Kronikë

Shtyhet gjyqi 'Partizani'/ Avokatët kërkojnë përjashtimin e trupës gjykuese: Të kapur nga SPAK, gjykim nga një tjetër Gjykatë! Berisha i 'kënaqur' me 3 gjyqtarët

21 Korrik, 07:31| Përditesimi: 21 Korrik, 12:37

  • Share

TIRANË- Seanca e dytë gjyqësore për dosjen e aferës Partizani, u shty sërish pas strategjisë së qartë të avokatëve mbrojtës për të zvarritur seancat. Avokati i Sali Berishës, Genc Gjokutaj dhe ai i Malltezit kërkuan përjashtimin e trupës gjykuese me argumentin se duan të gjykohen nga gjykatë e paanshme, pasi sipas tyre GJKKO është nën kontrollin e SPAK. Kërkesa u paraqit nga Gjokutaj, menjëherë sapo kryesuesja Elsa Ulliri deklaroi se kryetari i GJKKO ka rrëzuar kërkesën e saj për t’u dorëhequr nga kjo çështje, pasi vetë ajo e kërkoi për shkak të lidhjes me deputeten demokrate Andia Ulliri.

“Kërkojmë të gjykohemi nga një gjykate të paanshme. Gjyqtarët e gjykatës së Posaçme kontrollohen nga SPAK. Gjyqtarët e gjykatës se posaçme janë në monitorim të vazhdueshëm gjë që nuk përmbush kushtet e pavarësisë së kësaj gjykate. Kjo mbikëqyrje e gjykatës nga një palë në proces shkel parimin e një gjykate të pavarur”, tha avokati Genc Gjokutaj.

Alibia e re që përdorën avokatët e Berishës ishte se duan të Gjykohen nga një gjykatë tjetër, jo nga GJKKO. Sipas tyre, të gjithë gjyqtarët e këtij institucioni janë të shantazhueshëm, pasi kontrollohen dhe survejohen nga SPAK.

“Kërkojmë përjashtimin e të gjithë gjyqtarëve të Gjykatës së Posaçme nga kjo çështje, pasi nuk përmbushim kriterin e paanshmërisë dhe dërgimin e çështjes për gjykim te gjyqtarët që nuk kontrollohen nga SPAK e BKH. Të gjykohet nga gjyqtarë jashtë kësaj gjykate”, tha Gjokutaj.

“Të gjithë gjyqtarët e GJKKO, janë të cenueshëm, janë pjesë që iu nënshtrohen survejimit, kontrollit, monitorimi nga SPAK, për këtë arsye nuk janë të pavarur", tha Jamarbër Malltezi.

Nga ana tjetër, Prokurori Arben Kraja, tha se “nuk dua të shprehem për kërkesën, por Gjykata Kushtetuese i ka dhënë përgjigje këtij pretendimi”.

Avokatët e Fatmir Bektashit dhe të Xhimi Begejas, ishin të vetmit që nuk kërkuan përjashtimin e trupës gjykuese të përbërë nga Elsa Uliri, Bib Ndreca dhe Rudina Palloj. Seanca e radhës u shty më datë 15 shtator, ora 10:30, pas kërkesës së avokatit Sokol Hazizaj, i cili kërkoi kohë të njihet me materialet për kompaninë Homplane. 

Berisha nuk ishte i pranishëm, por u paraqit në SPAK për masën detyrim paraqitjeje, ku ne fakt deklaroi se nuk ka asnjë kundërshti për treshen gjykuese.

“I gatshëm të paraqitem, sipas këshillës së avokatëve dhe gjykatësve. S’kam asnjë kundërshti për asnjë gjykatës konkret”, tha Berisha.

Vetë ish-kryeministri Sali Berisha nuk u paraqit në seancën në GJKKO, ku përmes një shkrese deklaroi se do të përfaqësohet nga avokatët e tij mbrojtës. Por, pak minuta më herët, ai u paraqit tek oficeri i BKH në zbatim të masës detyrim paraqitjeje, por ajo çfarë tërhoqi jo pak vëmendje ishte një deklaratë e tij se nuk ka asnjë pretendim për treshen gjykuese të dosjes Partizani. Edhe pse i qëndroi të njëjtit argument që përdorën avokatët e tij, se GJKKO nuk ka pavarësi.

“Nuk kam asnjë kundërshti për asnjë gjykatës konkret, përveç ndonjërit që është në apel. Ai, i njohur tani, famozi, por nuk kam kundërshti për gjykatës konkret. Por kam kundërshti për një parim themelor që ka të bëjë me pavarësinë e gjykatësit në detyrën e tij. Nuk mundet kurrë që gjykatësi që shqyrton dosjen e Altin Troplinit, të kontrollohet nga Altin Troplini”, tha Berisha.

