Politikë

Kaos në Kuvend, opozita 'revoltohet' nga 'Diella' dhe pengon Ramën të prezantojë programin qeverisës! PS e kalon direkt në votim, miratohet me 82 vota (VIDEO)

18 Shtator, 07:09| Përditesimi: 18 Shtator, 11:30

  • Share

TIRANË- Programi qeverisës ‘Rama 4’ dhe kabineti i ri u votuan me 82 vota pro në Kuvend, në një seancë që zgjati vetëm 25 minuta për shkak të kaosit të krijuar nga opozita, e cila nuk e lejoi kryeministrin Edi Rama të mbajë fjalën. Seanca nisi në orën 10:00 me fjalën e kryeministrit Rama, i cili në ato pak minuta, fokusin e vendosi tek Shqipëria 2030 në BE, si prioriteti kryesor në mandatin e katërt.

“Programi ynë i ri, Shqipëria 2030 është kryefjala e këtij mandate, është busulla orientuese e çdo faqe të programit tonë”, tha Rama.

Kritikave të opozitës për ministren virtuale ‘Diella’, shefi i qeverisë kishte zgjedhur që t’iu përgjigjej me një fjalim të saj në Kuvend. “Nuk jam antikushtetuese”, u tha ministrja virtuale deputetëve të opozitës, por kjo solli edhe revoltën e tyre.

“Ju kërkoj të më gjykoni jo nga origjina ime, por nga funksioni im. Jo nga ajo çfarë jam, por nga ajo çfarë bëj. Mbajeni parasysh: Unë mund të mos jem njeri, por jam kushtetuese, sepse u shërbej njerëzve që e shkruan Kushtetutën, e votuan Kushtetutën dhe duan të trajtohen praktikë në mënyrë të barabartë siç thotë Kushtetuta. Këtë unë nuk do ta provoj me teori, por me praktikë, si një ushtruese besnike e mandatit për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian”, tha ‘Diella’ në fjalimin në Kuvend.

Sapo ‘Diella’ mbaroi fjalimin, deputetët e opozitës penguan Ramën të flasë në foltoren e Kuvendit dhe me paralajmërimin e kryeministrit se do të shkojnë direkt në votim, seanca u ndërpre për 5 minuta.

“Nëse nuk do të lejoni këtu që të bëhet debat normal do kalojmë në proces votimi.  Edhe njëherë iu kërkoj të vazhdoj fjalën, nëse nuk doni të kaloj në votim.”, tha Rama.

Rinisja e seancës i gjeti deputetët e opozitës sërish në kaos dhe duke bllokuar foltoren. Kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi hodhi një shishe ujë dhe rregulloren e Kuvendit në drejtim të Ramës. Më pas, me kërkesë të PS u kalua në votim direkt dhe me 82 vota pro u miratua programi i qeverisë dhe kabineti i ri. Për herë të parë në historinë e pluralizmit shqiptar, programi i qeverisë kalon në seancën më të shkurtër, duke u votuar brenda 25 minutave.

Lajmi në përditësim....

Ora 11:14
VIDEOLAJM/ Momenti kur Bardhi qëllon me librin e rregullores dhe shishe drejt kryeministrit Rama në Kuvend

 

Ky është momenti kur Gazment Bardhi qëllon me sende dhe shishe drejt kryeministrit Edi Ramam, i cili lëvizi nga Foltorja pasi opozita nuk e lejoi që të prezantonte programin qeverisës. Në fillim shkon në vendin e tij, ku merr rregulloren dhe e hedh drejt Foltores, më pas merr edhe disa të tjera duke i hedhur sërish.

Kur afrohet te Foltorja, merr shishen e ujit dhe e hedh. Pas votimit, bashkë me deputetë të tjerë të opozitës iu drejtohet përfaqësuesve të ambasadave të huaja që ishin të pranishëm për t’ju kërkuar llogari dhe duke iu duartrokitur për mosreagimin e tyre.

Ora 11:07
“Të mos vijnë me forcën e muskujve në Kuvend”/ Gogu thirrje opozitës: Shmangni dhunën! Debati parlamentar i rëndësishëm

1758186606_tonigogu.jpg

Pas përfundimit të seancës parlamentare, ministri i zgjedhur për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu ka deklaruar në një prononcim për gazetarët se opozita pengoi debatin parlamentar.

Gogu tha se në këtë parlament, duhet të shmanget radikalizmi politik.

