Një sipërfaqe toke prej 831 hektarësh në zonën e Kaninës në Vlorë, ku pretendohet se do të ndërtohet një park fotovoltaik nga një operator ekonomik, është bërë objekt diskutimi në rrjetet sociale dhe mediat online.
Dhënie e lejes që supozohej se do të jepej ditën e nesërme nga Këshilli Bashkiak i Vlorës, ka nxitur reagimin e kryetares së Këshillit Bashkiak Vlorë, Elpiniqi Mërkuri.
Kjo e fundit, përmes një reagimi publik, sqaron se është e vërtetë që ka patur kërkesa drejtuar Bashkisë Vlorë në vitin 2024 për tokën në fjalë, të bëra në datat 29 prill 2024, 20 dhe 23 maj 2024.
Bashkia e Vlorës, e ka miratuar kërkesën dhe gjatë ditëve të fundit ia ka përcjellë Këshillit Bashkiak për miratim.
Sipas kryetares së Këshillit Bashkiak Vlorë, toka prej 831 hektarësh në Kaninë, rezulton të jetë në emër të Bashkise Vlorë sipas një dokumenti hipotekor nga Kadastra, por sqaron se vetë Bashkia e Vlorës nuk figuron zoteruese e titullit të pronësisë së këtij trualli.
Për këtë arsye, kryetarja e këshillit bashkiak të Vlorës thotë se ditën e nesërme nuk mund të merret asnjë vendim në lidhje me kërkesën për të ndërtuar park fotovoltaik në këtë truall në Kaninë.
'Të nderuar banorë të Vlorës, por jo vetëm. Në përgjigje të interesimit të disa mediave dhe në vazhdën e dizinformimit nga disa të tjera, sqarojmë se: Është e vërtetë që prej 16 muajsh Bashkia Vlorë ka marrë disa kërkesa për një truall me sipërfaqe 831.7 ha, ku subjektet kërkuese synojnë të ndërtojnë një park fotovoltaik. Kërkesat janë depozituar përkatësisht në këto data:
1. 29.04.2024
2. 20.05.2024
3. 23.05.2024Së fundmi, kërkesa është miratuar për t’iu përcjellë Këshillit Bashkiak. Megjithatë, nga dokumentacioni i marrë nga Kadastra më datë 18.07.2025, me qëllim plotësimin e dokumenteve për mbledhjen e Këshillit, rezulton se trualli në zonën e Kaninës ka vetëm një vërtetim hipotekor si truall në emër të Bashkisë, por Bashkia Vlorë nuk figuron si zotëruese e titullit të pronësisë së këtij trualli.
Në këto kushte, Këshilli Bashkiak nuk mund të marrë një vendim në lidhje me këtë kërkesë. Të gjitha komentet dhe insinuatat e tjera janë keqkuptime ose dizinformime me prapavijë keqdashëse.
Duke ju uruar një fillim jave sa më të paqtë, ju njoftojmë se nesër do të vijojmë me mbledhjen dhe shqyrtimin e projekt-vendimeve të tjera të rendit të ditës', thuhet në reagimin e kryetares së Këshillit Bashkiak të Vlorës, Elpiniqi Mërkuri.
Komente

Ne kanine fryn ere furishém mire do ishte mullinj me ere park eolik
Përgjigju