'21 janari', Dumani: Do ta hetojmë, zbatojmë vendimin e Gjykatës së Lartë! Afera 'Partizani'? Kreu i SPAK: Berisha nën hetim pasuror (E PLOTË)

8 Korrik, 11:41| Përditesimi: 8 Korrik, 20:36

  • Share

Pas zbardhjes së vendimit të Gjykatës së Lartë, SPAK do të nisë menjëherë hetimet për 21 Janarin. Lajmin e ka konfirmuar vetë kreu i SPAK Altin Dumani, i cili në një bashkëbisedim me gazetarët, tha se vendimi do të zbatohet ndërsa foli edhe për koordinime mes institucioneve për të hetuar.

Gazetarët: 21 janari, si do procedohet? Do të regjistrohet?
Dumani: Ne do zbatojmë vendimin e Gjykatës së Lartë. Ndiqet procedura normale. Ndoshta mund të ketë nevojë dhe për koordinim.

Në bazë të vendimit të Gjykatës së Lartë, kërkohet hetimi për Berishën, Bashën dhe Ndrea Prendi për rolin e tyre si urdhërues të “21 janarit”.

Afera 'Partizani', Dumani: Berisha në hetim pasuror

Në lidhje me hetimet për aferën e privatizimit të ish-klubit ‘Partizani’, Dumani konfirmoi se edhe për ish Kryeministrin po bëhen hetime pasurore, përveç vajzës dhe dhëndrit të tij ku disa pasuri tyre janë venë edhe nën sekuestro.  Ndërsa dosja do të dërgohet në gjykatë sapo të përfundojnë hetimet, të cilat janë zgjatur disa herë.

Gazetarët: A ka hetim pasuror për Berishën, në kuadër të hetimeve që po kryhen për dosjen “Partizani”?
Dumani: Janë bërë hetimet pasurore për Berishën.

Ekstradimet? Dumani: Merret Ministria e Drejtësisë, për Ahmetajn vendos Zvicra

Gjatë bisedës me dyer të mbyllura me gazetarët kreu i SPAK foli edhe në lidhje me ekstradimin e personave të shpallur në kërkim, që nga  Llalla e deri tek Gugallja, Mërtiri dhe Arben Ahmetaj. Ai tha se ekstradimi është një procedurë që ndiqet nga Ministria e Drejtësisë ndërsa Prokuroria e Posaçme ka detyrë të përgatisë dokumentacionin e kërkuar.

Gazetarët: Në çfarë fazë janë procedurat për ekstradim për Ahmetajn, Mërtirin, Stela Gugalljan.
Dumani: Besoj e dini rolin e prokurorisë, ne jemi institucion që i drejtohemi ministrise se Drejtesisë. Më pas kjo ministri merret me procedurat. Ne i dërgojmë të gjithë materialet.

Në lidhje me ish zëvendëskryeministrin Ahmetaj kreu i SPAK tha se do të jenë autoritete zvicerane ato që do të vendosin pasi ka kërkesë per ekstradim dhe azil të cilat mund te gjykohen edhe paralelisht.

Gazetarët: Procedurat për azil, e pengon ligji?
Dumani: Dy procedurat nuk mund të zhvillohen në të njëjtën kohë.
Gazetarët: Te çështja Ahmetaj, shohim që ka biznesmenë të përfshirë, a janë nën hetim këta biznesmenë?
Dumani: Ajo çështja është akoma në hetim për disa kemi konkluduar në akuza. Për të tjerët vijojnë hetimet, nuk përjashtohet askush. Di që hetohet çdo fakt dhe çdo rrethanë në raport me pozicionin e secilit.

Kreu i SPAK hesht për akuzat e Ilir Metës

Altin Dumani nuk bëri asnjë koment në lidhje me akuzat që janë drejtuar ndaj tij nga ish presidenti Ilir Meta, për të cilat tha se nuk e shqetësojnë. Ndërsa nuk dha një përgjigje se në çfarë statusi po hetohet çifti, Meta -Kryemadhi.

