Gazetari Adriatik Doçi solli fakte të reja në 'Studio Live' për Arbër Hitajn. lidhur me skandalin e mbetjeve të Kurumit. Sipas tij koncesionin e parë kompania Kurum e ka marrë prej Ilir Metës në kohën kur kryeministër ishte Nano dhe më tej ka marrë mjaft koncesione nga qeveria Berisha.
'Kurum ka ardhur në 1998. Besohet se dy shtyllat e tij kryesore, janë Ilir Meta dhe Sali Berisha. Koncesionin e parë e ka marrë në 2003 në kohën e Nanos por letrat i ka bërë Meta. Në 2011 ka marrë koncesionin e kontejnerëve nga Sali Berisha. Ka marrë dhe 4 hidrocentrale. Është një koncesion që është referuar në SPAK. Ka patur një vendim mos fillimi, sot pritet vendimi i GJL, për këtë dosje nëse duhet hetuar nga SPAK. Përpos 4 hidrocentraleve, gjithë favorizimet i janë bërë në 2013 para se të largohej Berisha.
I ka dhënë 67 ha tokë në Spille për park industrial. Nuk ka sot park industrial në Durrës. I ka dhënë dhe fabrikën e ferrokromit në Cërrik. Që për një muaj e shiti për skrap. Ka marrë nga tatimet mbi 30 milion euro dhe kam dyshime se ka kryer evazion fiskal. Këto janë vetëm disa nga favorizimet e pushtetit të Berishës që i ka bërë Kurum. Kurum i ka shitur, është përfshirë në veprimtari zhvatëse dhe pushteti pas 2013 i ka dhënë fushë të lirë Kurum të vazhdojë veprimtarinë. Ka përgjegjësi për mosveprim ndaj Kurum dhe përulje ndaj Kurum. Ka patur disa hetime, Prokuroria shqiptare nuk ka bilanc pozitiv për ndotësit e ambientit', tha Doçi.
Sakaq, Doçi zbulon se bashkëshorti i mbesës së Berishës, është përfshirë në procesin e falimentit të Kurum dhe më pas të rikthimit nga falimenti të kësaj kompanie, aq sa u ndryshua dhe ligji i falimentit.
'Bashkëshorti i mbesës së Sali Berisha, bashkëshorti i Shpresa Breçanit, shfaqet në procesin e falimentit dhe rikthimit të falimentit të kompanisë Kurum. Janë tërhequr nga falimenti dhe ka patur ndryshim të ligjit të falimentit, janë përfshirë dhe këto personazhe që kanë dhënë ekspertizën e tyre, taraf të familjes Berisha. Ngre dyshimin e arsyeshëm që familja Berisha është e lidhur me interesa financiare dhe kriminale të kompanisë Kurum, mbase janë dhe pronarë të Kurum', shtoi gazetari.
Lajmi kryesor:
Mbetjet toksike të 'Kurum'/ Gazetari Doçi: Një pjesë u përdoren si çakull për asfaltin e Elbasan-Cërrik! Sazan Guri: Janë hedhur dhe në lumin Shkumbin
G.K//ReportTv.al