Kryeministri Edi Rama, në takimin e sotëm me deputetët e Tiranës, foli për aksionin e prishjes së objekteve pa leje në Theth. Kryeministri adresoi akuzat, duke thënë se personat që kanë protestuar nuk janë as të shkretë dhe as banorë vendas.
Ai tha se nuk bëhet fjalë për objekte për qëllime fitimi, të cilat janë bërë në shkelje të ligjit. Rama bëri me dije gjithashtu se Policia e Shtetit ka nisur një hetim se kush qëndron pas objekteve pa leje në zemër të Thethit, që tashmë janë prishur.
“Dua të ndalem një moment tek çështja e Thethit për të adresuar edhe disa këndvështrime që në pikëpamjen time meritojnë të adresohen, se cila është qasja jonë dhe cili do të jetë qëndrimi ynë në vazhdim. Së pari, kam vënë re se ka një teori shumë, sipas meje, për të ardhur keq lidhur me përgjegjësinë, fajin se kush e ka. Dhe duket sikur një pjesë e atyre që komentojnë përpiqen që t’ia lënë fajin strukturave të shtetit. Nga njëra anë, kemi disa njerëz të shkretë, të cilët kanë hequr bukën e gojës për të ndërtuar disa banesa, nga ana tjetër, kemi një shtet që i ka lënë ta bëjnë këtë në shkelje të ligjit dhe është kujtuar pastaj që t’i godasë. Duhet të sqaroj se këtu nuk bëhet fjalë për disa të shkretë, për njerëz të cilët janë ngjitur deri atje në një pjesë të konsiderueshme të rasteve nuk janë banorë të atij vendi, madje në rastin flagrant që u bë shkak i gjithë këtij procesi. Bëhet fjalë për individë që as nuk janë shfaqur që të pretendojnë çfarëdo qoftë dhe policia e shtetit po merret me hetimin se si ka ndodhur dhe kush është mbrapa pushtimit kriminal të qendrës së zemrës së Thethit, kartolina e njohur e Thethit dhe bëhet fjalë për ndërtime që nuk janë për të futur kokën por për qëllime fitimi. Nga ana tjetër, nuk e di që të ketë ndonjë teori që e amniston shkelësin e ligjit duke ia ngarkuar fajin strukturave të shtetit nëse nuk e parandalojnë shkeljen e ligjit. Natyrisht që edhe strukturat kanë përgjegjësinë e tyre dhe e kanë marrë këtë përgjegjësi.”, tha Rama.
Lajmi kryesor:
Rama për Thethin: S’janë të shkretë, nuk premë në besë askënd! Legalizuam 300 prona, s’ka resorte turistike! Goditëm edhe ‘oligarkët’ në bregdet (VIDEO)
Xh.D/SI.E./ReportTv.al