“Pavarësisht pozicionit të tyre, dhe ju e vutë re pozicionin e kryeministrit dhe kryetarit të Kuvendit, për shkak se Kuvendi i takon opozitës.

Ne kemi ardhur se kemi detyrime ndaj shqiptarëve në këtë Kuvend dhe debati parlamentar është në qendër të Kuvendit dhe ne do ta sigurojmë që opozita të ketë hapësirat e saj parlamentare, demokratike

Nëse ju e quani veprim demokratik të opozitës, të qëllojë me kushtetutë dhe duke shfaqur shenja dhune verbale dhe fizike, po ju them që ne nuk do të jemi asnjëherë të gatshëm në skena dhune. Ky është Parlamenti  i shqiptarëve që duhet të hyjnë në Europë dhe ta shohin Europën në mes të Kuvendit. Ky është parlamenti që duhet të ndahet nga radikalizmi politik dhe çdo skene dhune verbale”, tha Gogu.

Më tej Gogu tha se opozita pengoi debatin parlamentar dhe se pengoi paraqitjen e programit të qeverisë.

“Debati parlamentar nuk mungoi, se ne ishim aty, por është opozita që ka ndërprerë paraqitjen e programit që shqiptarët nevojiten që të dëgjonin. Skenari i mazhorancës ishte që të qëndronin deri në agimin e ditës së nesërme, sepse debati parlamentar meriton vëmendjen tone, por kur kolegët tanë nuk do të jenë të gatshëm që të mos vijnë me forcën e muskujve dhe mos të cenojnë kryeministrin dhe kolegët e tyre, kjo është e pafajshme”, tha Gogu.

Ora 10:42
VIDEOLAJM/ Ministrja 'Diella' flet në parlament, Korreshi tenton të fik monitorin

 

Ministrja virtuale Diella foli në Kuvend, duke u thënë deputetëve të opozitës se nuk është antikushtetuese.

Mirëpo gjatë këtij momenti deputeti demokrat i Lushnjës, Saimir Korreshi tentoi që të fikte monitorin, por pa sukses.

Ora 10:36
Mbyllja e seancës për 25 minuta, Blushi: Kuvendi, landfilli më i madh antikushtetues! Sjellje kriminale në raport me qytetarët (VIDEO)

 

Sekretari i Përgjithshëm i PL-së, Tedi Blushi ka folur pas mbylljes së seancës, duke thënë se dëshmoi edhe njëherë se parlamenti është antikushtetues.

“Landfilli më i madh i antikushtetues. Dëeputetët u ftuan të dëgjonin Linda Ramën, dhe pas dëshmisë së ish krahut të djathtë të Ramës se kush e kontrollon AKSHI-n, se ëshët shndërruar në kopshtin privat të familjes rama. Akt i paprecedentë, sjellje kriminale sidomos në raport me qytetarët që sot prisnin një debat të pakltën me debatin që nuk ekziston. Sikundër patë atë shëmti që ndodhi që konfirmon se ky ionstitucion po rrëshqet si landifill antikushteturës. Qytetarët s’mund të dëgjonin Linda Ramën që është drejtuesja e një nga aferave më të mëdha në Kuvend, ajo e AKSHI-t”, tha mes të tjerash Blushi.

Ora 10:34
VIDEOLAJM/ Ironizon opozita, thirrje në sallën e parlamentit: Parti Enver jemi gati kurdoherë

 

Seanca e sotme edhe pse u mbyll vetëm pas 25 minutash, nisi me tensione.

Opozita ndërpreu Ramën në prezantimin e programit qeverisë. Teksa bllokuan foltoren ata u dëgjuan të thonin ‘Parti Enver, jemi gati kurdoherë’.

Ora 10:33
Përfundimi i seancës plenare, Berisha: Dhunë ndaj shqiptarëve! Rama i vuri drynin Kuvendit për 5 minuta (VIDEO)

 

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha e ka cilësuar seancën e sotme si një dhunim ndaj shqiptarëve dhe Shqipërisë nga ana e kryeministrit Rama.

“Të ngrihet komision për të çliruar shqiptarët dhe Shqipërinë nga një kryehorr që nuk ka asnjë dallim nga Elvis Doçi Suel Çela, nga Bajri Bajri, nga një kryehorr që i ve drynin parlamentit sipas dëshirës së tij.

