TIRANË-Familja Haklaj do të padisë në SPAK Sali Berishën për akuzën e vrasjes së Halil, Shkëlqim, Fatmir dhe Ylli Haklaj! Pas 12 vitesh në azil politik në Suedi, Aishe Haklaj, motra e madhe e Haklajve është rikthyer për pak orë në Shqipëri pikërisht për këtë qëllim. Në një interviste ekskluzive për Report TV, përballë gazetarit Denis Minga, ajo ka rrëfyer arsyet pse familja e saj ka vendosur t’i drejtohet SPAK-ut. Ajo që e ka shtyrë është drejtësia e re, për të cilën tha se ka besim, e ndërsa thotë se nëse nuk hapet çështja, do e çojë deri në gjykatat ndërkombëtare. Që Berisha është autor i 4 vrasjeve, Haklaj thotë se ka prova dhe dëshmitarë.
“Po. Unë kam ardhur që të dërgoj denoncimin e familjes sime në drejtësinë e re shqiptare, e cila quhet SPAK. Denoncim zyrtar, ku kam bërë edhe një prokurë, kemi gjetur edhe dy avokatë dhe do t’i drejtohemi SPAK-ut. Për vrasjet e familjarëve tanë. Po, për vrasjet e katër vëllezërve. (...) Kemi shumë fakte, shumë prova, shumë dëshmi. Jemi dëshmitarë të gjallë të krimeve të Saliut, sepse nuk ma nxjerr goja të them të Sali Berishës. Ne kemi besim tani dhe si rezultat i këtij besimi kam ardhur unë tani. Sepse më përpara drejtësia ka qenë e krimbur pikërisht nga ai njeri. (..) Ne nuk do të tërhiqemi asnjëherë. Edhe kur jemi paraqitur në Suedi, shteti suedez na dha një avokat shumë të zotin, shumë dinjitoz. Dhe edhe atëherë i kemi thënë atij njeriu që ne duam që atë njeri ta çojmë në gjykatat ndërkombëtare. Po, do të drejtohemi edhe andej. Nuk do të pushojmë së kërkuari të drejtën e gjakut të vëllezërve tanë", ka thënë Haklaj.
Në intervistën ekskluzive për Report Tv, Aishe Haklaj ka deklaruar se është detyruar që të shkojë në azil politik në Suedi, pasi shteti nuk i mbronte dot përballë Berishës. Për të përforcuar këtë deklaratë të fortë të saj, ajo ka sjellë në vëmendje një histori se si është survejuar për 4 vite me radhë, nga 2005-2009 nga Berisha, pikërisht nga agjentë dhe punonjës të shtetit.
“Kam qenë nën survejim, kam jetuar në Tiranë nga viti 2005 kur janë larguar familjarët e mi deri në vitin 2009, në korrikun e vitit 2009. 12 vite bëhen tani dhe unë kam qenë e survejuar. Po, ishte Berisha në pushtet, ndaj dhe familjarët e mi, me riardhjen e Berishës në pushtet ishin të detyruar të largoheshin sepse ata e dinin që ai do t’i lante duart me familjen tonë dhe do të bënte atë që ai bëri në të vërtetë. Unë isha e ndjekur në atë kohë hap pas hapi, e survejuar hap pas hapi. Nga agjentët e tij. Agjentët shtetërorë të tij. Po, punonjës shteti”, ka deklaruar ajo.
Nuk ka lënë pa komentuar edhe shpalljen e Berishës ‘Non Grata’ nga SHBA, duke thënë se e dinte që “do i vinte dita një ditë”. Megjithatë, përtej zemërimit që ka ndaj Sali Berishës, Aishe Haklaj thotë se ndaj tij, kërkojnë vetëm drejtësi, dhe kurresesi hakmarrje. Teksa ka folur për një dokument që i kanë dërguar SHBA-së në 2006 që mund të jetë marrë për bazë nga DASH, për futjen e Berishës në listën e zezë, vajza e madhe e familjes Haklaj tha se është gati të dëshmojë që ish-kryeministri është jo vetëm i korruptuar, por edhe vrasës.
Tragjeditë që ka përjetuar në të kaluarën, i ka hedhur pas krahëve, për të jetuar një të tashmë të qetë në Suedi, që është bërë atdheu i saj i dytë, megjithatë intervistën e thënë se “nuk ka frikë nga vdekja”...
VIDEO/ Intervista e plotë me Aishe Haklaj në Repolitix
Në fund të intervistës, Aishe Haklaj ka zbuluar për jetën e saj në Suedi, ku ka përfituar azil politik. Ajo sot është mësuese e gjuhës suedeze teksa rrëfen se ka një jetë të qetë. “Nuk kam frikë të vdes”, e ka mbyllur intervistën e saj në Report Tv.
Zonja Haklaj, ju keni qenë, me sa di, keni dhënë mësim apo jo, gjatë viteve në Shqipëri. Fizikë, mos gaboj?
Kam dhënë ciklin e ulët. Jam arsimtare e shkolluar për ciklin e ulët.
Në vend.
Në Shqipëri.
Ndërkohë në Suedi, çfarë?
Edhe në Suedi.
Cili është aktiviteti, jeta juaj? Vazhdoni të jepni mësim sot?
Unë jap në profesionin tim. Unë punoj si mësuese e ciklit të ulët në Suedi. Pavarësisht se nuk e kam akoma të legjitimuar gjuhën suedeze, unë e jap edhe gjuhën suedeze.
Bëni një jetë të qetë apo edhe aty e keni këtë ankthin e këtij kalvari të vështirë që ka kaluar familja juaj?
Unë bëj një jetë të qetë. Dhe unë thashë se nuk e kam frikë vdekjen. Unë mund të vdes pa pyetur fare. Dole të më vrasësh, do të më vrasësh. Unë s’pyes fare. Unë bëj një jetë të qetë dhe unë mendoj të eci përpara, nuk mendoj pas, nuk e kthej kokën pas, si ajo bagëtia që e kthen kokën kështu, ujkun sa hapa ka hedhur, sepse e kam mësim nga gjyshi im dhe të gjithë e kemi pasur mësim nga gjyshi ynë që shohim përpara. Po shikove prapa, do ngelesh prapa. Dhe nuk duam të ngelemi prapa, shohim përpara.
