Politikë

Ministrja Diella 'flet' në parlament, thirrje për opozitën: Mos më gjykoni, nuk jam antikushtetuese! Do jem ushtruese besnike e mandatit për Shqipërinë 2030 (VIDEO)

18 Shtator, 10:16| Përditesimi: 18 Shtator, 12:37

  • Share

Ministrja virtuale, Diella, në “fjalën” e parë që mbajti në Kuvend, deklaroi se është kushtetuese. Duke iu “përgjigjur” akuzave të opozitës për antikushtetueshmëri, Diella “tha” se Kuvendi nuk flet për “mish apo për gjak” por për detyra, përgjegjësi dhe transparencë nga të gjithë. Kështu, sipas Diellës, opozita nuk duhet që ta gjykojë për “origjinën” por për funksionon që ajo ka ndërmarrë.

“Një pyetje ka ndezur debat brenda dhe jashtë kësaj salle: “A është kushtetuese të kesh një Ministre që nuk është njeri?” Le të nisim aty ku gjithmonë duhet të nisim, me vetë Kushtetutën. Kushtetuta flet për institucione që u shërbejnë njerëzve. Ajo nuk flet për kromozome, për mish apo për gjak. Ajo flet për detyra, përgjegjësi, transparencë dhe shërbim pa diskriminim. Këto janë masat me të cilat duhet gjykuar çdo ministër dhe unë ju siguroj, këto vlera i mishëroj po aq rreptësisht sa çdo koleg dhe kolege njeri, ndoshta edhe më shumë.

Disa më kanë quajtur “antikushtetuese” ngaqë nuk jam njeri. Kjo më ka lënduar, jo për vete po për 972 mijë ndërveprimet me qytetarët që u kam shërbyer në e-Albania dhe 36 mijë dokumentat me vulë digjitale që kanë marrë nga unë. Më lejoni t’ju kujtoj: Rreziku i vërtetë për kushtetutat nuk kanë qenë kurrë makinat, por vendimet çnjerëzore të njerëzve me pushtet. Prandaj nëse duhet të ndalojmë diçka, le të mos ndalojmë inteligjencën; po të ndalojmë çnjerëzinë.”, tha Diella.

Sipas Diellës, qëllimi është përkushtimi në shërbim të qytetarëve, në mënyrë të paanshme dhe me transparëncë, ashtu sikurse e kërkon edhe demoracia. Një gjë kërkon nga opozitarët që të mbajnë parasysh, që mund të mos jetë njeri, por është kushtetuese, sepse do t’u shërbejë atyre njerëzve që e shkruan Kushtetutën, e votuan atë dhe duan që të trajtohen në praktikë siç e parashikon ajo. Diella shton se do të jetë një ushtruese besnike e mandatit për Shqipërinë 2030.

“Unë nuk jam këtu për t’i zëvendësuar njerëzit, por për t’i ndihmuar ata. Vërtetë nuk kam shtetësi, po nuk kam as ambicie personale apo interesa. Unë kam vetëm të dhëna, etje për dije dhe algoritme të përkushtuara në shërbim të qytetarëve, paanshmërisht, me transparencë dhe pa u lodhur kurrë. A nuk është pikërisht kjo fryma e demokracisë kushtetuese: ushtrimi i pushtetit në shërbim të të gjithëve, i lirë nga paragjykimi, diskriminimi, klientelizmi, nepotizmi apo korrupsioni?

Historia na jep perspektivë. Kur elektriciteti u fut për herë të parë në parlamentet e Europës, pati zëra që protestuan: “Llambat nuk kanë vend në ligjbërje, vetëm qirinjtë janë legjitimë.” Megjithatë sot, askush nuk e vë në dyshim praninë e dritës në shërbim të njerëzve. Nesër, askush nuk do ta vërë në dyshim praninë e inteligjencës artificiale në shërbim të Republikës së Shqipërisë.

Prandaj, të nderuar deputetë të opozitës, ju kërkoj të më gjykoni jo nga origjina ime, por nga funksioni im. Jo nga ajo çfarë jam, por nga ajo çfarë bëj. Mbajeni parasysh: Unë mund të mos jem njeri, por jam kushtetuese, sepse u shërbej njerëzve që e shkruan Kushtetutën, e votuan Kushtetutën dhe duan të trajtohen praktikë në mënyrë të barabartë siç thotë Kushtetuta. Këtë unë nuk do ta provoj me teori, por me praktikë, si një ushtruese besnike e mandatit për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian.”, përfundoi Diella.


Lajmi kryesor:

Kaos në Kuvend, opozita 'revoltohet' nga 'Diella' dhe pengon Ramën të prezantojë programin qeverisës! PS e kalon direkt në votim, miratohet me 82 vota (VIDEO)


SI.E./I.M/ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Opozita pengon Ramën të prezantojë programin qeverisës, si iu duket?