Argita Malltezi (Berisha), në konferencë
Argita Malltezi (Berisha), vajza e ish-kryeministrit Sali Berisha, doli sot (23 Shtator) në një konferencë për mediat, pikërisht teksa SPAK njoftonte thirrjen për dorëzimin e akteve të dosjes penale “Partizani” për 5 të pandehurit të mërkurën e 25 Shtatorit, mes tyre bashkëshorti dhe babai i saj.
Teksa Prokuroria i akuzon për aferën “Partizani” dhe do i dërgojë së shpejti pas firmosjes të mërkurën për proces në GJKKO, ajo thotë se aktakuza ndaj babait të saj “është një dekoratë”, pasi ka bërë Vettingun 30-vjeçar të pasurisë së tij dhe familjes së tij.
Malltezi u shpreh se ai nuk e ka shkelur kurrë ligjin kur ka ushtruar funksione dhe nuk ka përfituar në asnjë moment.
Sipas saj, “Sali Berisha nuk ka favorizuar Jamarbër Malltezin për privatizimin e ish-kompleksit Partizani”.
“Aktakuza është dekoratë për Sali Berishën pasi ka bërë Vettingun 30-vjeçar të pasurisë së tij dhe familjarëve të tij dhe nga ky Vetting rezulton se Berisha nuk ka shkelur ligjin dhe nuk ka pasur kurrë përfitim të paligjshëm. Nëse do të kishte pasur do të ishte në gjyq për këto shkelje apo përfitime dhe jo për tokën e gjyshes së Jamarbër Malltezit”, tha ajo.
Teksa më tej shtoi edhe një pretendim për falsifikim në hetime:
“Kjo aktakuzë tregon falsifikimet që janë bërë nga ato që kanë qenë shtyllat kryesore të hetimit. Në radhë të parë në lidhje me pronën nuk kanë mundur të shtyhen në mashtrimin që çoi në arrestin e Berishës dhe Malltezit, se gjoja ka qenë e shpronësuar nga Italia. Ne kemi vënë në dispozicion dokumentet që provonin kthimin e pronës dhe më pas kemi bërë publike dokumentet që lidhen me fletoren zyrtare”.
Lajmi kryesor:
SPAK mbyll hetimet për 'Partizanin', të mërkurën Berishës dhe Malltezit i jepen aktet e dosjes! Të pandehur dhe Fatmir Bektashi, Xhimi Begeja dhe Andia Pustina
A.Q//ReportTv.al