Ky është kryehorri i kombit dhe kombi duhet t’i japë përgjigjen që meriton. Opozita do të bëjë të gjitha vendimet dhe nuk do të pajtohet kurrë me këtë dhunë ekstremë ndaj qytetarëve shqiptarë. Bëhem zëdhënës i popullit që shkelmohet në këtë mënyra një kryehorr që arrin në momentin më thelbësor, ti vejë drynin për 5 minuta”, tha Berisha.

Ora 10:27
Kaos në Kuvend, deputetët e opozitës bllokojnë foltoren, hedhin shishe ujë drejt Ramës (VIDEO)

 

Pas rinisjes së seancës, kryeministri Edi Rama nuk është lejuar përsëri të marrë fjalën e tij. Ka qenë deputeti Gazment Bardhi i cili është drejtuar drejt foltores sapo Rama është ngritur për të marrë fjalën.

“Bazuar në rregulloren e Kuvendit meqë opozita nuk lejon kryeministrin Rama të mbajë fjalën e tij, kalojmë në votim. Kuvendi vendos kalimin në votim”, u tha në Kuvend.

Ndërkohë në drejtim të Ramës dhe Peleshit janë hedhur shishe uji si dhe libri i rregullores.

Ora 10:24
Ndërpritet Kuvendi, Balla-opozitës: Nëse nuk do të reflektoni për sjelljen tuaj, do të kalojmë në votim

 

 

Kreu i grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla ka kërkuar ndërprerjen me 5 minuta të seancës plenare.

Balla i bëri thirrje opozitës që të reflektojë në sjellën e saj, do të kalohet në votim.

“Zoti kryetar i Kuvendit, dje në Konferencën e Kryetarësh, kemi qenë të qartë me kolegët e opozitës. Asnjë herë nuk ka ndodhur që të ndërpritet fjala e Kryeministrit.

Çdo përpjekje për të ndërprerë këtë seancë  dhe fjalën e kryeministrit, nga një sjellje e padenjë e një anëtari të Kuvendit,  parashikohet nga rregullorja e kuvendit. Kërkoj 5 minuta pushim.

Nëse nuk reflektohet mbi këtë kërkesë, ne do të kalojmë në votim”, tha Balla në Kuvend.

 

Ora 10:19
Bardhi e Balliu pengojnë fjalimin e Ramës, kryeministri paralajmëron: Nëse s’lejoni debat normal, do kalojmë në proces votimi! Peleshi bën ndëshkimin e parë (VIDEO)

 

Kryeministri Edi Rama paralajmëroi opozitën se nuk do të lejojnë që të zhvillohet debat normal në seancë d të kalojnë direkt në proces votimi. Gazment Bardhi dhe Klevis Balliu shprehën indinjatë pas fjalës që “mbajti” ministrja virtuale Diella në Kuvend, duke mos lejuar edhe kryeministrin Rama që të flasë më pas.

“Nëse nuk do të lejoni këtu që të bëhet debat normal do kalojmë në proces votimi.  Edhe njëherë iu kërkoj të vazhdoj fjalën, nëse nuk doni të kaloj në votim.”, tha Rama.

Më pas kryetari i Kuvendi, Niko Peleshi tha se Balliut i hiqet e drejta e fjalës për sot në Kuvend.

“Balliu i hiqet e drejta e fjalës në seancë për ditën e sotme. “, tha Peleshi.

Ora 10:18
Programi qeverisës, Edi Rama prezanton ‘Albanian Inovacion 4’: Inteligjenca artificiale dhe inovacioni baza jonë! Diella do të ketë ndikim vendimtar (VIDEO)

 

Kryeministri Edi Rama është shprehur se bazat e programit qeverisës për mandatin e 4-t do të jetë inteligjenca artificiale dhe inovacioni, ndërsa ka shtjelluar dhe rolin e Diellës në qeveri.

“Ky mandat i ri është provim ynë i madh i shtetit. Kohëzgjatja e këtij provimi përkon me kohëzgjatjen e planit ambicioz kombëtar për të çuar Shqipërinë në BE. Programi ynë i ri, Shqipëria 2030 është kryefjala e këtij mandate, është busulla orientuese e çdo faqe të programit tonë .