Në SPAK, Berisha u paraqit me një grusht militantësh, ndërsa kësaj radhe në ndihmë i kishte shkuar edhe dhëndri, pas lirimit nga qeli kundrejt garancisë pasurore. Në fjalën e tij, kreu i PD adresoi sulme të ashpra ndaj kreut të SPAK, Altin dumani, të cilin e quajti anëtar të organizatës së Troplinëve, por edhe ndaj gjyqtares së hetimit paraprak, Irena Gjoka. Për këtë të fundit, Berisha pretendoi se ka nisur një hetim  pasi ka gënjyer në formularin e dekriminalizimit, për një dënim në Greqi. Por, Berisha pretendon se Gjoka po favorizohet nga Dumani.

Dosja për aferën Partizani kaloi për gjykim më 19 maj, pak ditë pas zgjedhjeve të 11 majit, dhe pasi u mbajt peng prej 7 muajsh. Berisha do të gjykohet për akuzën e korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë pasi akuzohet se, në cilësinë e kryeministrit, ka ndërmarrë veprime konkrete në miratim ligjesh dhe aktesh nënligjore, ku përfitues ishte edhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi.

Malltezi akuzohet për korrupsion pasiv dhe pastrim parash. Sipas SPAK, ai ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij.

Ora 12:01
Afera Partizani/ Kërkuan përjashtimin e gjyqtarëve, Malltezi: Janë të shantazhueshëm, survejohen nga SPAK

 

Dhëndri i Sali Berishës, Jamarbër Malltezi në një deklaratë për mediat foli ppër kërkesën e tyre për përjashtimin e treshes gjyqtare dhe gjykimin nga një gjykatë tjetër, me argumentin se janë të kapur nga SPAK dhe s’janë të pavarur. Malltezi tha se kjo Gjykatë është e shantazhueshme.

“Të gjithë gjyqtarët e GJKKO, janë të cenueshëm, janë pjesë që iu nënshtrohen survejimit, kontrollit, monitorimi nga SPAK, për këtë arsye nuk janë të pavarur. Është detyrë e shtetit të caktojë gjyqtarë të pavarur. Kjo gjykatë, sipas ligjit është e shantazhueshme. Kemi dijeni për gjyqtarë që i grabitet celulari nga prokurori për çdo lloj gjëje, këta e kanë me ligj. Ky shtet nuk jep garanci përmes kësaj gjykate. Jemi në një çështje absurde, që janë nisur për të sulmuar Berishën, kanë stisur çështje nën presionin politik të Ramës. Kanë nisur çështje për objekt të cilin nuk e kishin fare temë”, tha Malltezi.

Ora 11:23
GJKKO s’pranoi largimin e kushërirës së deputetes së PD, Berisha i ‘kënaqur’ me trupën gjykuese për ‘Partizanin’

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, nuk ka pranuar dorëheqjen e gjyqtares speciale, Elsa Ullirit nga dosja “Partizani”. Gjatë seancës së kësaj të hëne, vetë Ulliri, e cila është dhe kryesuesja e trupit Gjykues, relatoi se kryetari i GJKKO-së, Erion Bani, vendosi që të mos pranonte kërkesën e saj të dorëheqjes nga kjo çështje.

Ndërkohë, që në këtë moment, nga ana tjetër, avokati i Sali Berishës, Genc Gjokutaj kërkoi përjashtimin e të gjithë trupës gjykuese.

“Kërkojmë të gjykohemi nga një gjykate të paanshme. Gjyqtarët e Gjykatës së Posaçme kontrollohen nga SPAK. Gjyqtarët e Gjykatës se Posaçme janë në monitorim të vazhdueshëm, gjë që nuk përmbush kushtet e pavarësisë së kësaj gjykate. Kjo mbikëqyrje e gjykatës nga një palë në proces shkel parimin e një gjykate të pavarur”,tha Gjokutaj.

Kjo kërkesë e Gjokutajt ka ardhur në kontradiktë me deklaratën e bërë pak më herët nga vetë ish-kryeministri Sali Berisha, i cili tha se nuk ka asnjë kundërshtim për treshen gjykuese.

"S’kam asnjë kundërshti për asnjë gjykatës konkret”, tha Berisha nga ambientet e SPAK, ndërsa në gjykatë përfaqësohej nga Gjokutaj.

