Sot janë dy familje armike të përbetuara me njëri-tjetran, por Aishe Haklaj ka rrëfyer se me familjen e Sali Berishës ka pasur fillimisht një marrëdhënie miqësore, derisa sipas saj, e mësuan se ishte shitur te serbët dhe rusët.
“Kemi pasur lidhje krejtësisht normale dhe lidhje pothuajse edhe më shumë sesa normale, edhe miqësore. Kemi pasur hyrje-dalje me njëri-tjetrin, familjet dhe kemi pasur edhe takime mes familjarësh, kështu që mund të them se kanë qenë edhe më shumë se normale, edhe miqësore. Por, neve nuk na shkonte mendja kurrë se ai njeri ishte i shitur. Dhe unë mendoj se misioni i tij, i ardhjes së tij në pushtet, ardhja e tij në pushtet ose vënia e tij në krye të demonstruesve ose të studentëve, ishte një mision i tij. Dhe misioni i tij ishte misioni serb ose rus. Me kalimin e kohës, jo në fillimet e tij. Në fillimet e tij e kemi quajtur njeri të etur për pushtet dhe për para. Por me kalimin e kohës, kur gjithçka kaloi në duart e bandave, gjithçka u shkatërrua, gjithçka u degradua, shteti u shpërbë, ne filluam të krijojmë bindjen që ai njeri ishte i shitur dhe pikërisht ishte i shitur te rusët apo te Beogradi”, tha Haklaj.
Prishja e këtyre marrëdhënieve, Aishe Haklaj në intervistën ekskluzive për Report Tv, ka zbuluar se ka ndodhur në vitin 1997.
“Ishin ngjarjet e 1997-s, i cili kërkoi rekrutë tropojanë që të ndihmojnë shtypjen e revoltës së jugut për firmat piramidale dhe ne i jemi përgjigjur negativisht. Edhe thirrje zyrtare përmes zyrtarëve të tij. Dhe ne thamë jo, pavarësisht se edhe zyrtarët e tij, mendoj unë, se nuk kanë qenë të bindur që po i binden një tradhtari të kombit. Jam shumë e bindur sepse kanë qenë shumë prej tyre mjaft dinjitoze, mjaft patriotë dhe s’do ta shisnin kurrë atdheun e tyre dhe gjakun shqiptar. Në përgjithësi Tropoja i ka thënë jo. Por ka pasur edhe nga ata që ndoshta kanë shkuar dhe i kemi përjetuar me shumë dhembje vdekjet e tyre në dhunën, sidomos në qytetin e Vlorës”, tha Aishe Haklaj.
Lajmi kryesor:
Ekskluzive/ Aishe Haklaj: Erdha pas 12 vitesh të kallëzoj në SPAK Sali Berishën për vrasjen e 4 vëllezërve të mi! Kam besim te drejtësia e re (VIDEO)
B.K.//ReportTv.al