Kosova & Rajoni

Akademia përkujtimore në Kosovë/ Djali i policit Afrim Bunjaku: Sa herë zgjohem ndjej boshllëkun, plagët e mungesës së tij nuk shërohen kurrë (VIDEO)

24 Shtator, 19:30| Përditesimi: 24 Shtator, 19:46

  • Share

 

Në akademinë përkujtimore për policin e vrarë Afrim Bunjaku në Kosovë, Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se asnjë organizatë e fshehtë apo legale nuk do të lejohet ta heq asnjë grimë nga territori e sovraniteti i Kosovës.

“Sot jemi bashkuar në këtë Akademi Përkujtimore për ta kujtuar Afrim Bunjakun me emrin e përveçëm të policit hero që u vra gjatë rezistencës shtetërore të para 2 viteve për sundimin e ligjit dhe lirinë e lëvizjes për mbrojtjen e territorit të Kosovës. Siç e kemi parë dhe nga videoxhirimet e bëra me dron më 24 shtator 2023, në krye të grupit kriminal ishte Milan Radoiçiç që në atë kohë ishte nënkryetar i Listës Serbe. Pavarësisht kësaj, Lista Serbe asnjëherë nuk e ka dënuar sulmin terrorist në Banjskë. Asnjë organizatë e fshehtë apo legale nuk do të lejohet ta heqë asnjë grimë nga territori e sovraniteti i Kosovës”.

Ndërsa ministri i Brendshëm i Kosovës kërkoi që agresorët të dalin para drejtësisë.

“Historia jonë tregon se duke qenë në të drejtën tonë kemi qenë të detyruar të luftojmë, të sakrifikojmë, jo vetëm për ta mbrojtur atë, por edhe për t’ua siguruar brezave të ardhshëm. Përballë kemi pasur dhe kemi një fqinj agresor, që ka mbjellë urrejtje dhe ka financuar projekte për pushtim, ndarje e terror. Ne kurrë nuk kemi sulmuar askënd, ne kurrë nuk ja kemi prekur askujt familjen, pronën, shtëpinë apo dëmtuar jetën e shkelur të drejtat. Në këtë 2-vjetor të sulmit më të madh terrorist pas luftës dhe të rënies së heroit Afrim Bunjaku, përsërisim kërkesën që terroristët të dorëzohen pa kushte para drejtësisë sonë. Drejtësia për vrasësit e vrasjes së heroit Afrim dhe për organizimin e sulmit është lehtësim i dhimbjes kolektive dhe e vetmja garanci që një agresion i tillë mos përsëritet kurrë më”.

I pranishëm ishte dhe djali i të ndjerit Afrim Bunjaku, i cili preku të pranishmit me fjalët që tha.

“Kanë kaluar 2 vite nga ajo ditë e dhimbshme kur ai ra heroikisht, por plagët e mungesës së tij nuk shërohen kurrë. Çdo mëngjes kur zgjohem e ndjej boshllëkun që kalon, e kujtoj buzëqeshjen e fjalët e tij. Por bashkë me mallin, e di se ai ra për një ideal më të madh, për atdheun, për kufijtë, për Kosovën tonë. Është e rëndë ta them, por prapë se nuk është më pranë meje, unë ndihem krenar që e pata një baba si ai. Sa herë që i takoj kolegët e tij, më kujtohet se babai im nuk ishte vetëm i imi, por i gjithë Kosovës. Babai im, prehu i qetë, ne do të ndjekim rrugën tënde dhe do kujtojmë gjithmonë me lot dhe me krenari”.

Të pranishëm ishin udhëheqës të institucioneve shtetërore, familjarë, përfaqësues të Policisë së Kosovës dhe krerët e shtetit. Sot shënohen 2 vite nga vrasja e policit të Kosovës Afrim Bunjaku gjatë sulmit në Banjskë nga forca paramilitare serbe. 


Lajmi kryesor:

Dy vjetori i sulmit terrorist në Banjskë, Kurti kryen homazhe tek varri i Afrim Bunjakut: Serbia të na dorëzojë 45 kriminelët (VIDEO)


V.GJ /I.M/ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Begaj shpalli zgjedhjet në Tiranë pa pritur Kushtetuesen për Veliajn, si iu duket?