83 mandatet e PS-së në Kuvend, kryemninistri Edi Rama i cilësoi si një borxh të jashtëzakonshëm ndaj qytetarëve. Nga Foltorja e Kuvendit, për prezantimin e programit qeverisës, kreu i qeverisë i përcolli edhe një mesazh opozitës, duke i thënë se do të ketë vëmendjen e tyre nëse do të heqin dorë nga zhurma.
“Lejomëni në fillim që si folës i parë i kësaj legjislature të re, në këtë pjesë vendimtare të rrugës së Shqipërisë europiane të përcjell urimin tim për një drejtim sa më të suksesshëm të punëve të Kuvendit, Kryetarit të ri të Kuvendit Niko Peleshi. Urime dhe suksese! Unë nuk jam këtu sot për të kryer një formalitet votë besimi të qeverisë së re me mbështetjen aritmetike të një shumice të pazakonshme në këtë sallë dhe dua t’i them pikërisht shumicës, se jo një mandat, por vite të tëra politike nuk mjaftojnë për ta shpërblyer besimin e jashtëzakonshëm që shqiptarët na dhanë këtë herë. 83 mandate apo mbi 50% e zgjedhësve në mbështetjen tonë janë shifra të një borxhi të jashtëzakonshëm për mandatin e katërt radhazi. Është një borxh që duhet ta marrim përsipër çdo ditë, jo me fjalë, por me një vijë të re sjelljeje, me një qasje të re vetëkritike, me ide dhe risi në çdo drejtim, me durim, me vullnet, me përkushtim dhe me energji të reja në çdo hap për suksesin e këtij mandati të ri.
Ndërsa pakicës dua t’i them vetëm se nuk është puna jonë çfarë bëni dhe çfarë thoni jashtë kësaj salle, por në këtë sallë dhe në respekt të zgjedhësve tuaj, do të keni të gjithë vëmendjen tonë dhe të gjithë kohën që të dëshironi nëse do të harroni përdorimin e trupit, të duarve, të këmbeve si argument dhe të zhurmës dhe të rënies me dorë të tavolinave si alternativë. Në të kundërt prania jonë këtu do të zgjasë sa një proces votimi. Mbajeni parasysh këtë! “, u shpreh Rama.
Lajmi kryesor:
Kaos në Kuvend, opozita 'revoltohet' nga 'Diella' dhe pengon Ramën të prezantojë programin qeverisës! PS e kalon direkt në votim, miratohet me 82 vota (VIDEO)
Xh.D/SI.E./ReportTv.al