Ditën e djeshme ndodhi një aksident tragjik në aksin Tepelenë-Fier ku humbën jetën bashkëshortët Vangjel dhe Marga Ajdini. Policia Rrugore ka arrestuar ditën e sotme shkaktarin e aksidentit, Sazan Arapi drejtesin e automjetit tip autobot.
'Në vijim të informacionit të dhënë ditën e djeshme, për një aksident rrugor në aksin "Tepelenë-Fier", si pasojë e të cilit humbën jetën shtetasit V. A., 31 vjeç dhe M. A., 36 vjeçe (bashkëshortë), informojmë se specialistët e Policisë Rrugore arrestuan shtetasin S. A., 61 vjeç, banues në fshatin Ndërmenas, drejtuesi i automjetit autobot që u përplas me automjetin me të cilin udhëtonte çifti i bashkëshortëve.', njofton policia.
Bashkëshortët Vangjel dhe Marga Ajdini janë viktima të pafajshme të aksidenti të ndodhur pranë fshatit Frakull.
Policia bëri me dije paraprakisht se shtetasi Sazan Arapi, duke drejtuar automjetin tip autobot të shpërndarjes së ujit të pijshëm "Poçemi", ka përplasur automjetin tip "Ford", me drejtues shtetasin Vangjel Ajdini.
Nga përplasja kanë humbur jetën në vendngjarje drejtuesi i automjetit tip "Ford", Vangjel Ajdini dhe pasagjerja që ndodhej në këtë automjet, Marga Ajdini, bashkëshortja e tij, anëtarë të komunitetit rom, të moshës rreth 35 vjeç.
Sipas burimeve nga vendngjarja shkak i aksidentit dyshohet të ishte përgjumja e drejtuesit të autobotit Sazan Arapi, 61 vjeç. Ai mbeti i plagosur bashkë me bashkëshorten që e kishte pasagjere në autobot.