Ora 11:21
Trilleri i ri i Berishës për Dumanin: Altin Troplini sa nuk është përleshur fizikisht me një gjykatëse, e terrorizoi dhe shkoi t’i merrte kompjuterin!

 

Sali Berisha ka sulmuar ashpër sot (21 korrik) kreun e SPAK, Altin Dumani, pasi u paraqit këtë të hënë për të zbatuar masën ‘detyrim paraqitje’.

Pasi e ka quajtur Altin Troplini, duke e lidhur me kartelin e Durrësit, ai i vuri edhe një ‘identitet’ të dytë, si Altin Hajri, duke e implikuar edhe me të shumëkërkuarin tjetër të drejtësisë.

Madje Berisha shkoi edhe më tej, ku tregoi një histori, për të cilën u shpreh se qarkullojnë komente se “Dumani është përfshirë në një debat të ashpër me një gjykatëse, e cila nuk kishte zbatuar urdhrat e tij”.

Sipas Berishës, Dumani i ka rrëmbyer edhe kompjuterin për ta terrorizuar.

“Janë nën kontrollin e një delinkuenti si Altin Troplini. Thuhet se këto ditë vetëm sa nuk është përleshur fizikisht me një gjykatëse se thuhet s’ia ka zbatuar urdhrat, madje ka shkuar për t’i marrë edhe kompjuterin në zyrë. Ja kjo është, kjo s’ka të bëjë me gjykatësit në veçanti, por me drejtësinë në përgjithësi”, tha Berisha.

Teksa pyetej nga gazetarët, ai e ritheksoi edhe njëherë historinë që i ngjante një skenari të denjë filmi dhe trilleri.

"Këto ditë vetëm sa nuk është përleshur fizikisht me një gjykatëse që nuk i ka zbatuar urdhrat, i ka rrëmbyer kompjuterin për ta terrorizuar", tha kreu i PD.

Ora 10:53
FOTOT/ Militantët e PD para SPAK 'firojnë', Berishës i shkon në ndihmë dhëndri dhe e duartroket për fjalimin

Sali Berisha është paraqitur sërish këtë të hënë në ambientet e SPAK, në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje” të vendosur ndaj tij.

Vetëm se, pas çdo paraqitje të tij në SPAK, numri i militantëve që e shoqëron pakësohet ndjeshëm.

Ndaj për t’i ardhur në ndihmë, këtë të hënë ka menduar dhëndri, i cili u lirua kundrejt garancisë pasurore. 

Ora 10:53
Berisha nuk përmbahet: Sistemin e ri të drejtësisë e përfaqësojnë njerëz që s’kanë moral ligjor! (Bëhet lëmsh me Troplinët dhe Irena Gjokën)

 

Kryetari i PD-së Sali Berisha hodhi akuza të rënda ndaj sistemit të ri të drejtësisë, duke i quajtur njerëz pa moral ligjor dhe standard, teksa shigjetoi përsëri kreun e SPAK-ut, Altin Dumani, për të cilin tha se është i lidhur dhe mbron Tropinët e Durrësit dhe Altin Hajrin e Shijakut.

Për këtë të fundit u shpreh se i ka paguar 700 mijë euro Dumanit për rastin e mosarrestimit, teksa akuzohej në lidhje me rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës.

Por Berisha u bë lëmsh përsëri edhe me emrat, ku dukej qartë demenca kronologjike dhe e identiteteve, duke ngatërruar Troplinët dhe madje një moment nuk i kujtohej as emri i gjyqtares Irena Gjoka.

“Ju e shihni pra, se cilët janë individët që përfaqësojnë sistemin e ri të drejtësisë, janë njerëz të cilët s’kanë asnjë moral ligjor, nuk zbatojnë asnjë kriter, asnjë standard, jam këtu për t’i denoncuar dhe do i denoncoj vazhdimisht. E garantoj Altin Troplinin se dekonspirimi që ai ka bërë dhe mbajtja në xhep e mandat-arrestit ndërkombëtar për..., për... Arben... për... Ndrecën (e ngatërron emrin, për Troplinin) do ketë për të pasoja, do e ndjek atë për të gjithë jetën. Sepse i dha mundësi të largohej, të fshihej, kreut të kartelit më të rrezikshëm në Europë të drogës, që ka nën kontroll të plotë dhe në funksion, të portit të Durrësit, dhe që vijon akoma të jetë në funksion, i dha mundësinë të arratisej Troplinit”, tha Berisha.

