Politikë

Aksioni i Ramës për lirimin e hapësirave publike, Nura për Report Tv: I vonuar, por i nevojshëm! Po kërkon zbatimin e ligjit! Ka ndezur motorët elektoralë

7 Korrik, 18:03| Përditesimi: 7 Korrik, 18:24

  • Share

Aksioni i kryeministrit Edi Rama në Vlorë, Shkodër dhe rrethet e tjera për lirimin e hapësirave publike dhe për turizmin është i vonuar, por i mirëpritur dhe i nevojshëm.

Kështu tha gazetari Artur Nura sot në “Studio Live” të Report Tv, në një lidhje live me moderatorin Arbër Hitaj.

Edhe pse e cilësoi pak jashtë kompetencave ndërhyrjen e kryeministrit, sepse për Vlorën bashkia ka autonominë lokale dhe për Thethin duhet të ndërhynte Ministria e Drejtësisë me kontrollin ndaj prokurores Elsa Gjeli, ai nënvizoi se ishte e nevojshme për shkak se turizmi është shpallur prioritar dhe promotor për vendin.

“Aksion i vonuar por i mirëpritur. Ndihej nevoja për një shkundje të autoriteteve lokale. Në një qytet që shikohet si kryeqyteti turistik veror, nevojitej një dorë e fortë, që në këtë rast është ajo e kryeministrit. Rama shquhet për mënyrat e tij të komunikimit, autoritare sigurisht, por sipas tij e bën për interes të publikut, ku iu përgjigj edhe pyetjeve të gazetarëve që e pyetën pse ndërhynte në autoritetet lokale. Dhe ai u përgjigj se synimi dhe qëllimi është populli, publiku. Sigurisht që ka edhe mendime të ndryshme, por ndërhyrja bëhet në interes të publikut kur nuk vepron vetë autoriteti vendor. Kryebashkiaku i Vlorës duhet të ishte më aktiv”, tha Nura.

Kurse për rastin e Thethit në Shkodër, akuzat e Ramës ndaj prokurores Gjeli dhe masat ndaj saj apo akzionin për prishjen e ndërtimeve atje, gazetari u shpreh:

“Sigurisht që edhe në rastin e Thethit ndërhyrja duhej të bëhej nga Ministri i Drejtësisë dhe jo kryeministri, por edhe në këtë rast kemi ndërhyrje për zbatimin e ligjit. Por edhe kryeministri mund të gabojë, edhe pse politikisht ai ka të drejtë, por duhet pritur raporti i kontrollit. Duhet të themi se Rama po kërkon zbatimin e ligjit për Thethin. Duhet pritur procedura verifikuese nga ministria. Por për hir të së vërtetës ai interesin e turizmit e ka vënë si prioritet kryesor dhe kjo është gjë pozitive, industria e turizmit do të jetë promotor kryesor. Pse jo ta themi se i bëjmë karshillëk edhe Greqisë me turizmin, për të tërhequr sa më shumë turistë, për t’i bërë konkurrencë asaj dhe vendeve të tjera europiane. Këto janë gjëra pozitive, të nevojshme por të themi më mirë vonë se sa kurrë”.

Nura i sheh këto lëvizje të Ramës më shumë si strategji dhe ndezje e motorëve elektoralë për zgjedhjet e pjesshme lokale, duke shtuar se edhe për Tiranën mund të ketë një vendimmarrje nga kreu i PS.

“Por nesër do të ketë edhe vendimarrje të rëndësishme për Bashkinë e Tiranës, ndaj i ka kërkuar deputetëve të kryeqytetit ‘jo pushime’. Me sa duket vera do jetë një fushatë elektorale dhe jo vetëm e nxehtë, njihet strategjia e PS-së që kalon nga një fushatë në tjetrën, nuk është pa qëllim deklaratat e Ramës. Por nuk do ketë vetëm vendimmarrje për Tiranën, por edhe më të gjerë. Rama është i parapërgatitur për betejë lokale. Rama është strategjik në veprimet e tij, ai nuk do që ta lëshojë Tiranën, e duket qartë se ka ndezur motorët elektoralë socialistë, ai nuk do ta lëshojë atë sepse përbën edhe një të tretën e vendit për nga rëndësia. Me të njëjtën mënyrë po vepron edhe me Vlorën, ku ai ka qenë edhe deputet. Do të ketë vëmendje të veçantë nga ana e Ramës që i mat gjerat sipas gjatësisë së tij dhe ka kërkesa, e në të njëjtën vëmendje ai ka edhe për Shkodrën. Duket se strategjia e kryeministrit është e mirëmenduar dhe jo rastësore”, komentoi ai për Report Tv.

Nura komentoi edhe zhvillimet e fundit politike, ku mbështeti kolegun kandidat të opozitës Aulon kalaja në kërkesën e rinumërimit të të gjitha kutive të qarkut Durrës dhe kritikoi PD-në që nuk e mbështet atë si pjesë të koalicionit opozitar.

“Aulon Kalaja ka qasje të drejtë, i jap të drejtë politike. Ai ka sulmuar PD-në dhe KAS-in për atë qe quan të padrejtë, ku pretendon se nëse u hapën kutitë për të tjerat, pse të mos hapeshin të gjitha edhe për Durrësin. Kalaja është stoik në të drejtën e tij, dinjitetin që përfaqëson, ia kemi borxh, po kritikon PD-në pse nuk po e mbështet, pasi ai është aleat nga një parti e koalicionit”, tha ai.

Kurse për pretendimet e Berishës për farsën elektorale të 11 majit, gazetari theksoi se kreu i PD-së e ka harruar procesin zgjedhor dhe është më i fokusuar tek hallet penale të tij dhe të familjes. Për të Berisha duket më i qetë dhe i lumtur tani, pasi është de juro edhe kryetar i opozitës dhe ka më shumë peshë në përballjen me drejtësinë.

“Edhe Berisha po merret më shumë me familjen e tij dhe procesin ndaj tij, duke i harruar zgjedhjet parlamentare, siç u pa në konferencën e sotme. Berisha e ka fituar betejën e tij, është aktualisht drejtuesi i opozitës. Berisha tregoi se nuk ka më interes parësor zgjedhjet. Ai edhe në ballafaqimin me organet e drejtësisë shkon më i qetë, sepse tashmë është kryetar i opozitës, ka një peshë, është i lumtur besoj sepse deputetët i ka të bindur. Unë besoj se loja elektorale ka mbaruar, më tej do ketë vetëm shfaqje teatrale në vijim dhe mund të rinisë në shtator apo tetor me reformën elektorale”, përfundoi Nura.

A.Q/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Nis aksioni për lirimin e hapësirave publike, si e vlerësoni?