Politikë

Aksioni në Theth, Berisha: S’ka tokë të xanun, Rama pushtues i egër! Dëmshpërblim për banesat e prishura

14 Korrik, 13:14| Përditesimi: 14 Korrik, 14:46

  • Share

TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha e quan projekt antishqiptar aksionin e qeverisë për prishjen e ndërtimeve pa leje në zonën e Thethit.  Në një konferencë për mediat, ish-kryeministri Berisha tha se Rama është sjellë me banorët e Thethit si pushtues i egër, duke marrë në mbrojtje edhe ndërtimet pa leje. Sipas Berishës, në Theth, por në të gjithë veriun, nuk ekziston asnjë pëllëmbë tokë e xanun, por ato toka janë trashëgimi shekullore e paraardhësve.

“Rama është sjellë me Thethin njëlloj si malazezët, turqit, serbët, Mehmet Shehu. Është sjellë me Thethin dhe dukagjinasit si një pushtues i egër. Armiqësia e Edi Ramës ndaj banorëve të Thethit tejkalon të gjitha armiqësitë e njohura gjer sot ndaj tyre.

Edi Rama përdori praktikat më të ulëta morale, pafytyrësinë dhe pabesinë më të madhe për të realizuar një projekt shkatërrimtar për banorët, një projekt mafioz, një projekt antishqiptar, një projekt hakmarrës, primitiv. Shqiptarët duhet ta dinë se në Theth absolutisht nuk ekziston absolutisht asnjë pëllëmbë tokë e xanun, jo në Theth, po as në veri askund sepse tokën ata e kanë trashëgimi shekullore të paraardhësve të tyre dhe nuk kanë marrë kurrë asnjë pëllëmbë tokë të tjetërkujt apo tokë të askujt. Ka edhe toka të askujt, mera quhen, toka publike”, tha Berisha.

Berisha bëri thirrje për dëmshpërblimin e të gjitha banesave, duke thënë se ishte Rama ai që u premtoi banorëve të Thethit legalizime. I gjithë ky aksion, sipas Berishës, po bëhet për të mbuluar ‘funeralin elektoral’ të 11 majit, siç ai e cilësoi. 

“Krim shtetëror i kryer ndaj banorëve të Thethit dhe kërkoj ndërprerjen e këtij terrori. Dëmshpërblimin e të gjitha banesave të prishura, të premtuara se do legalizohen nga Edi Rama. I ka me zë dhe figurë premtimet e tij, inkurajimin, mashtrimin e tyre. Çdo gjë bëhet për të mbuluar funeralin elektoral të 11 majit”, tha Berisha.

Prezencën e kryebashkiakëve të djathtë në takimet ku Edi Rama u kërkoi drejtuesve të pushtetit vendor të jenë në ballë të këtyre aksioneve, Berisha e pa si qëndrim dinjitoz, duke thënë se ata duhet të ndjekin interesat e qytetarëve dhe jo urdhra partiakë.

“I tha përballë, demokrat jam unë. Kurse ajo tjetra jo. Pra i përpoq ta fyente me demokrat. Ky bir xhelati që i përket njërit prej xhelatëve të diktaturës komuniste, njeriu që firmosi varjen e Havzi Nelës, ka tmerr fjalën demokrat, se i përmbysi pushtetin e etërve”, tha Berisha.

Edhe pse iu përgjigjën pozitivisht dhe ishin të pranishëm në mbledhjen 7-orëshe të Kryeministrit Rama të premten në Durrës, por këtij të fundit nuk i shprehën përballë asnjë rezervë, kryebashkiakët e Partisë Demokratike i shikojnë lëvizjet e fundit të kreut të qeverisë si ndërhyrje në autonominë e pushtetit vendor.

Në një letër që mban datën 12 korrik, dërguar organeve të Këshillit të Evropës, Bashkimit Evropian dhe ambasadave të huaja në vend, Shoqata e të Zgjedhurve Vendorë, ku bëjnë pjesë vetëm bashkitë opozitare shprehen se Rama ka uzurpuar të gjitha pushtetet.

Ora 13:49
Kryebashkiakët e PD në takim me Ramën, Berisha: Ia thanë në sy që janë demokratë, Rama e ka tmerr! Po sillet si kryetar i bashkisë së Shqipërisë

Kreu i PD-së, Sali Berisha ka deklaruar se Kryeministri Edi Rama po sillet si kryebashkiak i Shqipërisë, pas ultimatumeve të kreut të qeverisë për shkarkim të drejtorëve të Bashkive në vend, si edhe administratorëve të njësive vendore. Komenti i Berishës erdhi për gazetaren e Report Tv, Danjela Maloku e cila e pyeti mbi pjesëmarrjen e kryebashkiakëve demokratë në takimin me Ramën dhe 61 krerët e bashkive në vend.

I pyetur se përse kryebashkiakët demokratë nuk i thanë Ramës asnjë kritikë në sy, Berisha tha ata ja thanë në sy që nuk pranojnë asnjë dorëheqje. Por në fakt, gazetarja i kujtoi se deklarata e kryebashkiakut të Kavajës, Fisnik Qosja, ishte në një prononcim për gazetarët dhe jashtë takimit me kryetarët e Bashkive.

“Mediat e tjera kanë dhënë kryetarin e bashkisë Kavajë, duke ja thënë në sy, se atë urdhër nuk e zbatoj, për shkarkimet dhe të tjera, së pari. Së dyti, ajo që bën Ramduro vetëm fakton edhe njëherë se për të kushtetuta nuk ekziston. Se për të detyrimi që rrjedh nga Karta Europiane Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale, për Shqipërinë si vend anëtar i Këshillit të Europës, nuk ekziston. Se ky njeri i pangopur don të ketë çdo pushtet në këtë vend dhe sillet tani si kryetari i bashkisë së Shqipërisë, jo vetëm si kryeministër.  E di që karrigia e tij qëndron mbi krimin dhe nuk ka asnjë legjitimet, por tani hiqet dhe kryetar i bashkisë së Shqipërisë...”, tha Berisha.

