Dita e sotme është mbyllur me një bilanc prej 6 aksidentesh, me 6 viktima dhe 9 të plagosur në gjithë vendin. Në aksin Lezhë-Shkodër, një automjet u përplas me një trailer me targa serbe dhe për pasojë doli nga rruga duke përfunduar në kanal.
2 persona humbën jetën dhe 3 të tjerë janë plagosur, të cilët po marrin ndihmë mjekësore në spitalin e Traumës në Tiranë. Viktima të aksidentit fatal kanë mbetur bashkëshortët Luan Çiço, 60 vjeç, dhe Refije Çiço, 56 vjeçe. Në gjendje të rëndë ndodhen vajza e tyre Alketa Çiço, fëmija i saj 3-vjeçar, si dhe drejtuesi i mjetit, Klevis Çuçi, i cili raportohet të jetë në gjendje të rëndë për jetën.
Të plagosurit janë nxjerrë nga automjeti nga banorë të zonës dhe forcat e policisë, dhe janë transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku ndodhen nën kujdesin e bluzave të bardha.
Drejtuesi i trajlerit është identifikuar si shtetasi Seid Islamoviç, 18 vjeç, banues në Novi Pazar, Serbi. Ai është shoqëruar nga policia dhe ndaj tij kanë nisur hetimet për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor me pasojë vdekjen, pasi dyshohet se shkak i aksidentit është bërë parakalim i gabuar i trajlerit, i cili u përplas me një automjet tip fuoristradë, që më pas doli nga rruga dhe përfundoi në një kanal.
Ndërkohë, 3 viktima u regjistruan në qarkun e Dibrës. Në Qafë-Buall të Bulqizës, një automjet tip Nissan me të cilin udhëtonin 3 persona, ka dalë nga rruga, duke shkaktuar vdekjen e dy prej tyre, ndërsa i treti ka mbetur i plagosur. Viktimat janë Burhan Gjoka dhe Destan Gjeta.
Një grua u aksidentua për vdekje nga bashkëshorti i saj në fshatin Hotesh të Dibrës. Hajri Çera po kthente automjetin në oborrin e banesës dhe ka humbur kontrollin duke plagosur gruan, Arta Çerën. Të dy u dërguan në spitalin e Traumës, por bashkëshortja e tij ndërroi jetë.
Në Fushë-Krujë, babai përplasi aksidentalisht vajzën e tij 4 vjeçe në ambientet e biznesit. Ajo ndërroi jetë në spitalin e Traumës. Dy të mitur, 8 dhe 12 vjeç, mbetën të lënduar në Dimal pasi përplasjes së dy mjeteve.
Ndërsa, në Korçë një automjet doli nga rruga dhe u përmbys. Për pasojë u përplas një këmbësore që u gjend aty pranë në momentin e aksidentit, si dhe u plagosën edhe çifti i bashkëshortëve që po udhëtonin me mjet.
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në zonën e Qerekës në Krujë, ku një fëmijë ka humbur jetën.
Viktima është një vajzë 4 vjeçe, e cila dyshohet se është përplasur aksidentalisht me makinë nga babai i saj në ambientet e biznesit të tij.
E mitura u dërgua në spital, ku dhe fatkeqësisht ndërroi jetë.
Njoftimi i Policisë Krujë:
Me datë 23.07.2025, në zonën e Qerekës, automjeti me drejtues shtetasin A. S., dyshohet se në ambientet e biznesit të tij, aksidentalisht ka përplasur vajzën e tij të mitur, rreth 4 vjeçe, e cila ka ndërruar jetë në spital.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit dhe dokumentimin e plotë të rastit.
Dy fëmijë kanë pësuar lëndime të lehta pas një aksidenti të ndodhur në qendër të qytetit të Dimalit rreth orës 15:00.
Gazetarja e Report Tv, Mimoza Sinanaj, bën me dije se në aksidentin e ndodhur në vendin e quajtur parku i qytetit, u përplasën një makinë tip Benz me një makinë Volkswagen. Tek ky i fundit, që drejtohej nga L.T., ndodheshin edhe fëmijët e shoferit, 8 dhe 12 vjeç, të cilët pësuan lëndime.
Të miturit u dërguan në spitalin e Beratit dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Efektivët e policisë kryen kqyrjen e vendit të aksidentit dhe veprimet hetimore në vendngjarje, për të zbuluar shkaqet dhe dinamikën e aksidentit si dhe kanë shoqëruar në polici për të dhënë dëshminë e tij drejtuesin e mjetit Benz, shtetasin M.M.
Një grua ka humbur jetën këtë të mërkurë pasi u aksidentua nga bashkëshorti i saj, i cili humbi kontrollin e automjetit teksa po e kthente në oborrin e banesës.
Policia sqaron se "rreth orës 15:50, në fshatin Hotesh, shtetasi H.Ç., dyshohet se duke kthyer automjetin në oborrin e banesës së tij, ka humbur kontrollin dhe automjeti është batuar dhe ka rënë jashtë oborrit, ku aksidentalisht ka aksidentuar bashkëshorten e tij shtetasen A.Ç."
Arta Çera ndërroi jetë në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku u transportua me helikopter së bashku me burrin e saj, Hajri Çerën, gjendja e të cilit nuk dihet ende.
Një aksident me pasoja fatale ka ndodhur në Qafë-Buall të Bulqizës.
Një automjet tip Nissan me të cilin udhëtonin 3 persona, ka dalë nga rruga, duke shkaktuar vdekjen e dy prej tyre, ndërsa i treti ka mbetur i plagosur.
Aksidenti ka ndodhur rreth orës 14:15, në vendin e quajtur “Antena”.
Sipas policisë, viktimat janë Burhan Gjoka dhe Destan Gjeta, ndërsa i plagosur A.Gj., i cili është dërguar për mjekim në spital. Ai do të transportohet më pas drejt Spitalit të Traumës në Tiranë.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 14:15, në vendin e quajtur "Antena", në Qafë-Buall Bulqizë, një automjet tip "Nisan", ka dalë nga rruga. Si pasojë e këtij aksidenti, kanë humbur jetën shtetasit B.Gj., dhe D.Gj, si dhe ka mbetur i dëmtuar dhe po transportohet në spital për ndihmë mjekësore shtetasi A.Gj.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të këtij aksidenti.
Një aksident është shënuar këtë të mërkurë në afërsi të fshatit Dvoran në Korçë, ku për pasojë është plagosur një çift bashkëshortësh. Drejtuesi ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga, duke mbetur i plagosur së bashku me bashkëshorten që ishte pasagjere.
Mësohet se nga aksidenti ka mbetur e dëmtuar edhe një këmbësore, e cila është dërguar në spital.
Çifti vinte nga Gjirokastra për në Korçë dhe aksidenti ka ardhur si pasojë e humbjes së vëmendjes së drejtuesit, i cili ka goditur fillimisht këmbësoren në anë të rrugës dhe më pas është përmbysur.
Këmbësorja ka marrë dëmtime, por paraqitet jashtë rrezikut për jetën, ashtu si edhe dy të dëmtuarit e tjerë.
Policia ndodhet në vendngjarje për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.
Komente

Ngushéllime ! Rruga LAÇ - Lezhe - Shkoder - Tivar duhet 6 korsi te pakten sa u perket krahut shqiptar te rruges !
Përgjigju