Aishe Haklaj ka hedhur akuza edhe në drejtim të Ilir Metës, sot president, në atë kohë kryeministër. Në intervistën e dhënë për Report Tv, Aishe Haklaj thotë se ai nuk ka reaguar për të vënë përpara drejtësisë fajtorët për vrasjen e vëllait të katërt të saj.
“Në kohën kur Ilir Meta ka qenë kryeministër, na është vrarë vëllai i katërt i yni. Dhe ne kemi pritur që qeveria e asaj kohe të vërë dorë dhe të vërë dikë para drejtësisë. Por fatkeqësisht nuk është bërë asnjë hap”, tha Aishe Haklaj.
Për herë të parë, Aishe Haklaj ka zbuluar për herë të parë për Report Tv se në vitin 2006, kur familja e saj ndihej e kërcënuar nga Sali Berisha, që tashmë kishte rimarrë pushtetin, i kanë dërguar një letër Ambasadës së SHBA-së. Në këtë letër, ajo ka zbuluar se i kërkonte SHBA-së ndihmë, teksa kishte renditur të gjitha krimet që Beosha sipas saj i kishte bërë familjes Haklaj, Kjo letër, ajo thotë se ndoshta mund t’i ketë shkuar DASH, që kanë mbërritur deri te vendimmarrja për ta shpallur non grata?
"Unë po e shikoj me shumë optimizëm qëndrimin e ambasadores amerikane Juri Kim sepse në 2006-n, kur Sali Berisha doli sheshit, kur e mori pushtetin edhe njëherë dhe na dha dorën e fundit, u detyruam të largohemi, bëri ato që bëri kundër familjes sonë, ne përveç mediave, sepse shteti nuk po reagonte, as i majti as i djathti, për arsyet që unë i thashë, iu drejtuam edhe Ambasadës Amerikane në atë kohë, në 2006-n, dhe besoj se mund të jetë ndonjë dokument të cilin atje e kemi dërguar. Ambasadore amerikane ishte atëherë Marsi Ris. Dhe i kemi përmbledhur të gjitha. Një material ku i drejtoheshim për ndihmë, për krimet shtetërore të Sali Berishës që po bënte ndaj familjes sonë. Dhe akuzonim nga fillimi deri në fund Sali Berishën dhe shtetin e kriminalizuar të tij. Ky material mund të jetë pjesë e atij grumbulli materialesh dhe nga ambasada mund t’i ketë shkuar Departamentit, që ka ardhur te vendimmarrja për ta shpallur non grata? Ne nuk e dimë, por që atëherë ne kemi pritur. Nuk ishte diçka e papritur. Kisha një shpresë te natyra, thashë, dhe kisha një shpresë që secili do të japë llogari për veprimet e tij të jetës, secili, jo vetëm ai, por secili prej nesh një ditë do të japë llogari për veprimet e tj të jetës. Dhe ajo ka filluar, mendoj unë. Dhe kam shumë besim te shteti amerikan dhe tek ambasadorja Juri Kim sepse më duket një ambasadore shumë aktive, e cila po godet vërtet aty ku duhet sepse drejtësia është ajo që mund t’i japë një drejtim tjetër vendit tonë, sepse vërtet vendi ynë është mjaft i bukur”, tha Aishe Haklaj.
Për Sali Berishën, familja e Aishe Haklajt kërkon vetëm drejtësi! Jo hakmarrje. Për të hakmarrja është një mjet primitiv, që nuk është në mendjen e familjarëve të saj sot e kësaj dite.
“Jo, nuk e kanë këtë ide. Fëmijët nuk e kanë këtë ide. Tani po rriten me një frymë tjetër dhe, edhe ne nuk duam që ajo hakmarrja të vazhdojë. Hakmarrja është mesjetare. Mesjetën na e solli Saliu. Ne e kishim harruar hakmarrjen, për 50 vite. Ishim të mbyllur, kishim luftën e klasave, u mor prona, ama nuk kishim hakmarrje. Ekzekutonte shteti, por ne nuk e dinim se kush i ekzekutonte ata njerëz. Pra nuk kishim një urrejtje për njëri-tjetrin. Ne kemi jetuar, familja e Haki Hoxhës, e atij që ka vrarë Shkëlqim Haklajn, ka qenë e persekutuar. Ne kemi qenë në pozicione të ndryshme me familjen e Haki Hoxhës në monizëm. Ne kemi jetuar në Tropojë dhe kurrë nuk kemi pasur mosmarrëveshje ose kurrë familja Haklaj, e cila ndoshta ka pasur mundësi, nuk i është kundërvënë familjes Hoxha dhe asnjë familjeje që ka qenë, nuk ma nxë goja tani ta them, e deklasuar, se në atë kohë deklasoheshin dhe quheshin të persekutuar. Ata ishin njerëz sikur ne, por ishte regjimi që e bënte një gjë të tillë. Nuk ka një familje tropojane që të thotë dhe të tregojë që ne kemi qenë spiunë, që ne i kemi persekutuar. Ne nuk kemi qenë në krahun e shtetit për t’i shtypur e dhunuar ato. Ne kemi qenë në krahun e tyre. Po. Gjithçka e kërkojmë me drejtësi. Edhe në raport me Berishën. Hakmarrja është primitive. Ne nuk donim dhe nuk duam që mesjeta të ulet këmbëkryq në trojet shqiptare. Jo. Ai e ktheu mesjetën. Ishin mendimet e atij njeriu, ishte koka e atij njeriu që solli mesjetën edhe njëherë në shekullin e 20-të në Shqipëri. Por ne nuk jemi për hakmarrje. Ajo është mesjetare”, rrëfen Aishe Haklaj.
Për Report Tv, Aishe Haklaj ka rrëfyer se si e imagjinon fundin e Sali Berishës.
