Fundi i konferencës për shtyp të kreut të PD-së ka pasur edhe një moment me doza ironie dhe humori prej tij.
Ai u pyet nga gazetarët e pranishëm nëse do të pranonte të drejtonte seancën e parë në Parlament, si deputeti me i vjetër në sallën e Kuvendit. Teksa u përgjigj prerë me një ‘kurrë’, ai shtoi se ishte mazhorancë ilegjitime.
“Në parlament jo legjitim nuk mund ta hap kurrë, kurrë, s’mund ta bëjë unë atë, harrojë. Por të ishte legjitim, me kënaqësi do ta bëja. Por nuk është legjitim, nuk përfaqëson Parlamentin sipas raporteve ndërkombëtare, ku thuhet se duhet të ndahet parlamenti nga partia shtet”, tha Berisha.
Dhe teksa gazetarët insistuan, i kujtuan se i dyti më i vjetër është Tritan Shehu. Por Berisha tha se nuk e dinte nëse vartësi dhe besniku i tij në parti do e bënte. Madje nuk kurseu as ironinë për kryeministrin Edi Rama, teksa iu desh të korrigjohej nga gazetarët.
“Nuk kam biseduar me asnjë njeri... Por unë shpreha mendimin tim. Nuk kam biseduar. Po pas tij vjen Edi Rama, apo kush vjen...”, tha Berisha.
Gazetarët i kujtuan:
“Vasil Llajo, (Berisha s'e dëgjon mirë- Urdhëro?!)... Vasil Llajo, nga PS-ja...”
Pasi qeshi, kreu i PD-së u largua nga podiumi duke thënë:
“Thashë mos ishte Edi...! (qesh)... Mirë, mirupafshim!”.
Lajmi kryesor:
Berisha konfirmon kreun e grupit: Bardhi, punoi me dinjitet! Refuzon ‘privilegjin’ e moshës: S’e çel Kuvendin, ilegjitim
A.Q/I.M/ReportTv.al
