Kompania e importit të frutave “ALBA EXOTIC FRUIT” e Eduart Dautit në mënyrë sistematike sillte kokainë nga Ekuatori në Portin e Durrësit, duke u shndërruar kështu në një ‘operator’ droge. Në një hark kohor prej disa muajsh, mes bananeve të porositura nga kompania, kanë mbërritur në Portin e Durrësit, gjashtë ngarkesa me drogë, të llojit kokainë, duke e kthyer këtë aktivitet kriminal në një veprimtari pothuajse normale.
Eduart Dauti është administratori dhe aksioner me 90 % i kompanisë “ALBA EXOTIC FRUIT”, me nipt: L12413011Q. Ndërkaq, 10 % të aksioneve i ka Barjon Gumeni, i cili është shfaqur në këtë kompani në vitin 2013. Barjon Gumeni u arrestua në 13 korrik të këtij viti, pas kapjes së ngarkesës së radhës prej 11 kg e 650 gramë kokainë në kontejnerin e kompanisë. Barjon Gumeni ka ndryshuar emrin dhe është vëllai i Eduart Dautit, i ekspozuar më parë edhe në media. Teksa policia prangosi Gumenin, Eduart Dauti ishte arratisur.
Pas arrestimit të vëllait dhe shpalljes në kërkim, për të vijuar administrimin e kompanisë, Eduart Dauti shton si administrator Ermal Arapin, i cili është arrestuar më pas nga policia. Dauti ka autorizuar Oksana Kajon, për të kryer veprime në emër të tij, për të mundësuar shtimin e administratorit. Autorizimi mban datën 21 korrik 2021, një javë pasi gjykata la në burg Barjon Gumenin, i cili është shprehur se nuk ka lidhje fare me drogën e kapur. Një ditë më pas, në 22 korrik 2021, emërohet administrator Ermal Arapi. Ky i fundit, në 28 korrik 2021, autorizon sërish Oksana Kajon, për të kryer veprime në raport me kompaninë në emrin e tij.
Arapi e ndërmerr këtë veprim pasi në datën 23 korrik 2012, në kontenierët e kompanisë u gjetën 6.5 kilogramë kokainë. Ermal Arapi u arrestuar sot, ndërsa tashmë është Oksana Kajo ajo e cila është e autorizuar për të vepruar në emër të administratorit. E gjithë kjo veprimtari për të mundësuar vijimin e aktivitetit kriminal të kompanisë është zhvilluar ‘nën hundën’ e organeve ligjzbatuese.
Lajmi kryesor:
Qindra kg kokainë në konteinerët me banane nga Ekuadori në Durrës në 6 raste të ndryshme, arrestohet Eduart Dauti, pronari i 'Alba Exotic Fruit'
K.T./ReportTv.al