“Të ardhmen e Sali Berishës e shikoj jo ashtu siç mendon ai. Dhe unë mendoj se tani Sali Berisha, ka ardhur koha me këtë drejtësinë e re dhe me goditjen që po i bëhet korrupsionit dhe me këtë goditjen që i ka bërë Departamenti Amerikan i Shtetit, ne mendojmë se ka ardhur koha që ai njeri të mos jetë më i paprekshëm. Dhe ne mendojmë se ka ardhur koha që të paprekshmit të mos jenë më të paprekshëm”, tha Aishe Haklaj.
Ardhja e Aishe Haklaj në Shqipëri, pas 12 vitesh, ka një motiv të fortë. Ekskluzivisht për Report Tv ka zbuluar se ka ardhur në atdhe për të denoncuar në SPAK Sali Berishën për vrasjen e 4 vëllezërve të saj. Për këtë , ajo thotë se ka prova dhe dëshmitarë të pakontestueshme që Berisha është vrasësi, organizatori, ideatori dhe vrasësi i vëllezërve të saj që janë të gatshëm të dëshmojnë. Në marrjen e këtij vendimi, Aishe Haklaj thotë se ka ndikuar drejtësia e re, tek e cila ka besim.
“Po. Unë kam ardhur që të dërgoj denoncimin e familjes sime në drejtësinë e re shqiptare, e cila quhet SPAK. Denoncim zyrtar, ku kam bërë edhe një prokurë, kemi gjetur edhe dy avokatë dhe do t’i drejtohemi SPAK-ut. Për vrasjet e familjarëve tanë. Po, për vrasjet e katër vëllezërve.
Po. Sepse edhe në qoftë se ata do të thonë që kanë kaluar shumë vite, ne kemi denoncuar vit pas viti, rast pas rasti dhe nuk kemi pushuar, nuk kemi reshtur së denoncuari, pavarësisht se shteti shqiptar nuk ka funksionuar. Dhe ne mendojmë se ai, se shteti shqiptar nuk ka funksionuar si rezultat i ekzistencës së organizatës kriminale të Sali Berishës ose si rezultat i uzurpimit të shtetit shqiptar nga Sali Berisha, nga agjenti, nga i shituri Sali Berisha, nga krimineli, nga vrasësi Sali Berisha, i cili nuk ka vrarë vetëm familjen Haklaj, por ka vrarë, po vret edhe shqiptarët që po vriten sot rrugëve, djemtë e rinj që po vriten sot rrugëve, me armët që ai ka hedhur në rrugë dhe me të gjithë atë urrejtje që ai ka krijuar mes popullit të tij. Ai ka krijuar një urrejtje që ndoshta do të shkojë edhe 100 vite, Saliu nuk do të ekzistojë, ku ajo urrejtje do të vazhdojë të ekzistojë.
Ai ka mbjellë një urrejtje të paparë, e cila do të ekzistojë mendoj unë. Ne kemi prova, kemi fakte, kemi dëshmitarë që dëshmojnë se Sali Berisha është vrasësi, organizatori, ideatori dhe vrasësi, pavarësisht se me duart e kujt i ka vrarë vëllezërit tanë.
Po, ne jemi të bindur. Kemi shumë fakte, shumë prova, shumë dëshmi. Jemi dëshmitarë të gjallë të krimeve të Saliut, sepse nuk ma nxjerr goja të them të Sali Berishës. Ne kemi besim tani dhe si rezultat i këtij besimi kam ardhur unë tani. Sepse më përpara drejtësia ka qenë e krimbur pikërisht nga ai njeri. Ajo ka qenë e uzurpuar, ajo ka qenë e komanduar, ajo ka qenë e përdorur pikërisht nga Sali Berisha. Ai nxirrte gjyqtarë dhe prokurorë për 2 muaj, te Plepat e Durrësit, dhe ata bëheshin të bindurit e tij dhe të komanduarit e tij. Unë kam pasur rastin të ndjek gjyqet e të mbijetuarve të familjes dhe i kam filluar nga Tropoja, nga Gjykata e Tropojës, dhe kam edhe dokumente që Gjykata e Tropojës ka lëshuar një urdhër kontroll banese për kontrollin e banesës sime sepse kërkoheshin fakte dhe prova që unë të burgosem. Dhe nuk kërkoheshin fakte dhe prova që të viheshin para përgjegjësisë ata që po bënin krime, edhe ndaj banesës, edhe ndaj varreve, por Sali Berisha dhe pushteti i tij kërkonte fakte dhe prova që të më burgoste mua dhe të më mbyllte gojën që të mos i denoncoja rast pas rasti ngjarjet që ai po bënte. Ne kemi të dhëna dhe fakte e prova që ato krime i ka bërë policia e Sali Berishës”, tha thënë Aishe Haklaj ekskluzivisht për Report Tv.
Ajo thotë se për këtë janë të gatshëm të dëshmojnë edhe anëtarët e tjerë të familjes së saj, përfshirë edhe motrën Zylfie Haklajn, teksa thotë se do ishte e gatshme të vinte në Shqipëri, sa herë t’i kërkohej.
“Po, të gjithë jemi të gatshëm të dëshmojmë. Nëse do të kërkohet, ne jemi të gatshëm të dëshmojmë dhe kemi shumë fakte dhe shumë prova që ai njeri, në të vërtetë është me duar të lyera me gjak, jo vetëm me familjen tonë por me gjakun e shqiptarëve, këtej dhe andej kufirit”, ka thënë Aishe Haklaj.
Ndonëse ka besim te drejtësia e re, megjithatë nëse nuk ka një vendim, ajo ka zbuluar se çështja nuk do të mbyllet, por do të shkojë deri në gjykata ndërkombëtare.
“Ne nuk do të tërhiqemi asnjëherë. Edhe kur jemi paraqitur në Suedi, shteti suedez na dha një avokat shumë të zotin, shumë dinjitoz. Dhe edhe atëherë i kemi thënë atij njeriu që ne duam që atë njeri ta çojmë në gjykatat ndërkombëtare. Po, do të drejtohemi edhe andej. Nuk do të pushojmë së kërkuari të drejtën e gjakut të vëllezërve tanë”, ka zbuluar Aishe Haklaj.