Gazetarët: Akuzat e Metës?
Dumani: Nuk kam asnjë koment për të bërë!
Gazetarët: Javët e fundit ka qenë në fokus Ilir Meta dhe Kryemadhi. Çfarë statusi kanë këta dy persona.
Dumani- Çështja është në hetim, nuk mund të jap asnjë koment.

Mikrokreditë, SPAK hetim për një objekt konkret ndaj Bankës së Shqipërisë! Dumani: Ngushëllime familjes Trashaj

Sa i takon hetimit të dosjes së microkredive drejtuesi i prokurorisë së Posaçme tha se në SPAK ka një hetim, por jo për denoncimet e qytetarëve, por të personave që janë subjekt i kësaj strukture. Kujtojmë se në SPAK është paraqitur një dosje për Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë në lidhje me mikrokreditë.

Ai i shprehu ngushëllime familjarëve të të ndjerit Pal Trashaj nga Lezha, i cili i dha fund jetës jashtë ambienteve të  Prokurorisë së Posaçme duke kërkuar që çështja e tij të hetohet nga SPAK. Po pavarësisht se kjo strukturë nuk heton kallëzimet e qytetareve serish në SPAK këtë të hënë disa qytetarë janë paraqitur për të bëre kallëzime në lidhje me mashtrimet me microkreditë, si rasti i këtij qytetari nga Kruja, të cilit bankat i kishin bllokuar pasuritë

Gazetarët: Skema e mashtrimit me micro kreditë, sa kallëzime ka për këtë çështje? Ka hetim të regjistruar dhe për cilat akuza?

Dumani: Ne kemi vetëm një çështje të regjistruar, por ne nuk hetojmë rastet e qytetarëve që janë mashtruar. Kemi një hetim, për një objekt konkret ndaj Bankës së Shqipërisë. Nuk bëj komente. Realitsht dhe ne na vjen keq që qytetarët përplasen në dyert tona dhe për personat që vijnë për çështje të ndryshme që nuk janë në kompentencën tonë lëndore. Shpreh keqardhjen për atë që ndodhi përpara dyerve të SPAK me z.Pal Trashaj dhe i përcjell ngushëllime familjes. Ka kërkesa të shumta nga ana e qytetarëve, por ligji na e ka përcaktuar qartë kompetencën lëndore.

Kreu i SPAK: Një pjesë e vogël nuk e bën pis punën e Policisë

Dumani tha se bashkëpunimi me Policinë e Shtetit është shumë i mirë aktualisht, pavarësisht rasteve të efektivëve që u kanë rezultuar se bashkëpunonin me krimin, për të cilin tha se deri tani kanë rezultuar 69 efektivë. Dumani nuk mohoi që në disa raste ka nisur edhe hetime për dekonspirim për të cilat nuk dha ndonjë shifër.

Gazetarët: Si i keni marrëdhëniet me Policinë e Shtetit? Nisur nga peticioni me Arben Ndokën
Dumani: Shumë të mira, një pjesë shumë e vogël nuk e bën pis punën e policisë dhe ne bashkëpunojmë çdo ditë më ta. 69 punonjës policie të përfshirë në bashkëpunim me krimin, më është dukur shqetësim.

7 persona që 'strehohen' në Dubai në hetim nga SPAK

Dumani zbulon se SPAK ka nën hetim shtatë persona që dyshohet se ndodhen në Dubai, por nuk zbuloi emra konkretë, duke mos penguar kështu hetimin.

Gazetarët: A ka bërë SPAK një skanim sa persona janë në kërkim dhe strehohen në Dubai?
Dumani: Po për llogarinë e SPAK janë shtatë persona që dyshohen se gjenden në Dubai.

Skandali te 'Onkologjiku' dhe Fredi Beleri, përgjigjet Dumani

Dumani u pyet edhe për skandalin te spitali Onkologjik.

Gazetarët: A duhet prokuroria e Tiranës te shpallë moskompetencë për çështjen e Onkologjikut? A keni një koment për këtë?
Dumani: Nuk mund të komentoj veprimet e kolegëve të mi të prokurorisë së Tiranës! Procedimin e kanë ata, vlerësimi i tyre.

