Reforma në Drejtësi ka qenë e suksesshme për SPAK dhe një pjesë shumë e rëndësishme për këtë institucion, që ka dhënë edhe rezultate të prekshme.
Por drejtësia e re duket se ka një problem madhor: Ajo ka frikë që të prekë Sali Berishën dhe Edi Ramën apo që t’u ngrejë atyre akuza serioze për çështje serioze që ka pasur Shqipëria ndër vite.
Kështu u shpreh juristi Kreshnik Spahiu në Report Tv, në studion ‘Sot, Live në Shqipëri’ në një lidhje live me moderatorin Nertil Agalliu. Ai analizoi situatën e drejtësisë në 9 vjetorin e reformës së saj, të politikës, atë paszgjedhore, urdhrat e kryeministrit Rama për Bashkitë dhe aksionin për çlirimin e hapësirave publike.
“SPAK pjesë e rëndësishme e reformës në drejtësi në 9 vite. Por mendoj se Gjykata dhe Prokuroria ende kanë frikë nga Rama dhe Berisha. Ata janë të paprekshëm, sepse ende s’ka dalë një prokuror dhe gjyqtar që t’i cojë drejt qelisë së burgut, të ngrejë akuza reale dhe ende nuk ka një prej tyre që të ngrejë një akuzë reale ndaj tyre, edhe pse çështje ka pasur. Të gjithë e shohim se si Berisha akuzon drejtësinë gjithmonë dhe heshtin. Heshtin SPAK, GJKKO, KLP, KLGJ, heshtin ambasadat, Ministria e Drejtësisë, gjë që nuk ndodh me asnjë person tjetër. Mjafton të shohësh edhe se si Rama i drejtohet prokurorëve, u thotë ‘guxoni të merrni telefonin tim’! Por kjo nuk ndodh për zyrtarët e tjerë të proceduar, madje ka pasur të arrestuar për një celular apo një arkë peshk”, tha juristi.
Ai shtoi se dosje me të cilat mund të merret drejtësia për krerët e lartë në fjalë ka, por nuk veprohet sepse nuk guxohet. Madje sipas Spahiut, janë shkelur edhe vendimet e Gjykatës së Strasburgut për 21 Janarin dhe përsëri drejtësia nuk guxon të veprojë. Sepse sipas tij, “presioni politik ndaj tyre është shumë i lartë”
“Ka pafundësisht çështje për t’u marrë, nuk është se nuk ka, por nuk veprohet. Mos harrojmë se janë shkelur edhe vendimet e Gjykatës së Strasburgut, si urdhri për gjykimin e 21 janarit dhe heshtet, asnjë nuk vepron, sepse nuk guxojnë. Unë nuk aludoj, unë jam nga ata që besoj se Gjykata dhe Prokuroria janë të pavarura, por presioni politik është shumë i lartë, të gjithë kanë fëmijë, familje dhe i mirëkuptoj, sepse presioni ekziston, por ky është realiteti”, tha ai.
Spahiu mori shembull standardet e Kosovës me drejtësinë, duke i krahasuar.
“Marr shembull në Kosovë, ku për një sharje apo kërcënim në Facebook në rrjete sociale ka arrestime apo ndalime, madje për shantazhe dhe fyerje. Kurse në Shqipëri ende nuk e shoh një gjë të tillë. Ka pritshmëri të lartë të publikut te kjo reformë. Madje mendoj se gjyqtarët dhe prokurorët janë vetë viktima të reformës, sepse janë arrestuar apo hequr nga detyra edhe për një garsonere, madje edhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese u dënua për 40 metra katrorë shtëpi plazhi që nuk u provua se e kujt ishte. Gjyqtarët pra, dënojnë veten e tyre, por nuk guxojnë për politikën, kanë frikë. Sepse për dikë që ndërton 22 kulla nuk guxojnë, por për vetne e tyre veprojnë”, argumentoi juristi mes të tjerash për Report Tv.
Madje ai shkon më tej, ku shprehet se edhe ato procedime apo arrestime që bëhen për zyrtarë të lartë duket sikur janë pazare si në gjënë e gjallë mes politikës. Këtu iu referua rastit Berisha-Meta, duke ia bërë një referencë edhe rastit të mbajtjes në paraburgim prej kohësh edhe të kryebashkiakut Erion Veliaj.