Aishe Halkaj ka komentuar për herë të parë ekskluzivisht për Report TV shpalljen e Sali Berishës ‘Non Grata’. Përballë gazetarit Denis Minga, Haklaj tha se e “e dinte që atij njeriu do i vinte dita një ditë”, teksa ka deklaruar se është gati të dëshmojë kundër tij, jo vetëm për korrupsion, por edhe “se është vrasës”.
“Unë nuk është se jam fetare, jam ateiste pothuajse, por kisha një besim në natyrë, në ligjet e natyrës, përderisa jam njeri ateist, që do t’i vijë dita edhe atij njeriu që t’i paguajë. Sepse edhe Enveri qëndroi 50 vite, por dolën të gjitha. Edhe mendoja, kemi pasur një gjysh që mendonte se asnjë, na thoshte gjithmonë, pavarësisht se ishte Enver dhe ishte prej 50 vitesh ne nuk kemi pasur konsekuenca. Janë përjashtuar xhaxhallarët nga partia, por jo konsekuenca të mëdha. Dhe gjyshi na thoshte gjithmonë: “Unë kam parë shumë”. Ai e quante me atë gjuhën popullore shumë hyqymete. “Unë kam parë shtatë hyqymete, kështu që asnjë shtet, - thoshte, - nuk është i përjetshëm”. Dhe, ku e di unë, kisha një bindje. Ai na ka bërë një shkollë, gjyshi, një shkollë të jetës të thuash, dhe unë kam qenë 20 vjeçe kur ai ka vdekur dhe fjalët e tij edhe sot më shërbejnë në jetën e sotme, në shekullin e 21-të, më shërbejnë. Dhe thoshte: “Asnjë shtet nuk është i përjetshëm”. “Asnjë regjim nuk është i përjetshëm” dhe thoshte që “njeriu shkon, shkon, por dikur do ta tregojë veten, nuk do ta kamuflojë personalitetin e tij deri në vdekje”. Berisha është vrasës dhe vrasjet e tij dhe krimet e tij i pashë me sytë e mi. Ai deshi të më burgosë, ai më survejoi, ai më dogji banesën, ai më dhunoi varret, ai më vrau familjarët e mi, ai hodhi në Interpol të mbijetuarit e familjes, ai hapi gjyqe, njëkohësisht hapi gjyqe ndaj familjarëve të mbijetuar dhe njëkohësisht u hakmor në tre breza. Edhe vajza ime, e cila ka qenë police në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, ai e përjashtoi, dy ditë pa u kontrolluar banesa në Haklaj nga policia e Berishës. Kështu që ai njeri na hoqi nga puna, ma hoqi vajzën nga puna nga Policia, më hoqi mua nga puna. Ai bëri një, u përpoq të na shfaroste nga shfaqja e dheut. Kështu që unë tani kam bindjen dhe mund të dëshmoj para kujtdo që ai njeri jo vetëm që është i korruptuar, ai njeri është vrasës dhe ai njeri tradhtinë kombëtare e peshon me gjakun e derdhur të shqiptarëve”, tha Aishe Haklaj për Report Tv.
Aishe Haklaj ka qenë ndër personat e parë që ka takuar Fatmir Haklajn pas vrasjes së Azem Hajdarit, i cilësuar si vrasja e shekullit në vendin tonë. Duke shfajësuar vëllanë e saj, Aishe Haklaj ka deklaruar se Fatmiri nuk ka pasur për qëllim që të vriste Azem Hajdarin, por i ka dalë situata nga duart.
Pyetja është, çfarë kërkonte Fatmiri më 12 shtator nga Azem Hajdari? Apo Azem Hajdari doli rastësisht aty?
Fatmiri nuk e ka kërkuar Azem Hajdarin. Ai nuk donte ta takonte Azem Hajdarin.
Po pse erdhi në Tiranë atëherë?
Fatmiri ka thënë një fjalë, sapo ai është shfaqur: “Po ky, çfarë do këtu?”. Dhe ai nuk e priste Azem Hajdarin. Ne nuk e dimë se kush e ka nxjerrë, por dyshojmë se e ka nxjerrë Saliu. Pse, mund të thoni ju, e ka nxjerrë Saliu? Sepse Saliu do t’i ketë thënë që ti ke bërë marrëveshje me ata, ti je takuar me ata, dil tani dhe takoi. Dhe Fatmiri nuk e ka kërkuar Azem Hajdarin që ta takojë. Ai priste një njeri tjetër dhe do të merrte një dokument, një material, jo të takonte Azem Hajdarin.
Çfarë materiali kërkonte Fatmir Haklaj atë ditë?
Me sa di unë, një kasetë. Unë e kam takuar pas vrasjes së Azem Hajdarit. Ishte në gjendje të shokuar. Kuptohet që i kishte dalë situata nga dora. Kuptohet që kishte ndodhur diçka e paparamenduar dhe unë e kam vënë para përgjegjësisë.
Ishte penduar për atë vrasje?
Ishte i shokuar. Ishte i shokuar dhe kur i thashë unë: “Pse? Dua të jepni llogari, me vete ke pasur edhe njerëz të tjerë, ke marrë në qafë edhe njerëzit që ke pasur me vete. Njeriu mund ta llogarisë që të vdesë vetë, por s’dua të marr në qafë njerëz rreth e rrotull”, ai tha: “Jaho më doli përpara dhe theu gishtin” edhe Jaho ma ka treguar gishtin e vogël të dorës, i cili ishte thyer në përpjekje e sipër. Nuk më kujtohet a ka qenë dora e djathtë apo dora e majtë. Ndoshta e djathta sepse me të djathtën reagoi, ndoshta, por unë e kam parë me sytë e mi dhe ndoshta edhe atje në burg akoma sepse e ka pasur të deformuar. Tha: “Ky e pësoi lehtë sepse theu vetëm gishtin, kurse tjetri e pësoi me plumba në gjoks”.
Po pse doli përpara, për ta ndaluar?
Po. Sepse nuk ishte ai plani. Nuk ishte ai plani.
Po cili ishte plani zonja Haklaj? Unë e kuptoj këtë që ju thoni, për të marrë një kasetë, por të vish në Tiranë i armatosur, ka edhe dyshime të tjera apo jo?