I pyetur për Fredi Belerin, Dumani tha se ai tashmë është një person i dënuar me formë të prerë.

Gazetarët: Për çështjen e Fredi Belerit?
Dumani: Tashmë Beleri është një person i dënuar me formë të prerë. Nuk ka me asnjë kompetence SPAK sa i takon fazës së ekzekutimeve te vendimeve penale. Ne momentin që vendimi merr formë të prerë, SPAK nuk ka me asnjë implikim procedural.

McGonigal? Kreu i SPAK: Në hetim paraprak

Dumani është pyetur edhe për çështjen Mc Gonigal, ish agjenti i FBI-së i dënuar “për shkelje të rëndë të besimit të publikut”, lidhur me 225 mijë dollarët që mori nga shqiptaro-amerikani Agron Neza dhe mosdeklarimin e kontakteve me zyrtarë të Shqipërisë, përfshirë me kryeministrin Edi Rama.

Gazetarët: Për çështjen Mc Gonigal, ka një vendimmarrje?
Dumani: Jemi në fazën e hetimit paraprak.

Dializa, fondet e IPARD dhe shpërthimi në magazinën e Çelës në hetim

Çështja për deputeti socialist Bujar Çela, ku edhe ndodhi shpërthimi në Lushnjë, ku vdiqën babë e bir, është në fazën e hetimit paraprak.

Gazetarët: Tek ju është transferuar rasti i deputetit të PS-së Bujar Çela, pasi sipas prokurorisë së Lushnjës, ishte përfshirë në një ndërtim të paligjshëm
Dumani: Çështja është nën hetim paraprak, po verifikohen të dhënat.

I pyetur për hetimet për koncesionin e laboratorëve për dializën, Dumani tha se çështja është nën hetim.

Gazetarët: Koncesioni i laboratorëve, ka persona nën hetim?
Dumani: Çështja është nën hetim, kam të freskët informacionin!
Gazetarët: A ka zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë në hetim?
Dumani: Është çështje në hetim, çdo e dhënë që paraqet interes për hetimin, prokurori duhet ta hetojë.
Dumani: Për fondet IPARD, do ruaj të njëjtin standart. Është çështje në hetim parapak. 

Hetim pasuror për dosjen '5D'? Dumani pa koment

Dumani u pyet edhe për ‘Dosjen 5D’, ku 3 ish-drejtorët e bashkisë së Tiranës janë në burg pasi akuzohen për korrupsion.

Gazetarët: Ka hetim pasuror për 5D?
Dumani: Nuk kam asnjë koment
Gazetarët: Keni informacion që Këlliçi thotë se drejtorët 5D po firmosin nga burgu tendera?
Dumani: Këlliçi dhe gjithkush është i lutur të dorëzojë kallëzim.

Dumani u pyet edhe nëse ka pasur masë ndaj kryetarit të bashkisë së Tiranës, në kuadër të hetimeve për inceneratorët.

Gazetarët: Ka patur masë për Erion Veliajn, bllokim pasaporte apo masë tjetër?
Dumani: Reagimi është ai që kemi bërë dhe zyrtarisht, ju e keni marrë reagimin tonë.

Ekstradimi i Durim Bamit nga Dubai? Kreu i SPAK: Problematikë edhe e vendeve të BE

Në lidhje me ekstradimin e Durim Bamit nga Dubai, Dumani tha se ekstradimet nga ky vend janë problem për shumë vende.

Gazetarët: Për Durim Bamin keni ngritur shqetësimin për ekstradimin, në çfarë faze është ekstradimi? Si do të zgjidhet ngërçi?
Dumani: Kemi detyrimin vetëm të bëjmë kërkesë për ekstradim. Ne si institucion kemi ngritur shqetësim. Nuk është problematikë vetëm për Shqipërinë, por edhe për vendet e BE-së, në raport me Emiratet e Bashkuara Arabe, sidomos Dubain. Di që ka pasur përpjekje, shpresoj të ketë zgjidhje.