“Kujtojmë se Berisha është liruar në kohën që Meta është arrestuar, nuk kemi parimin e barazisë së ligjit, por parimin e tregut të gjësë së gjallë apo pazarit, ku njëri hyn, e tjetri del. Madje është nga ato rastet kur Gjykata Speciale nuk i është përpmabjtur standardit të saj me masat për arrestin shtëpiak apo atij me burg, nuk ka ndjekur të njëjtat standarde”, u shpreh Spahiu.
Kreshnik Spahiu shprehet se do ishte trishtuese nëse aksioni për shembjen e ndërtimeve pa leje dhe lirimit të hapësirave publike do përfundonte si në vitin 2013, si një aksion javor apo veror.
Ai e cilëson si krimin më makabër në Shqipëri atë që ka ndodhur me pronën private dhe kontrollin e territorit, teksa sugjeroi se ai të shkojë deri në fund, pasi qytetërimi dhe civilizimi nisin nga hapësirat publike.
“Shqipëria në këto 35 vite, krimi më makabër me pronën private e publike, është dalja jashtë kontrollit e territorit. Fatkeqësisht edhe Rama që erdhi me premtim më 2013 me kontroll territori. Madje nisi me aksion shembjesh me tritol të ndërtimeve pa leje në të gjithë Shqipërinë, në Tiranë, Durrës, Vlorë etj. Por u krijua ideja se do shembeshin të gjitha, por tani është bërë gjithë brryla për të ecur, me hapësira të zëna. Madje të krijohet ideja se 50% e popullit rrinë në kafe dhe pjesa tjetër i shërben kafet”, tha ai.
Dhe më tej shtoi se duhej dhënë prioritet qytetarëve. Ai tha se shpresonte që Rama të mos sillej si më 2013, kur e nisi me tritol dhe më pas e harroi.
“Nuk jam kundër kafeve, por do organizim, ku t’i jepet prioritet qytetarëve. Do ishte e trishtuar nëse Rama do tërhiqej, nëse do e kishte vetëm aksion javor, apo veror, e do tërhiqet si më 2013, mos të ndërpritet nga presioni i tregtarëve. Do ishte trishtuese. Ka zaptim total të hapësirave publike. Aq qejflinj janë shqiptarët, sa edhe në varre kanë nisur zapim me beton, kundër gjelbërimit, i bëjnë dykatëshe varrezat e të dashurve të tyre. Hapësira publike dhe trotuaret janë qytetari dhe civilizim, pa ato nuk ka qytetarim. Minimumi shqiptarët duhet të heqin dorë nga betonizimit dhe shtesave. I ngjashmi me Tiranën është Teherani, ku nuk ka hapësira publike dhe nuk ke nga kalon, se janë të zëna të gjitha, sikurse në Shqipëri”, përfundoi juristi.
Besimi i qytetarëve shqiptarë tek Sali Berisha ka humbur plotësisht, por tashmë ai ka humbur edhe besimin e të vetëve, pasi PD nuk mbledh dot as 300 veta në shesh.
Kështu tha për emisionin ‘Sot, Live në Shqipëri’, juristi Kreshnik Spahiu. Dhe argumenti i tij analitik ishte se nëse PD-së iu vodhën 300 mijë vota më 11 maj, atëherë përse Berisha nuk mbledh dot as 300 protestues në shesh?
“Ka dy muaj që thotë se u vodhën votat. Thotë se u vodhën 300 mijë vota me tren bullgar. Por nuk ka mbledhur dot as 300 vetë në shesh, s’ka bërë tre protesta, i shmanget protestave dhe i shtyn ato pas pushimeve. Si ka mundësi? Ka një gjë, ose nuk janë vjedhur 300 mijë vota, ose ka humbur mbështetjen”, u shpreh juristi për Report Tv.
Madje duke e njohur mirë kreun e PD-së, ai ndau mendimin se po të kishte 300 mijë mbështetës të opozitës, jo vetëm pushime nuk do bënte Berisha, por do të ishte në shesh për protestë.
“Por të jeni të bindur, se po të kishte 300 mijë njerëz, ai as pushime nuk do bënte. Do dilte në shesh për protesta”, komentoi juristi.
Juristi Kreshnik Spahiu theksoi sot se Sali Berisha politikisht vepron me dy standarde pas humbjes së zgjedhjeve. Teksa dikur i kërkonte dorëheqjen Lulzim Bashës për humbjen, vetë bën të kundërtën duke pretenduar farsë elektorale.