Atëherë ishin vite të vështira që nuk mund të lëvizje i paarmatosur. Ndoshta edhe për femrat ishin vite të vështira që të lëviznin të paarmatosura sepse në mes të rrugës mund të grabiteshe, mund të plaçkiteshe, mund të dhunoheshe, dhe ishin vërtet vite të vështira. Dhe nuk ishte qëllimi i tij, nuk ishte qëllimi i tij. Shoku i tij, që e kishte marrë me vete, ka vdekur në vendngjarje.
Megjithatë ka pasur një lloj ideje ose një skenar, që Fatmir Haklaj mund të kishte ardhur për Berishën. Këtë e konfirmoni apo jo?
Ai nuk është shprehur, por di të them që ai njeri ishte i shokuar. Ishte totalisht i shokuar. Situata i kishte dalë nga dora dhe njeriu me të cilin ishte përballur, nuk kishte dashur të përballet dhe kishte nxjerrë edhe fjalë, por nuk i kishte pyetur shokët e tij, nuk i kishte qasur pavarësisht se njëri i ka dalë në anën e majtë dhe tjetri në anën e djathtë dhe të dy e kanë pësuar, pavarësisht se njëri është i vdekur dhe tjetri është në burg. Ato janë vetëm mashtrimet e Saliut që e ka menduar ndoshta ose ose, nuk e di, ai nuk e ka përmendur emrin e autorit të vërtetë. Nuk e ka përmendur emrin e Fatmirit, kur ai e pohoi vetë me gojën e tij: “Unë e vrava sepse ai deshi të më vriste. Unë e vrava në vetëmbrojtje e sipër. Ai kishte dy badigardë të armatosur, vetë ishte me pistoletë me silenciator në dorë dhe unë e vrava për vetëmbrojtje. Nuk prita që të komunikoj me të sepse nuk i besova, me armë në dorë”.
Për vrasjen e vëllait të saj, Shkëlqim Haklaj, Aishe Haklaj drejton gishtin nga Sali Berisha. Për këtë i referohet edhe dëshmisë së Azem Hajdarit, ku ky i fundit i kishte rrëfyer babait të saj, Muharremit se ai nuk ka pasur asnjë motiv për ta vrarë, duke drejtuar gishtin nga Sali Berisha. Kjo deklaratë e tij, për Aishe Haklajn ishte e besueshme, pasi siç ajo deklaron për Report Tv, Azem Hajdarit familja Haklaj nuk i kishte bërë asgjë, ndërsa Berishës po, nuk i ishte përgjigjur kërkesës së tij absurde siç e quan për të shtypur revoltën në jug.
"Ne raportet i kishim normale dhe ne mendonim që shumë prej njerëzve të afërt të tij, ishin edhe krahu i armatosur i tij, por nuk kishim të dhëna, si të thuash, ose prova ose fakte për atë njeri. Dhe takimi që babai ynë bëri me atë njeri, para vrasjes së tij, 10 ditë përpara, tregoi se ai drejtoi gishtin...Po. Ai drejtoi gishtin nga Sali Berisha dhe për ne ishte shumë bindëse sepse edhe përpara ne thoshim që... Takimi synonte pikërisht për të kuptuar për vrasjen e Shkëlqimit se ishte autori i vrasjes. Takimi ishte për të mësuar nëse ishte vrasja e Shkëlqim Haklajt e inicuar nga Berisha apo ishte vrarë nga banda, të cilave u interesonte. Dhe gishti është drejtuar pikërisht te Sali Berisha. Ai kishte një kasetë. Ky harku kohor 10 ditor është që donin të takonin edhe një person tjetër ose të merrnin një kasetë. Ata kishin mbaruar punë me Azem Hajdarin. Tani ishim më se të bindur, sepse Azem Hajdari kishte thënë: “Çfarë më keni bërë ju mua, që unë t’ju kem bërë një gjë të tillë?”. Kurse Saliut i kishim bërë sepse nuk i ishim përgjigjur.
Azem Hajdari kishte thënë që ju nuk më kishit bërë mua diçka, që unë t’ju vrisja djalin juve. “Dhe unë nuk ju kam asnjë borxh”. Në të vërtetë ne e besuam. Pse e besuam? Se në të vërtetë, ai nuk na kishte bërë diçka dhe ne nuk i kishim bërë diçka atij njeriu, që ai të na vriste djalin. Dhe Azem Hajdari nuk e kishte kërkuar vëllanë tonë. E kishte kërkuar pikërisht Saliu. Kështu që edhe logjika të dërgonte, të tregonte që në të vërtetë vrasësi ishte Sali Berisha. Ne pothuajse ishim të bindur edhe më përpara që ai nuk ishte vrasësi. Ne kishim bindje që ishte Saliu. Por ne po hulumtonim ndoshta kë kishte përdorur Saliu, sepse që nuk ishte Azem Hajdari organizatori ishim më se të bindur. Ai nuk ishte organizatori, ai nuk ishte vrasësi, ai nuk ishte financuesi. Organizatori, ideatori dhe vrasësi ishte Sali Berisha. Ai kishte vrarë me duart e bandave të tij ose me duart e organizatës së tij kriminale”, ka zbuluar Aishe Haklaj.
Në intervistën ekskluzive për Report Tv, Aishe Haklaj ka bërë deklaratën e fortë duke thënë se ajo ka qenë nën survejim nga 2005-2009 kur u largua nga Tropoja dhe u zhvendos në Tiranë. Për këtë ajo thotë se ka prova se si ndiqej hap pas hapi nga agjentë të shtetit. Përballë gazetarit Denis Minga, Aisha Haklaj ka rrëfyer edhe një moment, bëhet fjalë për gjatë vizitës së Berishës në Tropojë, ku thotë se pas saj, në çdo lëvizje që bënte kishte pas një burrë të gjatë 2 metra, që edhe sot e kësaj dite nuk ia harron fytyrën. Pyetur se përse Berisha duhet ta bënte këtë, Aishe Haklaj ka deklaruar se ajo ishte dëshmitare e krimeve të Berishës, teksa rrëfeu se ky i fundit ka tentuar që ta burgosë, por nuk ia ka dalë. Me riardhjen e tij në pushtet, Haklaj rrëfen se është larguar nga Shqipëria, ku mori azil politik në Suedi, pasi shteti shqiptar nuk e mbronte dot familjen e saj.
