Kronikë

Zvarritet sërish afera Partizani/ Seanca shtyhet pas zgjedhjeve, mbahet më 19 maj! Davidhi i rrëzon kërkesën për revokimin e vendimeve të Gjokës, avokati kërkon përjashtimin

5 Maj, 10:09| Përditesimi: 5 Maj, 14:45

  • Share

TIRANË-  Avokatët e Sali Berishës kanë vijuar sërish me taktika zvarritje dhe kanë arritur që ta shtyjnë sërish seancën për aferën partizani pas zgjedhjeve të 11 majit. Edhe sot seanca ku duhej të jepej një vendim nga gjyqtarja Floreja Davidhi nëse dosja do kalonte ose jo për gjykim, është shtyrë më datë 19 maj, vetëm 8 ditë pas zgjedhjeve parlamentare.

Strategjia e shtyrjes ishte e qartë që në mëngjes, kur Berisha u paraqit në SPAK në zbatim të masës detyrim paraqitjeje, ku publikoi një dokument sipas të cilit pretendojnë se gjyqtarja e hetimit paraprak, Irena Gjoka ka qenë e dënuar në 2005 në Greqi për falsifikim dokumentesh të udhëtimit. Me këtë vendim në duar, mbrojtja e Berishës mësohet se ka kërkuar në seancë paraprake revokimin e vendimit për pavlefshmëri të provave të marra nga Irena Gjoka.

Por gjyqtarja Davidhi nuk e ka pranuar dhe kështu avokatët kanë përdorur një tjetër taktikë zvarritje, duke kërkuar përjashtimin e saj, e njëjta gjyqtare që e liroi nga arresti shtëpiak. 

“Sot ishte seanca ku ne vijmë nga një rrëzim kërkese për përjashtimin e gjyqtares, Flojera Davidhi, një vendim i cuditshëm, ku kërkesa është bërë nga ne avokatët dhe është gjobitur zoti Berisha pa pasuri firmën e tij. Është gjobitur me 10 mijë lekë të reja. Ndërkohë që nuk është ai firmëtari i kërkesës. Kjo është një lajthitje e gjykatës.

Ne sot vazhduam, i dhamë mundësinë kësaj gjykatë që të revokonte vendimin për pavlefshmëri që ne kemi ngritur, për ta sjellë këtë proces në shina, por gjyqtarja e rrëzoi këtë kërkesë. Ne njoftuam gjykatën që do bëjmë kërkesë për pavlefshmërinë e gjithë vendimmarrjes së Irena Gjokës, sepse ne kemi vendimin e gjykatës greke për dënimin e saj. Edhe këtë kërkesë, pavarësisht se ne kërkuam kohë për ta formalizuar këtë kërkesë, ajo e rrezon. Mbi këtë bazë kemi kërkuar një përjashtim tjetër. Për të marrë vendimin e përjashtimit të gjyqtares Irena 2, ne na u dha koha dhe seanca u caktua në datën 19 maj në orën 11:30”, tha Genc Gjokutaj. 

Mbrojtja e Berishës pretendon se nëse dokumenti për dënimin e Gjokës është i vërtetë, çdo vendimmarrje e gjyqtares së hetimit paraprak, Irena Gjoka, nuk ka patur legjitimitet.

“Ky dokument, ndër të tjera, vë në dyshim ligjshmërinë e krijimit të Gjykatës. Ne sot njiheshim me këtë dokument. Strasburgu ka thënë që procesi është i cenueshmen në rast se Gjykata nuk është  e formuar me ligj. Një gjyqtar duhet të deklarojë çdo vendim penal. Në rast se është e vërtetë, duhej të deklarohej. E ka thënë gjykata e Strasbugut, në rastin Cani kundër Shqipërisë, përbën gjykatë jo të krijuar me ligj. Nuk është një fakt që nuk dihet që është zotëruar nga Beleri”, tha avokatja Klodiana Gjyzari

Po ashtu, Davidhi u ka rrëzuar edhe kërkesën për revokimin e vendimit të ndërmjetëm të gjyqtares Flojera Davidhi, e cila rrëzoi të gjitha kërkesat e mbrojtjes për pavlefshmëri të akteve, ekspertizën financiare nga një hetues BKH-je dhe jo eksperti të licencuar.