Por Berisha i tha gazetares Maloku, se Qosja ia ktheu Ramës dhe i tha në sy është demokrat, e sipas tij Rama e ka tmerr fjalën demokrat. Më tej Berisha ka folur për 20 shkurtin e vitit 1991, duke u shprehur se Rama nuk e harron atë.

“Në fakt përballë kryeministrit ja ktheu. I tha përballë, demokrat jam unë. Kurse ajo tjetra jo. Pra i përpoq ta fyente me demokrat. Ky bir xhelati që i përket njërit prej xhelatëve të diktaturës komuniste, njeriu që firmosi varjen e Havzi Nelës, ka tmerr fjalën demokrat, se i përmbysi pushtetin e etërve.  Nuk e harron Edi Rama 20 shkurtin, kur u transportua me urgjencë me autoblindë në tunelet e diktaturës, nga frika. Nuk i harron këto ai, prandaj i tha aty me urrejtje, ti je demokrat tha”, u shpreh Berisha.

Një porosi e ka për 6 kryebashkiakët e tij, pas takimit të tyre me Ramën.

“Kryetarët e Bashkive të djathta, qëndrimin e tyre duhet ta bazojnë në kushtetutën dhe ligjet e kartën e autonomisë, aspak në udhëzimet e partisë. Kushtetuta, Karta Europiane e Autonomisë Lokale dhe ligji për qeverisjen vendore, mbizotërojnë mbi udhëzimet partiake, dhe ata do ti zbatojnë ato. Kjo është e gjitha. Edi Rama don të bëhet kryetar i bashkisë së Shqipërisë, të marrë edhe atë pushtet që kanë, ndaj dhe ka shpërthyer në urrejtje të madhe ndaj bashkiakëve, ndaj administratorëve, ndaj këtyre dhe atyre. Natyrisht këtu nuk ka asgjë të re. Është një njeri që ka gjithë pushtetet në duart e tij dhe do ti ushtrojë ato në mënyrë më antikushtetuese”, tha Berisha.

Ora 13:36
Berisha ‘gjen provat’ për ‘farsën’ e 11 majit: Firmat e diasporës ishin disa ‘fjongo’! DHL ndryshoi kontratën me urdhër të Ramës, dua qeveri teknike

 

Pas dy muajsh përpjekje, kryetari i PD-së, Sali Berisha duket se paska ‘gjetur provat’ për të faktuar ‘farsën’ e 11 majit, siç ai e cilëson. Nga selia blu, kësaj radhe u shfaq me disa foto me zarfet dhe firmat e diasporës në Greqi. Por, Berisha me ‘ekspertizën’ e tij ka dalë në përfundimin se nuk kemi të bëjmë me firmat e zgjedhësve, por me disa ‘fjongo’. Sipas tij, të gjitha firmat janë manipuluar dhe me këto ‘prova’ të reja Berisha i rikthehet kërkesës për qeveri teknike.

“Një stampë fjongo, kjo do jetë e Lubisë. Tjetër, fjongo. Fjongo. Firmat si fjongo. Shikoni, fjongo, fjongo, viza. Shikoni sa qesharake, sa e paskrupullt, si e kanë manipuluar procesin. Shenja të tjera. Firma gjoja këto. Pra, siç e shihni është procesi i votimit të diasporës është fund e krye një proces i shtetëzuar dhe i manipuluar. Ndaj dhe PD nuk do pranojë kurrë këto zgjedhje, ka vetëm një zgjidhje, dhe kjo zgjidhje është qeveria teknike, përsëritja e zgjedhjeve”, tha Berisha.

Më tej akuzoi kompaninë DHL se me urdhër të Edi Ramës ka ndryshuar kontratën dhe ka marrë nënkontraktor.

“Për të tretën herë i rikthehemi farsës së manipulimit, shtetëzimit të votës së diasporës nga Rama. DHL e ndryshoi kontratën në kundërshtim me atë që kishte firmosur me urdhër të Ramës. Ishte Rama, personalisht që ka urdhëruar DHL të marrë nënkontraktorë, gjë për të cilën ne nuk pranuam kurrë.  Rama përgjegjës i farsës zgjedhore me votën e diasporës. Më 3 maj Rama i bëri thirrje emigrantëve, në Greqi u bë një mish mash, shkoni dhe merrni vetë zarfet. Pas këtij mesazhi të Ramës, u rrit ndjeshëm numri i zarfeve të ardhur nga Greqia, ndërkohë që vendet e tjera mbajtën një mesatare ditore”, tha Berisha.

SI.E./I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • XXX: 14/07/2025 15:04

    Sali Rame Berisha,i njohur nga te gjithe si njeriu me antishqiptar qe ka pare kombi yne.Ka injorant qe I shkojne pas e u jep zemer.Eshte krimineli etj.me i madhi i kombit.Turp e faqe e zeze per ate dhe bashkepuntaret servila e pa moral qe i shkojne pas,por edhe per tufen e vogel te injoranteve qe votojne per ate. A ka te rinj patriot,idealist,ne rradhet e PD qe ta pastrojne shtepine e demokrateve nga keto qelbesira dhe ta shohim PD te rinovuar e te kthehet shprese per popullin.

    Përgjigju
  • visi: 14/07/2025 14:00

    Vetëm shpellarët i binden Sali non gratës dhe në Theth ka plot të tillë.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Nga sot sekuestro bulmetit pa faturë, si e vlerësoni?