Madje ai hodhi akuza edhe ndaj ministrit të Drejtësisë dhe kreut të SPAK, Dumani, se gjithashtu ndihmuan Altin Hajrin për rastin e rrëmbimit dhe zhdukjes së trupit të Jan Prengës.

“Dënoj këtu implikimin e tij të padiskutueshëm, të Hajrit. Është thënë në atë kohë se Hajri i ka paguar Dumanit në atë kohë 700 mijë euro. Dhe sot për prerjen në copa-copa të trupit të Jan Prengës, dënohet një kamerier dhe roje. Kurse Altin Hajri merr leje për ndërtime pallatesh shumëkatëshe dhe dërgon avokatin e tij Altin Troplini, por ne zotohemi se do e denoncojmë. Unë ua thashë, se ajo është ankuese, për atë isha aty”, vijoi kreu i PD-së.

Ai harroi për një moment edhe emrin e gjyqtares Irena Gjoka teksa pyetej disa herë nga gazetarët dhe më pas kur u kujtua tha:

“Aaa, më fal, e drejtë. Për çështjen Gjoka ka një padi nga ne, nga Adriana Kalaja, ndaj u ngatërrova, se ajo është Irena me 5 mbiemra, një e ka Gjoka, se çështja ndaj saj është hapur pa emër, nga Altin Troplini. Por KLGJ-ja duhet ta shkarkonte atë për mashtrimet që ka bërë e ta çonte për ndjekje penale. Por luhet futboll, çohet nga KLGJ tek Olsi Çela dhe ky ia çon Uluziut, ky s’ka kohë se është i zënë me dy kostumet e Altin Hajrit, se si duket s’i rrinë mirë ato që i bëri. Ja shikoni ju, i thotë atij shkoni merrni mirë masën atij, Olsit, kush është Olsi, unë thashë Olsi Dado, por nuk është ai. Le të dalë Uluziu e të thotë, kush është Olsi, por ai deri sot nuk ka dalë, nuk ka thënë asgjë”, u shpreh ai.

Për mosparaqitjen e tij në gjyqin e aferës “Partizani”, Berisha tha se konsultohet me avoketërit dhe kur t’i thonë ata do të shkojë nëse do të jetë nevoja.

“Paraqitja apo mosparaqitja ime përaktohet nga avoketërit, por caktohet sipas zhvillimeve. Kjo është një seancë që paraqiten pretendimet nga avoketërit. Kemi të bëjmë me gjykatës që në mënyrë antikushtetuese, në kundërshtim me Kartën e të Drejtave të Njeriut janë në kundërshtim të plotë dhe nën kontroll të një delinkuenti si Altin Troplini. Thohet se këto ditë vetëm sa nuk është përleshur fizikisht me një gjykatëse se thuhet s’ia ka zbatuar urdhrat, madje ka shkuar për t’i marrë edhe kompjuterin në zyrë. Ja kjo është, kjo s’ka të bëjë me gjykatësit në veçanti, por me drejtësinë në përgjithësi”, u shpreh kreu i selisë blu.

Ora 10:39
Berisha ‘shfrenon’ fantazinë: Ta quajmë Irena Dumani, na ngeli bosh mbiemri nga ‘Altin Troplini’!

 

Pas daljes nga SPAK për masën detyrim paraqitje, Sali Berisha jo vetëm që sulmoi Altin Dumanin dhe Irena Gjokën, por edhe shfrenoi fantazinë e tij, duke thënë se nga sot gjyqtaren do ta quajë Irena Dumani, pasi mbiemri ‘Dumani’ i ka mbetur bosh duke qenë së kreun e SPAK e quan Altin Troplini

“Prisni se është interesante, Irena Dumani, t’ia shtojmë një mbiemër të mbeti bosh mbiemri Dumani nga Troplini, Irena Dumani, fytyra e vërtetë e sistemit të drejtësisë, ka mashtruar në institucionin e deklarimit të pasurive dhe në veting origjinën e pasurisë. Ajo për 60 milionë lekë paraqet si dokument borxhin ndaj gruas që i ka marrë edhe burrin. Njëherë i merr burrin, pastaj i merr edhe borxhin, a keni dëgjuar ju ndonjëherë një eveniment të tillë të ndodhë?

