Aksident në minierën e kromit në Martanesh, masivi mineral zë poshtë dy minatorë! Vdes 29-vjeçari, tjetri niset me urgjencë në Tiranë (EMRAT)

21 Maj, 13:44| Përditesimi: 21 Maj, 21:46

  • Share

BULQIZE - Një aksident i rëndë u shënua mesditën e sotme në minierën në Thekën të Martaneshit. Dy minatorë të cilët punonin si vagonistë në minierë u zunë poshtë nga shembja e një masivi mineral teksa po punonin.

Si pasojë e plagëve të marra minatori Armond Peshku, vetëm 29 vjeç humbi jetën, ndërsa shtetasi Hajdar Bala, rreth 40 vjeç është transportuar në spital për ndihmë mjekësore informoi policia e Dibrës. Aksidenti  i rëndë u shënua sot rreth orës 12:50 minuta (21 maj 2024). Report Tv e Shqiptarja.com mëson se Bala është nisur me urgjencë  me helikopter drejt spitalit të Traumës në Tiranë ku dhe iu nënshtrua operacionit.   Bëhet me dije se gjendja e tij është stabël, por ka fraktura dhe dëme në shtyllën kurrizore.
Burime paraprake për Report tv bëjnë me dije se subjekti minerar në të cilin ka ndodhur aksidenti është 'Ylberi sh.p.k"

"Me datë 21.05.2024, rreth orës 12.50, dyshohet se janë aksidentuar gjatë punës në një subjekt minerar në Thekën, Martanesh, shtetasi  A.P.,  dhe H.B., të dy me detyrë vagonist në minierë. Si pasojë e plagëve të marra shtetasi A.P., ka humbur jetën, ndërsa shtetasi H.B., është transportuar në spital për ndihmë mjekësore"

Grupi hetimor në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen dhe dokumentimin  e rrethanave të kësaj ngjarjeje.
Aksidentet në miniera vijojnë të jenë një problem shqetësues, ndërsa statistikat për vitin 2023 flasin për 26 minatorë të plagosur, një pjesë e të cilëve kanë mbetur të gjymtuar. Përgjatë vitit të kaluar, një minator nuk  mundi të mbijetojë dhe humbi jetën. Aksidentet në miniera përfshihen në listën e 3 sektorëve me incidencën më të lartë, bashkë me ndërtimin dhe fasoneritë.

Ora 21:42
Vdekja e minatorit në Martanesh, Meta: Sakrifikojnë për bukën e gojës sa humbin dhe jetën, PL mbështet propozimet e tyre

1714655416_WhatsAppImage20240502at15.08.52.jpeg

‘Tragjedi e përsëritur’, e ka cilësuar kështu humbjen e jetës së 29-vjeçarit Armond Peshku në minierën e Martaneshit, kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Meta shprehet se minatorët marrin paga të ulëta dhe ato pak të ardhura nuk u mjaftojnë as për të blerë ilaçe.

Sipas tij, edhe pse bëjnë një punë të vështirë, ata sot nuk gëzojnë as statusin e minatorit.

"Rilindja" ka qëllim vetëm të vjedhë dhe të ndajë pasuritë publike me shfrytëzuesit e minierave, oligarkët, dhe nuk i bëhet vonë fare për minatorët që as ilaçe nuk blejnë dot për të kuruar mushkëritë dhe sakrifikojnë aq shumë për bukën e gojës sa humbin edhe jetën.

Partia e Lirisë i ka përkrahur gjithmonë minatorët e mashtruar nga “Rilindja” që sot nuk kanë as status minatori dhe asnjë lloj përfitimi për punën e vështirë, që kanë kryer”, tha ai.

Meta tha, se PL mbështet propozimet e minatorëve.

“Ne i mbështesim të gjitha propozimet e minatorëve, veçanërisht për miratimin e statusit të minatorit, të përfitimit të 135% të pagës minimale, si dhe të garantimit të plotë të shërbimeve shëndetësore falas, përfshi ilaçet për kurimin e sëmundjeve kronike që u janë shkaktuar nga nëntoka”, tha ai.

Aksidenti i rëndë u shënua mesditën e sotme në minierën në Thekën të Martaneshit, ku minatorët të cilët punonin si vagonistë në minierë u zunë poshtë nga shembja e një masivi mineral teksa po punonin. Si pasojë e plagëve të marra minatori Armond Peshku, vetëm 29 vjeç humbi jetën, ndërsa shtetasi Hajdar Bala, rreth 40 vjeç u transportua në spital për ndihmë mjekësore.

S.G/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Toni: 21/05/2024 15:33

    A ka ndonje dite ku nuk vdesin punetore ne Shqiperi? Lart e me lart po e con lideri suprem.

    Përgjigju
    • Real: 21/05/2024 17:54

      Te rroje Zamir Mane dhe horrat e tjere pronare galerish se minatore ka prape.

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?