Një 77-vjeçar është arrestuar nga policia e Vlorës pasi aksidentoi rëndë një këmbësore dhe më pas u largua nga vendi i ngjarjes. Aksidenti është shënuar më 11 prill në fshatin Metoq, ku duke drejtuar zetorin pa leje drejtimi, ka përplasur një 52-vjeçare, e cila mori dëmtime të rënda.
“Specialistët e Seksionit të Trafikut Urban dhe Interurban në Sarandë arrestuan në flagrancë shtetasin R. S., 77 vjeç, banues në fshatin Gjashtë, pasi më datë 11.04.2025, në rrugën e fshatit Metoq, duke drejtuar pa leje drejtimi një mjet bujqësor (zetor), ka aksidentuar këmbësoren P. Z., 52 vjeçe, banuese në fshatin Gjashtë, e cila si pasojë e aksidentit është dëmtuar rëndë.
Pas aksidentit, drejtuesi i mjetit është larguar nga vendi i ngjarjes, por është identifikuar dhe arrestuar nga shërbimet e Policisë. Shtetasja e dëmtuar ndodhet aktualisht në Spitalin e Traumës në Tiranë, nën kujdesin e mjekëve.”, njofton policia.
Në pranga ka rënë edhe një 43-vjeçar pasi drejtonte automjetin në gjendje të dehur.
“Specialistët e Seksionit të Trafikut Urban dhe Interurban Vlorë arrestuan në flagrancë shtetasin S. Zh., 43 vjeç, banues në Vlorë, pasi më datë 11.04.2025, është konstatuar duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur, në aksin rrugor Vlorë-Kotë”, njofton policia.
Materialet procedurale për të dy rastet i kaluan Prokurorive përkatëse, për veprime të mëtejshme.
Komente
