TIRANË- Prokuroria e Posaçme (SPAK) e kundërshton kërkesën e Sali Berishës, Jamarbër Malltezit dhe të pandehurve të tjerë të dosjes “Partizani” për pavlefshmëri të provave. Në GJKKO prokurori Arben Kraja argumentoi se asnjë nga pretendimet e ngritura nga avokatët nuk qëndron ligjërisht, duke theksuar se nuk ka pasur shkelje në ekzekutimin e masave të sigurisë, as në procedurat e ekspertimeve.
“Sa i takon pretendimeve për gjyqtaret është shprehur gjykata kushtetuese, për shpërdorimin e detyrës për të pandehurin Berisha, i kujtoj mbrojtjes institutin e parashkrimit, regjistrimi kallëzimit penal në të njëjtën ditë që është dorëzuar nuk përbën shkak për pavlefshmëri, kur ka elemente prokurori e regjistron.
S’ka shkelje për ekzekutimin e masave të sigurisë, sa i takon akteve të ekspertimit që pretendohet se janë kryer nga ekspertë të paregjistruar nuk qëndron pasi jo domosdoshmërish duhet të jetë në regjistrin elektronik dhe privat, kemi ekspertët tonë të policisë dhe institucioneve të tjera, asnjë nga pretendimet e ngritura nuk çon në pavlefshmëri”, tha Kraja.
Në fund, prokurori shtoi se kërkon rrëzimin e kërkesave të të pandehurve si të pambështetura në ligj dhe në prova.
“Kërkojmë edhe rrëzimin e kërkesës së kompanisë Kontakt për gjykim të shkurtuar dhe ndarjen e çështjes, pasi është pazgjidhshmërisht e pandashme nga të tjerat”, tha Kraja.
Pas dëgjimit të palëve, Gjykata vendosi të shtyjë seancën për të marrë kohë për t’u shprehur me vendim mbi pretendimet e paraqitura nga avokatët e të pandehurve. Seanca e radhës është caktuar më 27 tetor, në orën 13:00.
Në seancën e sotme vetë ish-kryeministri Berisha nuk u paraqit, ndërsa dhëndri i tij Malltezi teksa hynte në GJKKO dhe mbante një fjalim për mediat, një qytetar i kujtoi vjedhjet e vjehrrit të tij.
Dosja për aferën Partizani kaloi për gjykim më 19 maj. Berisha do të gjykohet për akuzën e korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë pasi akuzohet se, në cilësinë e kryeministrit, ka ndërmarrë veprime konkrete në miratim ligjesh dhe aktesh nënligjore, ku përfitues ishte edhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi.
Edhe Malltezi është nën akuzë për korrupsion por edhe për pastrim parash. Sipas SPAK, ai ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij.
Fatmir Bektashi akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash, ortaku i Malltezit dhe trashëgimtari i tokës Xhimi Begeja, dhe financierja Andia Pustina, që merrej me punët financiare dhe ligjore të kompanisë “Homeplan”, akuzohen për pastrim parash. Po ashtu, në gjyq për pastrim parash janë edhe tre kompanitë “Kontakt”, “Homeplan” dhe “Studio Pustina”.
Komente

kush ishte aksioneri kryesor ne kete afere korruptive eshte kyc ne pavlefshmerine e akteve ose po perseritim te njejten veper penale te parashkruar ne rrethana te reja cilesuese dhe eksperte anonim
Përgjigju