Deputeti i PD, Dashnor Sula ka deklaruar se është shqetësuese që policia nuk ka publikuar ende identitetin e personave që mund të jenë porositësit e 62 mijë litrave të naftës kontrabandë që u zbulua në Portin e Durrësit.
Sula tha se policia nuk e lejon operacionin të shkojë deri në fund duke penguar porositësit e vërtetë të naftës të ardhur nga Libia. Ndërsa shtoi se në prangat e forcave blu kishin rënë vetëm persona që deputeti i quajti ‘peshq të vegjël’.
“Nga ana e policisë lajmi shitet si një arritje, por ajo që shqetëson shqiptarët është fakti se nga kush ka frikë shteti që nuk deklaron apo nuk ndëshkon porositësit e naftës. Si në rastin e parë edhe në këtë të dytin policia mburret se kapja u bë pas veprimeve të koordinuara me partnerët, por në fakt nuk e lejon operacionin e jashtligjshëm që të shkojë deri në fund në mënyrë që të zbulohen edhe porositësit e vërtetë të naftës. Si në rastin kur u sekuestrua anija cisternë në verë, por edhe dje, në prangat e policisë kanë rënë vetëm ata që në zhargon quhen peshqit e vegjël. Nuk i hyn asnjë gjëmb në këmbë atyre që porosisin naftën. Nëse policia arreston vetëm kapitenët e anijeve, trafikantët e naftës e kanë të lehtë të gjejnë kapitenë të tjerë dhe të bëjnë sërish këtë aktivitet. Ndaj theksoj që problemi i vërtet është porositësi dhe ata që ofrojnë garanci në Shqipëri që këto aktivitete të funksionojnë”- shkruan ndër të tjera deputeti.
Lajmi kryesor:
Karburanti kontrabandë nga Libia, 13 të arrestuar, 3 shqiptarë! Pronari, kapiteni dhe 2 marinarët e anijes u kapën me 62 mijë litra naftë në Durrës
B.V/ReportTv.al