“Deri në atë vit, vëllai i madh që jeton, edhe Shkëlqimi që është vrarë pikërisht nga Sali Berisha dhe marrëveshjet e tij, ishin demokratë. Shkëlqimi e kishte kërkuar edhe teserën e Partisë Demokratike, por nuk i ishte dhënë sepse ishte parë me dyshim, se kemi qenë familje komunistësh. Kurse pjesa tjetër nuk ishim për demokraci. Dhe unë kam një nga ata pjesëtarët e familjes që pothuajse deri shumë vonë nuk e besoja që një drejtues shteti mund të jetë kriminel, mund të vrasë qytetarët e tij. Ndërgjegjja ime nuk e pranonte, por arrita deri në atë pikë që unë i pashë me sy krimet e tij dhe i preka me dorë krimet e tij, i cili është përpjekur të më burgosë, të gjejë edhe prova që nuk ekzistonin që të më burgosë dhe ndoshta edhe unë do të kisha përfunduar atje ku ka përfunduar Remzi Hoxha. Kam qenë nën survejim, kam jetuar në Tiranë nga viti 2005 kur janë larguar familjarët e mi deri në vitin 2009, në korrikun e vitit 2009. 12 vite bëhen tani dhe unë kam qenë e survejuar. Po, ishte Berisha në pushtet, ndaj dhe familjarët e mi, me riardhjen e Berishës në pushtet ishin të detyruar të largoheshin sepse ata e dinin që ai do t’i lante duart me familjen tonë dhe do të bënte atë që ai bëri në të vërtetë. Unë isha e ndjekur në atë kohë hap pas hapi, e survejuar hap pas hapi. Nga agjentët e tij.
Agjentët shtetërorë të tij. Po, punonjës shteti. Pikërisht edhe ditën që ai ka shkuar në Tropojë, isha akoma unë këtu, më 2009 më duket se ka shkuar në Tropojë, pa 11 vitesh ishte diçka e tillë, unë kam pasur një njeri 2 metra burrë gjithë ditën pas vetes dhe kam edhe dëshmitarë për këtë. Dhe deri diku e di edhe se kush është ai dhe nuk e kam harruar dhe nuk do ta harroj kurrë surratin e atij njeriu. Dhe unë kam hyrë në një noteri, unë po vazhdoja punët e ditës. Por Sali Berisha e dinte se çfarë ka bërë ndaj familjes sonë dhe ai e kishte parë të arsyeshme.
Kishte frikë. Kur e di se çfarë ke bërë, mund t’i mendosh. Edhe unë po të kem bërë një krim, mund ta mendoja krimin. Unë nuk e kam frikë vdekjen. Edhe po të më vrasë njeriu, unë i them s’të kam borxh, nuk të kam vrarë dhe unë do të vdes shumë dinjitoze. Unë nuk e kam frikë vdekjen, fare. Nuk i kam lyer duart me gjak, nuk i kam sjellë njeriu vdekje, dhe do të vdes shumë me dinjitet, nuk e kam aspak frikë vdekjen. Por ai njeri e ka kuptuar që ne e kemi marrë vesh se ai na ka vrarë”, ka deklaruar Aishe Haklaj.
Hapjen e depove të armës në 1997, Aishe Haklaj e konsideron si një tradhti kombëtare jo vetëm ndaj Kosovës, por edhe shtetasve shqiptarë. Ajo tha se Berisha u ka shitur kosovarëve dhe UÇK-së armët që mund t’ia jepte në mënyrë zyrtare, teksa më e rënda sipas saj ishte furnizimi me armë i serbëve në një kohë që Kosova luftonte kundër tyre.
“Ndarja e armëve ka qenë një tradhti kombëtare sepse ato armë drejt Kosovës u dërguan me para dhe shteti mund t’i dërgonte në mënyrë shtetërore, pa para. Ata po rrezikonin shfarosje, kurse ne po u shisnim vëllezërve tanë, ata që u kanë shitur, armët që i kishin marrë në depot shtetërore. Ato armë mund të dërgoheshin përmes shtetit, në mënyrat e tyre, me marrëveshjet e tyre, por duhej të ishin marrëveshje shtetërore sepse edhe Kosova kishte ato, si të thuash, institucionet e saj, kishte një president në atë kohë, kishte një qeveri në ekzil në atë kohë, u krijua më pas UÇK-ja, e cila po përpiqej të luftonte kundër regjimit të Millosheviçit. Por, ndarja e armëve në Shqipëri, hapja e depove të armatimit, ishte një tradhti kombëtare. Jo vetëm tradhti kundër trojeve të Kosovës, ishte një tradhti kombëtare edhe për shqiptarët e Shqipërisë, edhe për shqiptarët e Kosovës. Unë e bëj përgjegjës Berishën 100%. Atij nuk i dilte asgjë jashtë kontrollit. Ai e ka bërë me paramendim edhe arsyet e tij ishin këto: në radhë të parë ai i ka dërguar armatime dhe naftë, armatime të rënda, të cilat ne nuk ua jepnim dot vëllezërve tanë, ato jepeshin vetëm përmes shtetit, ai ka dërguar armatime të rënda ndoshta jo vetëm në Serbi, por edhe në shtete të tjera dhe ai duhej që t’i mbulonte se ndoshta e mendonte që një ditë do të numërohej grosha nga një kokërr, i themi ne andej nga anët tona. Dhe që të mbulojë atë krimin që ai kishte bërë, atë shitjen e armëve dhe unë jam shumë e bindur tani që shitja e atyre armëve që ai njeri ka bërë, ka hyrë në xhepin e atij njeriu ose në xhepin e familjes së tij”, tha Haklaj në intervistën e dhënë përballë gazetarit Denis Minga në Report TV.
Vrasjet e ndodhura së fundmi në vendin tonë, përshirë masakrën me 4 viktima në Velipojë, Aishe Haklaj bën fajtor Sali Berisha, pasi ai hapi depot e armëve. Ajo thotë se Berisha ishte komunist dhe nuk kishte anjë lidhje me demokracinë, madje shkon edhe më tej duke thënë se e mori pushtetin nga Ramiz Alia pa gjak dhe më pas hodhi gjakun në themelet e demokracisë.