Le të supozojmë se ka ndodhur, pra i merr borxhin gruas që i ka marrë burrin dhe i referohet në vitin 1996 kontrata e këtij viti i referohet Kodit Civil të vitit 2015. Kodi thotë se kjo kontratë nënshkruhet në përputhje me nenin 801 të Kodit Civil, në një kohë kur Kodi Civil i vitit 1996 kishte 200 e pak nene. Pra kjo është kryetarja e gjykatës speciale. Irena Dumani, ta quajmë kështu më mirë se e kuptojnë më mirë njerëzit, është e dënuar me burg nga Gjykata e Janinës dhe këtë Irena Dumani e ka fshehur dhe ka thirrur Altin Troplinin tani në mbështetje që të thotë a jam unë apo nuk jam unë. Pra tani Altin Troplini, do thotë se kjo e dënuara, për të cilën dëshmon vula apostile e Gjykatës së Janinës, do të thotë është Irena apo nuk është Irena.

Nuk është Maneku, por është Dumani. E kuptoni ju se çfarë horrash janë këta? Sa të pafytyrë, sa të pamoral, se si e si të mbrojnë llumin në sistemin e drejtësisë. Si të bëhen fytyra e shëmtuar e një sistemi. Irena, të cilën Altin Troplini nuk guxon, ndonëse është paditur me emrin e Irena Dumanit, Altin Troplini nuk guxon të hapë padinë me emër, por që ta mbajë nja dy-tre vjet se do vërtetoj këtë apo atë, paçka se vula apostile tregon se Irena është dënuar me burg 3 muaj dhe këtë nuk e ka deklaruar në dokumentet e vetingut dhe deklarimit të pasurisë.

Irena ka marrë avokat dhe ka firmosur prokurë për ta përfaqësuar para drejtësisë greke në një kohë kur deklaron pafytyrësisht se nuk është dënuar kurrë. U deklaron gazetarëve se nuk është dënuar kurrë. Dhe pikërisht mbi këtë bazë, Altin Troplini hap çështje penale, por jo me emër për Irena Gjokën, se po të hapej me emër, Irena Gjoka nuk mund të rrinte asnjë ditë të vetme në sistemin e drejtësisë. Ajo ka kryer një seri veprash, ka mashtruar, është përzënë dhe është e dënuar me burg.

Ka fshehur, ka falsifikuar duke iu referuar Kodit të vitit 2015, për Kodin e vitit 1996 dhe ajo që është pastaj, që nuk them se në rrafshin ligjor, por në rrafshin moral, pasi i mori burrin, shkoi dhe i mori edhe 60 milionë lekë hua. Ju e shihni pra se cilët janë individët që përfaqësojnë sistemin e ri të drejtësisë. Janë njerëz të cilët nuk kanë asnjë moral ligjor, nuk zbatojnë asnjë kriter, asnjë standard. Jam këtu për t’i denoncuar dhe do i denoncoj vazhdimisht”, tha Berisha.

Ora 10:35
Berisha sulme të ashpra: Irena Gjoka mashtruese ordinere! Kreu i SKAP-it, anëtar i organizatës së Troplinëve

 

Ish-kryeministri Sali Berisha u paraqit sot në SPAK në zbatim të masës detyrim paraqitje, nga ku ashpërsoi sulmet ndaj njerëzve të drejtësisë. Kreun e SPAK, e quan anëtar të organizatës së Troplinëve, ndërsa sulme të ashpra pati edhe në drejtim të gjyqtares Irena Gjoka, të cilën e quan mashtruese ordinere.

“Po lexoj deklaratën që unë lashë për kreun e SKAP-it, Altin Troplini. Pasi mbajti në xhep për javë të tëra mandatin e arrestit të kreut të kartelit Troplini, duke u bërë kështu anëtar i organizatës Altin Troplini, hapi dosje për Irenën me 5 mbiemra, pa emër. Ka hapur çështje penale pa emër, ky është një krim, një abuzim i madh me drejtësinë. Irena me 3 apo 5 mbiemra është një delikuente e cila ka vendin, jo në drejtësi, por atje ku e meriton. Altin Troplini me urdhër të Ramës, bën çdo gjë ti zgjasë kësaj qenie delikuente qëndrimin në sistem, duke u bërë bashkë me Altinin fytyra  e vërtetë e sistemit. Irena me 3 mbiemra, është mashtruese ordinere, është shkarkuar në 1996 për korrupsion nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe këtë ua ka mohuar avokatëve të mi. Irena me 3 mbiemra, që mbrohet me të gjitha mënyrat nga altin Troplini, është një delikuente e cila ka mashtruar në formularët”, tha Berisha.

Ora 10:23
Afera Partizani/ Berisha paraqitet në SPAK për masën detyrim paraqitjeje (VIDEO)

Ish-kryeministri Sali Berisha, u paraqit në SPAK në zbatim të masës detyrim paraqitjeje për aferën Partizani.  

Xh.D/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si po menaxhohet situata me zjarret?