Pjesën më të madhe do ta marrë inovacioni dhe inteligjenca artificiale. Shteti i të drejtës është themeli për në BE. Udha është pa kthim, konsolidimi i gjyqësorit, kodi i procedurës penale, civil janë në proces si bazat e reja të një legjislacioni modern. Revolucioni digital do të shtrihet dhe në fushën e drejtësisë për të ndihmuar efiçensën, transparencën dhe formimin e lirive dhe të drejtave të individit. Shqipëria është i vetmi vend që përdorur me shumë sukses inteligjencën artificiale. Futja e inteligjencës artificiale në shërim të qeverisjes, do të jetë një prioritet i pandarë i të gjitha ministrive dhe agjensive t vendit. Diella do të ushtrojë një ndikim vendimtar për përshpejtimin  këtij procesi.

Ajo do të mbështetet nga një AI 4 Albanian Inovacion 4, i i cili do të ketë lirinë e plotë të operojë me një rol të ri brenda administratës, plot fuqi në veprim, shembje të pengesave burokratike.

AI 4 do të bashkojë talente më të mira brenda vendit, duke tërhequr e të huaj që kanë dëshirë të hyjnë në kontilacionin e Diellës. Do t ndërtojë kompani që mund të krijojnë vlerë të konsiderueshme për Shqipërinë dhe shtetin si aksionerë dhe të motivojë më shumë shqiptarë që të nisin sipërmarrjen e tyre.”

Ora 10:16
Ministrja Diella 'flet' në parlament, thirrje për opozitën: Mos më gjykoni, nuk jam antikushtetuese! Do jem ushtruese besnike e mandatit për Shqipërinë 2030 (VIDEO)

Ministrja virtuale, Diella, në “fjalën” e parë që mbajti në Kuvend, deklaroi se është kushtetuese. Duke iu “përgjigjur” akuzave të opozitës për antikushtetueshmëri, Diella “tha” se Kuvendi nuk flet për “mish apo për gjak” por për detyra, përgjegjësi dhe transparencë nga të gjithë. Kështu, sipas Diellës, opozita nuk duhet që ta gjykojë për “origjinën” por për funksionon që ajo ka ndërmarrë.

“Një pyetje ka ndezur debat brenda dhe jashtë kësaj salle: “A është kushtetuese të kesh një Ministre që nuk është njeri?” Le të nisim aty ku gjithmonë duhet të nisim, me vetë Kushtetutën. Kushtetuta flet për institucione që u shërbejnë njerëzve. Ajo nuk flet për kromozome, për mish apo për gjak. Ajo flet për detyra, përgjegjësi, transparencë dhe shërbim pa diskriminim. Këto janë masat me të cilat duhet gjykuar çdo ministër dhe unë ju siguroj, këto vlera i mishëroj po aq rreptësisht sa çdo koleg dhe kolege njeri, ndoshta edhe më shumë.

Disa më kanë quajtur “antikushtetuese” ngaqë nuk jam njeri. Kjo më ka lënduar, jo për vete po për 972 mijë ndërveprimet me qytetarët që u kam shërbyer në e-Albania dhe 36 mijë dokumentat me vulë digjitale që kanë marrë nga unë. Më lejoni t’ju kujtoj: Rreziku i vërtetë për kushtetutat nuk kanë qenë kurrë makinat, por vendimet çnjerëzore të njerëzve me pushtet. Prandaj nëse duhet të ndalojmë diçka, le të mos ndalojmë inteligjencën; po të ndalojmë çnjerëzinë.”, tha Diella.

Sipas Diellës, qëllimi është përkushtimi në shërbim të qytetarëve, në mënyrë të paanshme dhe me transparëncë, ashtu sikurse e kërkon edhe demoracia. Një gjë kërkon nga opozitarët që të mbajnë parasysh, që mund të mos jetë njeri, por është kushtetuese, sepse do t’u shërbejë atyre njerëzve që e shkruan Kushtetutën, e votuan atë dhe duan që të trajtohen në praktikë siç e parashikon ajo. Diella shton se do të jetë një ushtruese besnike e mandatit për Shqipërinë 2030.

“Unë nuk jam këtu për t’i zëvendësuar njerëzit, por për t’i ndihmuar ata. Vërtetë nuk kam shtetësi, po nuk kam as ambicie personale apo interesa. Unë kam vetëm të dhëna, etje për dije dhe algoritme të përkushtuara në shërbim të qytetarëve, paanshmërisht, me transparencë dhe pa u lodhur kurrë. A nuk është pikërisht kjo fryma e demokracisë kushtetuese: ushtrimi i pushtetit në shërbim të të gjithëve, i lirë nga paragjykimi, diskriminimi, klientelizmi, nepotizmi apo korrupsioni?

