Kryeministri Edi Rama është shprehur se bazat e programit qeverisës për mandatin e 4-t do të jetë inteligjenca artificiale dhe inovacioni, ndërsa ka shtjelluar dhe rolin e Diellës në qeveri.
“Ky mandat i ri është provimi ynë i madh i shtetit. Kohëzgjatja e këtij provimi përkon me kohëzgjatjen e planit ambicioz kombëtar për të ulur Shqipërinë në tryezën e familjes së bashkuar europiane. Dhe programi ynë i ri qeverisës është fletorja e zgjidhjeve të provimit, por suksesi i këtij provimi historik do të varet i gjithi nga aftësitë e secilit dhe secilës dhe këmbëngulja jonë e përbashkët për t’i kaluar zgjidhjet nga letra e programit në realitetin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve.
Shqipëria 2030 në BE është kryefjala e këtij mandati. Shqipëria europiane është busulla orientuese e çdo faqeje të programit tonë dhe metronomi i ritmit të çdo reforme që do ndërmarrim. Si zakonisht edhe në tre herët e shkuara në një seancë si kjo, unë as nuk do lexoj të gjithë programin, që e keni të gjithë në dispozicion, as nuk do të marr kohën e kuvendit apo rolin e çdo ministri duke i prekur në detaje të gjitha fushat të cilat ministrat do t’i paraqesin një dhe nga një.
Prandaj pjesën më të madhe të kësaj fjale do ta zërë inovacioni dhe inteligjenca artificiale si dy kuaj të një rëndësie strategjike të betejave tona për Shqipërinë 2030. Shteti i së drejtës është themeli i anëtarësimit në familjen e bashkuar europiane. Udha është pa kthim. Konsolidimi i pavarësisë të gjyqësorit është thelbësor. Kodi i ri Penal, kodi i ri i procedurës penale dhe Kodi i ri Civil janë në proces si baza të reja të një legjislacioni modern me standardet më të larta europiane.
Nga ana tjetër, revolucioni digjital do të shtrihet më tej edhe në fushën e drejtësisë dhe të ligj zbatimit në tërësi për të ndihmuar nga njëra anë eficencen, transparencën, llogaridhënien e institucioneve demokratike dhe nga ana tjetër forcimin e lirive dhe të drejtave të individit. Shqipëria është i vetmi vend në rajon që përdor me shumë sukses inteligjencën artificiale për të përshpejtuar e legjislacionit me BE. Futja e inteligjencës artificiale në shërbim të mirëqeverisjes, të anti korrupsionit dhe të progresit të përshpejtuar social ekonomik do të jetë një prioritet i pa ndarë i të gjitha ministrive dhe agjencive të vendit.
Ndërkohë Diella, ministrja e Shtetit për Inteligjencën Artificiale do të ushtrojë një ndikim vendimtar për përshpejtimin e këtij procesi. Ajo do të mbështetet nga një akselarator me emrin AI 4,” Albanian Inovation 4” i cili do ketë lirinë e plotë të operojë me një rol të ri brenda administratës, plot fuqi në veprim, shembje të pengesave burokratike, adoptim me detyrim përcaktim të inteligjencës artificiale në çdo hap dhe në çdo fushë.
Akseleratori AI 4 do të bashkojë talentet më të mira shqiptare brenda vendit duke tërhequr njëkohësisht shqiptarë në diasporë, por edhe të huaj që kanë dëshirë të hyjnë në konstelacionin e Diellës. Do të përqendrojë një masë kritike talentesh tek problemet më të vështira të Shqipërisë, sfida që zakonisht nuk i frymëzojnë startup-et por që janë kyç për përparimin kombëtar. Do të ndërtojë kompani që mund të krijojnë vlerë të konsiderueshme për Shqipërinë dhe për shtetin si aksioner dhe të motivojnë më shumë shqiptarë që të nisin sipërmarrjet e tyre duke krijuar një cikël auto gjenerues inovacioni.
Diella me akseleratorin e saj AI 4 do ta pozicionojë bukur Shqipërinë si një vend me ambicie të madhe në fushën e qeverisjes përmes digjitalizimit dhe inteligjencës artificiale si dhe do kombinojë peshën e shtetit me zhdërvjelltësinë e startup-eve duke bashkuar në korsinë e përparimit, shërbimin publik me sipërmarrjen inovative dhe duke i kthyer institucionet në platforma zhvillimore të inteligjencës artificiale.
Unë jam i keq ardhur për kundërshtinë ndaj Dielles si anëtare e kabinetit të ri qeveritar dhe për keqkuptimet e mëdha lidhur me rolin dhe me pritshmërinë prej saj dhe duke qenë se Diella është e integruar në dekretin e presidentit si pjesë përgjegjësie e imja dhe për rrjedhojë duke qenë se koha e fjalës time është e vetmja kohë kur Diella mund t’i drejtohet kuvendit, atëherë para se të vazhdoj më tej me programin e qeverise së re kërkoj nga shërbimi i Kuvendit t’ia japë fjalën Diellës", tha Rama.
Lajmi kryesor:
Kaos në Kuvend, opozita 'revoltohet' nga 'Diella' dhe pengon Ramën të prezantojë programin qeverisës! PS e kalon direkt në votim, miratohet me 82 vota (VIDEO)
K.B/SI.E./ReportTv.al