Politikë

Afera Partizani/ Berisha paraqitet në SPAK dhe vijon sulmet para kamerave: Amnistimi i krimit elektoral nga Dumani dhe SKAP-i i partisë është krim

17 Mars, 10:06| Përditesimi: 17 Mars, 12:06

  • Share

TIRANË- Në paraqitjen e radhës në SPAK për aferën ‘Partizani’, ish-kryeministri Sali Berisha nuk kurseu sulmet ndaj SPAK dhe kreut të saj Altin Dumani. Kryetari i PD nuk ngurron që sulmet e tij t’i bëjë publikisht para kamerave dhe para godinës së Prokurorisë së Posaçme.

Sulmin nuk e rezervoi vetëm para kamerave, por është kujdesur që t’ia lërë edhe me shkrim! Vetë ish-kryeministri zbuloi para kamerave se në procesverbalin e detyrimit të paraqitjes, ka shkruar se Dumani dhe Skapi i partisë po amnistojnë krimin elektoral.

"Amnistimi i krimit elektoral nga Dumani dhe Skapi i partisë është krimi antikushtetues dhe antidemokratik më i madh në historinë e pluralizmit politik. Është atentati më i rëndë ndaj zgjedhjeve të lira. Sali Berisha. Ua lashë aty", tha Berisha.

Por a nuk janë intimidim sulmet e vazhdueshme të Berishës ndaj SPAK sa herë që paraqitet në Prokurorinë e Posaçme, ndërkohë që më 4 prill pritet të ketë edhe një vendim nëse dosja ndaj tij dhe dhëndrit do kalojë ose jo për gjykim.

Ish-kryeministri ka në fuqi masën detyrim paraqitjeje, por pse nuk ka reagim nga SPAK për sulmet që Berisha nuk i kursen? Ndërkohë, një ‘precedent’ krejt i kundërt ndodh me rastin e Erion Veliajt, i cili mbahet në qeli pasi SPAK pretendon se kryebashkiaku i Tiranës ushtron presione dhe intimidon.

Para SPAK e pritën vetëm disa militantë mes tyre edhe besnikët si Falmur Noka, Belind Këlliçi që edhe vetë kanë dosje të hapura në SPAK.. Ndërsa sa i takon rastit Veliaj, Berisha vijoi me fantazinë se ministri Ulsi Manja ka urdhëruar përgjimin e tij në qeli.

“Dhe Uluziu ka luajtur rolin e tij, njeri të pabesë, ka shkuar natën si mik duke iu lëpirë Veliajt dhe ka urdhëruar vendosjen e çimkave në të gjitha mjediset. Uluziu është pjesë e këtij kurthi. Kur prokurori tha se kemi dosje shtesë, atij pothuajse i ra të fikët. As gëk e as mëk nuk bëri. Në asnjë rast pabesia nuk shpërblehet. Nëse donin të vinin çimka, t’i bënin jo duke aktivizuar ministra apo zyrtarë më të lartë, por të merrnin leje në gjykatë siç është rregulli. Të mos bëj avokatin, ta lë Maks Haxhinë t’i çojë cigaret. Erion Veliaj është regjistruar edhe duke folur në telefon fiks, edhe duke fjetur në shtratin e tij dhe duke u ulur në tavolinë. E kishin mbushur me çimka në të gjitha anët”, tha Berisha.

Kjo ishte e pesta herë që Berisha, i shoqëruar gjithmonë me grusht militantësh, paraqitet në Prokurorinë e Posaçme pas rikthimi të masës së sigurisë “detyrim paraqitje”. Kreu i PD prej muajsh është marrë i pandehur nga SPAK për korrupsion në dosjen e aferës “Partizani”, pasi akuzohet se me një sërë veprimesh të paligjshme i hapi rrugë privatizimit të ish kompleksit sportiv Partizani që u pasua me ndërtimin e 19 kullave, ku përfitues është dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, i pandehur gjithashtu. Të akuzuar në aferën Partizani janë edhe biznesmeni Fatmir Bektashi, Xhimi Begeja orataku i Malltezit, trashëgimtar i tokës dhe bashkëpronar i 'Homeplan' dhe Andia Pustina, financiere që kryente të gjitha operacionet financiare dhe ligjore të Homeplan.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se Parlamenti i dalë nga zgjedhjet e 11 majit do të jetë më cilësor?