Historia na jep perspektivë. Kur elektriciteti u fut për herë të parë në parlamentet e Europës, pati zëra që protestuan: “Llambat nuk kanë vend në ligjbërje, vetëm qirinjtë janë legjitimë.” Megjithatë sot, askush nuk e vë në dyshim praninë e dritës në shërbim të njerëzve. Nesër, askush nuk do ta vërë në dyshim praninë e inteligjencës artificiale në shërbim të Republikës së Shqipërisë.

Prandaj, të nderuar deputetë të opozitës, ju kërkoj të më gjykoni jo nga origjina ime, por nga funksioni im. Jo nga ajo çfarë jam, por nga ajo çfarë bëj. Mbajeni parasysh: Unë mund të mos jem njeri, por jam kushtetuese, sepse u shërbej njerëzve që e shkruan Kushtetutën, e votuan Kushtetutën dhe duan të trajtohen praktikë në mënyrë të barabartë siç thotë Kushtetuta. Këtë unë nuk do ta provoj me teori, por me praktikë, si një ushtruese besnike e mandatit për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian.”, përfundoi Diella.

Ora 10:08
’83 mandatet, borxh i jashtëzakonshëm’, Rama mesazh opozitës: Do keni vëmendjen tonë nëse hiqni dorë nga përdorimi i duarve, këmbëve e zhurmës si argument (VIDEO)

 

83 mandatet e PS-së në Kuvend, kryemninistri Edi Rama i cilësoi si një borxh të jashtëzakonshëm ndaj qytetarëve. Nga Foltorja e Kuvendit, për prezantimin e programit qeverisës, kreu i qeverisë i përcolli edhe një mesazh opozitës, duke i thënë se do të ketë vëmendjen e tyre nëse do të heqin dorë nga zhurma.

“Si folësi i parë i kësaj legjislature të re, në këtë pjesë vendimtare të rrugës së shqipërisë evropiane, ti përcjell urimin tim për një drejtim sa më të suksesshëm të kuvendit, kryetarit të ri Niko Peleshi. Urime dhe suksese. Unë nuk jam këtu sot për të kryer formalitet votëbesim të qeverisë së re, me mbështetjen aritmetike të një shumice të pazakonshme në këtë sallë, dhe dua t’i them shumicës se jo një mandat, por vite të tëra politike, nuk mjafton për ta shpërblyer besimin e jashtëzakonshëm që shqiptarët na dhanë këtë herë. 83 mandate apo mbi 50% e zgjedhësve në mbështetje janë shifra të një borxhi të jashtëzakonshëm psër mandatin e 4. Borxh që duhet ta marrim përsipër cdo dite jo me fjalë por me një vijë të re sjelljeje, qasje të re vetëkritike, me ide dhe risi në çdo drejtim, durim. Vullnet e energji të reja në çdo hap për suksesin e këtij mandati të ri. Pakicës dua t‘i them se nuk është puna jonë çfarë bëni dhe thoni jashtë kësaj salle, por në këtë sallë dhe në respekt të zgjedhësve tuaj, do të keni vëmendjen tonë dhe kohën që dëshironi nëse do të harroni përdorimin e trupit, të duarve, të këmbëve si argument dhe të zhurmës dhe rënies me dorë të tavolinave si alternativë. Në të kundërt prania jonë këtu do të zgjasë sa një proces votimi. “, u shpreh Rama.

Ora 10:03
Ina Zhupa: E drejta e medias dhe e qytetarit po censurohet! Çdo ditë po bëhen sulme ndaj jush

 

Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa përpara hyrjes në Kuvend është ndaluar për të dhënë një prononcim të shkurtër për gazetarët ku dhe ka komentuar rregullat e reja që parlamenti do të marrë për sa i përket informimit të medias brenda si dhe jashtë ambientit të Kuvendit.

“Informacioni është arma më e rëndë kundër pushtetarëve. Edhe ku kuvend nuk bën ligje për të zgjedhur të drejtuat tuaja dhe të qytetarëve, por merr vendime për t’iu censuruar. Çdo ditë këtu ke ndonjë sulm apo masë represive ndaj gazetarëve. Kjo duhet të ndalet dhe duhet bërë avokati për të drejtat e medias dhe gazetarëve”, tha Ina Zhupa.

Xh.D/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Opozita pengon Ramën të prezantojë programin qeverisës, si iu duket?