Dërgimi në gjyq i dosjes do të ishte përballja e parë reale e Berishës dhe Malltezit me drejtësinë shqiptare. Berisha ndodhet në masë “detyrim paraqitje” për korrupsion, ndërsa dhëndri i tij Malltezi po hetohet në arrest shtëpie, i pandehur për korrupsion pasiv dhe pastrim parash.

Nga privatizimi i klubit sportiv ku përfitues ishte dhëndri i Berishës, u ndërtuan të paktën 19 kulla pallatesh. Me Berishën e Malltezin të pandehur janë edhe bashkëpunëtorët e tyre, biznesmeni Fatmir Bektashi, i pandehur për “korrupsion aktiv” dhe “pastrim parash”. Akuza e “pastrimit të parave” i është komunikuar edhe ortakut të Malltezit, Xhimi Begeja, trashëgimtar i tokës dhe bashkëpronar i 'Homeplan', si dhe Andia Pustinës, financieres që kryente të gjitha operacionet financiare dhe ligjore të Homeplan.

Dosja 'Partizani', të pandehurit:
-Sali Berisha, ish kryeministër – akuzohet për “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, me Jamarbër Malltezin parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal.
- Jamarbër Malltezi – dhëndri i ish-kryeministrit – akuzohet për  “Korrupsioni pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim me Sali Berishën pasi në marrëveshje me këtë të fundit, duke shfrytëzuar pushtetin e ish Kryeministrit, ka arritur të marrë përfitimet e parregullta! Akuzohet dhe për “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i Kodit Penal
- Fatmir Bektashi - Ndërtuesi akuzohet  “Korrupsionit aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”, parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal dhe 'pastrim parash'
- Xhimi Begeja- Ortaku i Malltezit, trashëgimtar i tokës dhe bashkëpronar i 'Homeplan'  akuzohet për 'Pastrim Parash'
Andia Pustina - Financierja që kryente të gjitha operacionet financiare dhe ligjore të Homeplan sh.p.k -  Akuzohet për 'Pastrim Parash' 

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e publikuar nga Berisha (SHQIP)

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e publikuar nga Berisha (GREQISHT)

Ora 11:34
Seanca në GJKKO për aferën Partizani, avokatja e Berishës paralajmëron tjetër zvarritje: Gjoka e dënuar për falsifikim dokumentesh, nuk e deklaroi! Vendimi u sigurua nga Beleri

Avokatja e Sali Berishës, Klodiana Gjyzari ka folur për mediat para nisjes së seancës paraprake të aferës Partizani. Vetë ajo paralajmëroi se do t’i drejtohen gjyqtares Davidhi me kërkesa të tjera procedurale, duke vazhduar kështu me taktikat e zvarritjes. Avokatja tha se dokumenti është siguruar nga Fredi Beleri, ndërsa Gjyzari ka qenë edhe avokate tij. Dokumenti është publikuar një vit më parë, në mediat greke, tha ajo. 

““Është një dokument i ri siguruar në këtë proces, mban datën 02 maj. Është siguruar përmes kërkesa administrative të Belerit. Ky dokument, ndër të tjera bazuar në praktikën e Strasburgut në rastin e Gjyqtarit Cani, vë në dyshim ligjshmërinë e krijimit të Gjykatës. Ne sot njiheshim me këtë dokument. Strasburgu ka thënë që procesi është i cenueshëm në rast se Gjykata nuk është e formuar me ligj. Një gjyqtar duhet të deklarojë çdo vendim penal dhe kjo përbën shkak për ndërprerjen e mandatit. Në rast se është e vërtetë, duhej të deklarohej dhe e bën gjykatën jo të krijuar me ligj. Është një rrethanë që njihej publikisht, nuk është hetuar nga organet në lidhje me vërtetësinë ose jo të këtij dokumenti. Është siguruar në përputhje me ligjin, nga një palë që cenohej nga vendimet gjyqësore. Ky dokument është siguruar përmes kërkesave administrative. E ka thënë gjykata e Strasburgut, në rastin Cani kundër Shqipërisë, përbën gjykatë jo të krijuar me ligj. Nuk doli tani, ka dalë vitin e kaluar.  Organet ligjore kanë detyrën për të kryer verifikimet, nga momenti i botimit në gazetë vitin e kaluar, kishin 15 ditë kohë për ta verifikuar. Nëse kanë kryer procedurën, pyesni institucionet e tjera.Nuk është një fakt që nuk dihet që është zotëruar nga Beleri"

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Zgjedhjet, a mendoni se partitë e reja do të marrin deputetë në Kuvend?