Deputeti demokrat Dashnor Sula ka reaguar në llogarinë e tij në Facebook në lidhje me aksidentin e rëndë të ndodhur ditën e sotme në Tiranë, ku një makinë përplasi një çift së bashku me fëmijën e tyre 3 muajsh.
Sula shkruan se policia nuk mund të bëjë një sy qorr, e një vesh shurdh, as përballë një shoferi me një makinë modeste, por as para shkelësve të ligjit me makina 250 mijë euroshe, ndërkohë qytetarët e thjeshtë ndalohen në mes të ditës dhe gjobiten në kufijtë maksimal të vlerës vetëm sepse nuk ndezin dritat.
Dua ta nis këtë reagim me një lutje që familja që u aksidentua sot në "Rrugën e Kavajës" të shërohet sa më shpejtë e ta harroj këtë ditë të keqe. Por dua të denoncojë me zë të lartë neglizhencën e Policisë së Shtetit. Sipas raportimeve të mediave 39-vjeçari që gati sa nuk shkaktoi një tragjedi është një shkelës i vazhdueshëm i kodit rrugor. Ai rezulton i proceduar 8 herë për shkelje serioze të kodit rrugorë. Por në vend që atij ti privohej e drejta për të drejtuar makinën, pa ju dridhur qerpiku ai qarkullonte në Tiranë me një makinë 250 mijë euro dhe gati sa nuk i mori jetën një familje të re e të pafajshme.
Ne jemi vet dëshmitarë sesi qytetarët e thjeshtë ndalohen në mes të ditës dhe gjobiten në kufijtë maksimal të vlerës vetëm sepse nuk ndezin dritat. Sesi mbushen plot me gjoba për parkime në lagje. Por nga ana tjetër herë pas here bëhemi dëshmitarë sesi bosët me makina luksoze lëvizin lirshëm në të gjithë vendin duke rrezikuar seriozisht jetën e qytetarëve.
Policia e Shtetit nuk duhet të bëj një sy qorr e një vesh shurdh as përball një shoferi me një makinë modeste por as para shkelësve të ligjit me makina 250 mijë euroshe.
Gjithashtu i bëj thirrje policisë që të verifikojë në çdo moment tabelat me logot e Kryesisë së Kuvendit apo të ministrive në xhamat e parë të automjeteve luksoze se ka zëra që ato tabela po shiten si patentat në treg të zi. Si ka mundësi që në çdo makinë luksoze ka një tabelë institucioni shtetëror? A nuk i bën përshtypje uniformave blu kjo? A ju duket normale që një Lamborghini, G-Clas apo Range Rover qarkullon me mjet identifikues institucionesh shtetërore?, shkruan Sula në rrjetin social facebook.
Lajmi kryesor:
Tiranë/ Po kalonin vizat e bardha, 39-vjeçari i droguar me ‘G-Class’ futet me të kuqe, përplas çiftin me foshnjën në karrocë! Arrestohet shoferi në një spital privat! VIDEO e aksidentit të rëndë
E.K//ReportTv.al