“Sali Berisha ka qenë komunist për 25 vite dhe ka të dhëna dhe prova që ai njeri ka qenë edhe spiun i Sigurimit të Shtetit. Por ai ka marrë pjesë edhe në gjyqe në atë kohë si spiun, ku ka pasur edhe pasoja të rënda, deri me humbjen e jetës së njerëzve. Dhe brenda një nate, ai njeri u zgjua demokrat. Pra, të gjitha bindjet e tij komuniste, që ai kishte për një jetë të tërë, ai brenda një nate u zgjua demokrat dhe parrulla e tij ishte “të luftojmë komunizmin, ta shfarosim komunizmin”, thoshte dhe ngrinte dy gishtat lart. Dhe ne nuk po e kuptonim se cilin komunizëm donte ai të shfaroste. “Të shfarosim komunizmin”, ai ishte vetë komunisti, ai ishte më i devotshmi se të gjithë të tjerët, në një kohë që Ramiz Alia me zgjuarsinë e tij, e dorëzoi pushtetin. E kishte mbajtur për shumë vite dhe mendonim se ai do të derdhte gjak sepse komunistët ishin mësuar që ta mbanin për vete, për 50 vite. Ai e dorëzoi pushtetin pa gjak, kurse ky e filloi pushtetin e tij me gjak. Hodhi në themelet e demokracisë gjak dhe gjaku i tij nuk mbaroi, nga fillimi në Shkodër me Arben Brocin e deri në ditët e sotme sepse edhe në ditët e sotme, njerëzit dhe shqiptarët që po vrasin njëri-tjetrin, unë mendoj se janë si pasojë e politikës së atij njeriu, e politikave të gabuara që ai njeri i hodhi armët në rrugë. Atje ku jam unë ndoshta duhet të shpenzosh shumë që të blesh një armë, ndoshta duhet të bësh shumë makinacione që të kesh një armë në dorë dhe nuk mund t’i shpëtosh policisë, kurse këtu ai i hodhi armët përtokë. Po për 1997-n. edhe tani ato armë janë në banesat e shqiptarëve”, tha ajo.
Aishe Haklaj ka rrëfyer në intervistën ekskluzive për Report Tv, mendimin që ka pasur babai i saj, Muharremi për Sali Berishën. Sipas saj, Muharrem Haklaj e shihte Sali Berishën si antikombëtar dhe për këtë mendim kishte arsye bindëse.
“Në fillimet e tij ne nuk mendonim që ai njeri mund të ishte antikombëtar. Por me kalimin e kohës gjithçka të dërgonte atje ku të krijohej përshtypja, sidomos para shpërthimit të luftës së Kosovës, të krijohej përshtypja. Filluan të vriteshin edhe pjesëtarë të UÇK-së, filluan të zhdukeshin njerëz. Halili, vëllai ynë, vëllai i dytë i yni, e ka njohur Remzi Hoxhën. Dhe ne e dinim me 100% që ishte ndër patriotët më të mëdhenj që kishte Kosova. Dhe ai u zhduk. Çdo ditë, dita-ditës të krijohej përshtypja. Edhe transportimi i naftës, shitja e armatimeve, gjithçka të dërgonte atje që ai njeri ishte i shitur, ai njeri kishte një motiv, ai njeri kishte një mision. Prandaj nuk mund t’i përgjigjeshe”, tha Haklaj.
Aishe Haklaj ka folur me detaje për tentativën e babait të saj, Muharrem Haklaj, për takimim me Sali Berishën. Ajo ka zbuluar se pas refuzimit të Berishës për ta pritur babanë e saj, kjo familje mori mesazhin se ish- kryeministri “ishte Zoti dhe mund të bënte ç’të donte. Prandaj s’kishte pse të bisedonte me ta’.
Ju në fakt, kur flitet për familjet në veri të vendit, flitet edhe për një lloj tradite të fortë, ku shpeshherë, kur ka tensione që shkojnë edhe në gjakderdhje, zakonisht tentohet edhe një lloj pajtimi, një lloj dialogu. Besoj se ju e dini më mirë sesa unë.
Po.
Është tentuar ndonjëherë që të ulen gjakrat, qoftë edhe nëpërmjet kontakteve me familjen Berisha? Apo nuk ka qenë asnjëherë opsion?
Po. Babai ka shkuar ta takojë.
Në ç’vit?
Ndoshta para 1997-s, nuk më kujtohet viti faktikisht, por
Pse shkoi ta takonte, se atëherë situata nuk ishte
Sepse kishin filluar mosmarrëveshjet dhe ai njeri na dukej sikur kishte filluar lëvizjet e tij kundër familjes. Por tani nuk po më kujtohet mirë viti se kur ka shkuar. A ka shkuar në 1997-n, a në 1998-n, nuk më kujtohet.
Erdhi në Tiranë babai juaj?
Erdhi në Tiranë dhe është afruar aty deri afër ka shkuar që ta takojë. Një herë ka thënë po, ka pranuar dhe si përfundim, nuk ka pranuar ta takojë.
Qëllimi ishte që të uleshin.
Të uleshin në bisedime.
Të kuptohej se çfarë po ndodhte apo jo?
Të uleshin në bisedime dhe t’i tregonin atij njeriu se nuk kishim asgjë personale. Gjithçka ishte, në qoftë se nuk i ishim përgjigjur thirrjes për të shkuar në jug, ishte alogjike. Ishte një thirrje alogjike. Nuk mund ta bënte edhe një njeri i thjeshtë, normal, nuk mund ta bënte një thirrje të tillë. Kundër kujt luftonim? Ata njerëz kishin humbur gjithçka, u kishte ikur mendja e kokës. Por kishte edhe mosmarrëveshje të tjera. Edhe ai njeri kishte filluar të reagonte kundër familjes. Por edhe kërkesën tonë për bisedime nuk e pranoi. Kjo ishte ajo që ai i vuri kapakun gjithçkaje dhe, në njëfarë forme, ai na tha që unë jam zoti këtu, unë mund të bëj çfarë të dua, pse të bëj bisedime me ju? Kjo ishte, mendojmë ne, që ky ishte ai konkluzioni që ne e nxorëm pastaj.