Ai ndau mendimin se nëse kreu i PD hyn në Parlament në shtator, do të thotë se bën lojën e Ramës, pasi e legjitimon atë si pushtet dhe fitues të zgjedhjeve, edhe pse prej dy muajsh thotë se nuk e njeh rezultatin e 11 majit.
“Nëse Berisha do pranojë mandatin e deputetit, nëse do hyjë në Parlament, nëse do pranojë të jetë krah Ramës në Kuvend dhe do e njohë Kuvendin në shtator, kjo do të thotë se ai do jetë në krah të Ramës, do e legjitimojë këtë pushtet. Pra, do bëjë hapur lojën e Ramës”, u shpreh Spahiu për Report Tv ditën e sotme.
Kreshnik Spahiu mendon se kryeministri Edi Rama po krijon skenarë brenda vetes si lëvizje opozitare mediatike me urdhrat për shkarkimin e drejtorëve të bashkive, meqë opozita në Shqipëri duket se nuk ekziston më.
Teksa Sali Berisha prej dy muajsh nuk pranon zgjedhjet duke pretenduar farsën elektorale dhe nuk ka më mbështetje, Rama përpiqet të krijojë faktor opozitar brenda vetes.
“Në skenën politike ka dy lëvizje. E para është ajo e mazhorancës dhe Ramës për spastrimet në bashki. E dyta e opozitës me Berishën për mosnjohjen e zgjedhjeve. Të dyja si të ngjashme, por nuk prodhojnë, xhirojnë në vend. Kemi Ramën për të ndryshuar drejtorët apo administratorët. Mendoj se është si strategji në dukje që qeveria po lëviz: meqë s’kemi rotacion politik, e bëjmë administrativ. Rama krijon skenarë brenda vetes si lëvizje opozitare mediatike. Meqë s’kemi ndryshim partish, heqim disa drejtor bashkish. A thua se këta drejtorë kanë ngrënë kumbulla e dardha në kurriz të kryetarëve”, tha Spahiu për Report Tv.
Ai sugjeroi që më mirë do të ishte një reformë brenda aministratës lokale, me shkurtime, sesa me shkarkime drejtorësh.
“Më e udhës është shkurtimi i administratës, sepse heqja e tyre është thes me hiç. Ne nuk jemi 1 mld njerëz, apo si Pekini. Shqipëria është lagje e Berlinit apo Londrës, ka nevojë për administratë sa një lagje e Londrës. Nuk e kuptoj pse duhet 200 mijë administratë. Pjesa më e madhe e tyre rrinë në kafë apo rrinë në zyra duke luajtur në kompjuter. 10% punojnë. Më mirë të ketë reformë të ketë më pak e të paguhen më shumë, edhe trefish”, argumentoi juristi.
Ai mendon se kjo lëvizje e Ramës është një strategji, për të prodhuar një ngjarje kur nuk ka dhe për më tepër me çështjen që atë e bëri të suksesshëm si kryebashkiak me shembjen e kioskave në Tiranë.
“Por mendoj se është strategji e Ramës, një lëvizje brenda vetes, kur opozita nuk ekziston apo prodhon ngjarje brenda vetes, në bashki, si me prishje të ndërtimeve, ndryshime në bashki, e të krijohet ideja se ra pakënaqësia, u prekën pronarët që ndërtuan pa leje. Rama hyri në politikë me prishjen e kioskave, ku mori flamurin e suksesit kur ishte kryebashkiak, që i rezultoi e suksesshëm, e tani është rikthyer po aty, te ai moment. Sikurse atëhere, kur të gjithë u kënaqën që u liruan totuaret, tani të gjithë do kënaqen përsëri që po lirohen këto hapësira publike”, u shpreh Spahiu.
E njëjta situatë edhe në kampin tjetër, që hedh akuza për farsë elektorale, për të krijuar ngjarje dhe për t’iu shmangur përgjegjësisë së humbjes. Spahiu kujtoi rastin e Lulzim Bashës që e larguan sepse humbi, por vetë nuk largohen dhe po përdorin të njëjtat teza si ai për vjedhje votash.
“E njëjta gjë me Berishën, sulmoi Lulzim Bashën për dorëheqje gjithë kohën për humbjen e zgjedhjeve dhe tani nuk largohet vetë pas humbjes. Akuzonte Bashën që thoshte se zgjedhjet ishin vjedhur, tani thotë vetë se zgjedhjet janë vjedhur”, nënvizoi juristi.
Komente