Dumani përgënjeshtron Bardhin: Nuk ka bërë kallëzim ndaj Olsi Ramës

Kreu i SPAK iu përgjigj edhe interesit të SPAK, për dosjen 'Xibraka', për të cilën kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi ka deklaruar se ka bërë kallëzim ndaj Olsi Ramës, vëllai i kryeministrit. Dumani u shpreh se ka nisur një hetim për këtë dosje, e cila është rihapur, por sqaroi se nga ana e Gazment Bardhit nuk ka asnjë kallëzim.

Gazetarët: Përmes një shkrese qe ka nxjerrë në FB Gazmend Bardhi rezulton që keni hapur dosjen “Xibraka”, a ka bërë kallëzim Bardhi? Dhe e dyta, me një kallëzim të PD, fraksioni BASHA, ndaj Belinda Ballukut lidhur me një tender ne portin e Durrësit. Është regjistruar kallëzimi? Ka persona nen hetim?
Dumani: Për pyetjen e parë, po SPAK ka rifilluar hetimet dhe ka regjistruar procedim penal për dosjen “Xibraka” po hetohet. Ne kemi disponuar mosfillimin dhe thuhet qartësisht që nuk ka bërë kallëzim Bardhi. Për pyetjen e dytë, nuk e kam këtë informacion. Jo çdo gjë që bëhet në institucion e kam. Jam i papërgatitur në këtë pyetje.

Dumani: Do shtojmë numrin e agjentëve të BKH

Gazetarët: Keni ngritur një kërkesë për shtimin e numrit të agjentëve të BKH. Aktualisht, problem është vetëm numri i ulët i agjentëve? 
Dumani: Për hetuesit, numri 20 prej prokuroreve është për momentin mjaftueshëm. Për numrin e hetuesve kemi rënë dakord me drejtuesen e BKH për rritjen e numrit.

Dumani ‘zhvishet’ nga kostumi i kreut të SPAK

Në fund të bisedës me gazetarët, Dumani foli edhe për Europianin.

Gazetari: Me kë ishit tifoz në Europian dhe ku do i kaloni pushimet brenda apo jashtë vendit?
Dumani: Ndeshje nuk kam parë, jam tifoz me thënë të drejtën. Me Shqipërinë jam. Jam me Brazilin që në kampionatin e 1992.

M.Q.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Tera: 08/07/2024 17:00

    McGonigal eshte denuar per krime federale ne SHBA, fshehje ose mos deklarim te pagesave marre nga shqiptare te lidhur me qeverine e Shqiperise. Nuk e kuptoj cfare hetimi paraprak po kryen prokuroria e posacme per kete shtetas te huaj. Ajo duhet me kohe te kishte hetuar mbi shtetasin shqiptar dhe lidhjet ne qeverine e Shqiperise, kreun e qeverise. Pyetja duhet te ishte ose jete: A po kryen hetime paraprake prokuroria e posacme per shtetasit shqiptare, lidhjet ne qeverine e Shqiperise, kryeministrin ne raport me te denuarin per krime federale ne SHBA? Se dyti, lutja ndaj te treteve per te kallezuar, eshte qedharake dhe tregues i inkompetences totale. KPrP e shpreh qarte ne nenin 280 qe Prokurori dhe policia gjyqesore marrin dijeni me iniciativen e vet ose njoftimin e paleve te treta. Nuk e pengon kush prokurorin qe me iniciativen e vet te disponoje njoftimet qe per me teper jane publike qe permbajne elemente dhe indikojne per vepra penale. Se fundmi, njesoj si me vendimin e gjykates per 21 Janarin, prokuroria e posacme duhet te zbatoje vendimin e gjykates per problemet ne provat mbi te denuarin Beleri. Kreu i prokurorise se posacme genjeu rendshem ose nga inkompetenca qw nuk kane me implikim procedural. Sa i trashe qe eshte!!

    Përgjigju
    • ILIRI: 08/07/2024 23:07

      tera fix si ty,po ty te hoqen se ishe super i koruptuar

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?