Sot janë dy familje armike të përbetuara me njëri-tjetran, por Aishe Haklaj ka rrëfyer se me familjen e Sali Berishës ka pasur fillimisht një marrëdhënie miqësore, derisa sipas saj, e mësuan se ishte shitur te serbët dhe rusët.
“Kemi pasur lidhje krejtësisht normale dhe lidhje pothuajse edhe më shumë sesa normale, edhe miqësore. Kemi pasur hyrje-dalje me njëri-tjetrin, familjet dhe kemi pasur edhe takime mes familjarësh, kështu që mund të them se kanë qenë edhe më shumë se normale, edhe miqësore. Por, neve nuk na shkonte mendja kurrë se ai njeri ishte i shitur. Dhe unë mendoj se misioni i tij, i ardhjes së tij në pushtet, ardhja e tij në pushtet ose vënia e tij në krye të demonstruesve ose të studentëve, ishte një mision i tij. Dhe misioni i tij ishte misioni serb ose rus. Me kalimin e kohës, jo në fillimet e tij. Në fillimet e tij e kemi quajtur njeri të etur për pushtet dhe për para. Por me kalimin e kohës, kur gjithçka kaloi në duart e bandave, gjithçka u shkatërrua, gjithçka u degradua, shteti u shpërbë, ne filluam të krijojmë bindjen që ai njeri ishte i shitur dhe pikërisht ishte i shitur te rusët apo te Beogradi”, tha Haklaj.
Prishja e këtyre marrëdhënieve, Aishe Haklaj në intervistën ekskluzive për Report Tv, ka zbuluar se ka ndodhur në vitin 1997.
“Ishin ngjarjet e 1997-s, i cili kërkoi rekrutë tropojanë që të ndihmojnë shtypjen e revoltës së jugut për firmat piramidale dhe ne i jemi përgjigjur negativisht. Edhe thirrje zyrtare përmes zyrtarëve të tij. Dhe ne thamë jo, pavarësisht se edhe zyrtarët e tij, mendoj unë, se nuk kanë qenë të bindur që po i binden një tradhtari të kombit. Jam shumë e bindur sepse kanë qenë shumë prej tyre mjaft dinjitoze, mjaft patriotë dhe s’do ta shisnin kurrë atdheun e tyre dhe gjakun shqiptar. Në përgjithësi Tropoja i ka thënë jo. Por ka pasur edhe nga ata që ndoshta kanë shkuar dhe i kemi përjetuar me shumë dhembje vdekjet e tyre në dhunën, sidomos në qytetin e Vlorës”, tha Aishe Haklaj.
Për vrasjen e 4 vëllezërve të saj, Aishe Haklaj ka akuzuar drejtpërdrejtë ish-kryeministrin Sali Berisha. Për Haklën, ai është organizatori, financuesi dhe ideatori i vrasjes së familjarëve të saj.
“Sepse ai është organizatori, financuesi dhe ideatori i vrasjes së familjarëve tanë. Ne e dimë se cilat duar ka përdorur ai njeri, por ai ka përdorur shtetin, pushtetin, buxhetin e shtetit që të vrasë familjarët tanë. Berisha është një organizatë kriminale ose instaloi në Shqipëri një shtet kriminal dhe ai, pavarësisht nëse ishte apo nuk ishte në pushtet, ai kishte organizatën e tij kriminale, do të ishte e thjeshtë ta quaja krahun e tij të armatosur, që të vriste njerëz dhe pastaj edhe t’i shpërblente sepse asnjëherë atij nuk i kanë munguar as pushteti as paratë”, tha Aisha Haklaj në emisionin ‘Repolitix’.
Vrasja e 4 vëllezërve të saj, ka qenë pikërisht arsyeja se përse Aisha Haklaj së bashku me familjen e saj ka përfituar azil politik në Suedi. Në intervistën ekskluzive për Report Tv, Aishe Halkaj ka thënë se është detyruar q ëtë largohet pasi shteti shqiptar nuk e mbronte dot familjen e saj nga Sali Berisha. Ndërkohë, ajo ka folur për jetën e saj në Suedi, të cilën e ka përkufizuar si “krejtësisht normale”.
“Është një jetë normale në Suedi. Patjetër që edhe atje duhet të luftosh shumë që të zësh një vend, por të drejtat e njeriut vlerësohen dhe shteti funksionon si një shtet. Po, e gjithë familja ime ka fituar azil politik në Suedi. Motivacioni ka qenë se shteti shqiptar nuk është në gjendje të mbrojë qytetarët e tij. Dhe ne kemi akuzuar që nga fillimi, edhe në Shqipëri edhe në Suedi, pikërisht Sali Berishën. Është një azil politik i përfituar pikërisht për arsyet e vrasjeve të familjarëve tanë dhe nuk ka asnjë arsye tjetër”, thotë Haklaj për Report Tv.
Si moter e respektoj ne maksimum dhimbjen tende dhe kerkesen per drejtesi ndak vellezerve dhe familkareve tuaj. Do kisha dashur nje panorame me te pergjithsme dhe te drejte pasi shpesh here kur me me ka qellu te bisedoj me tropojane nuk jane shprehur edhe aq mire per familjen Haklaj (pra aq te pafajshem). Kuktoj komentin e nje miku qe tha dilnin dhe merrnin shenj njerzit ne qytet mese e vras ose jo, ose vjedhjen e bankes etj (praltikisjt rrogave ose pensiomeve te te gjithe teopojes ku nje nkeri me ndergjegje e parime nuk e ben). Prandaj ne respekt te dhimbjes tuaj si moter por edhe ne respekt te shume motrave e nenave tjera te cilet kane humbur te dashurit e tyre mga dora e vellezerve tuaj historia te tregohet sic eshte dhe jo e njeaneshme dhe te kerkohet drejtesi att ku duhet por edhe falje per krimet e bera dhe dhimbjen e shkaktuar.
Përgjigju