reja janë punonjës të një fasonerie, e cila është mbyllur.