Kronikë

Aksioni për hapësirat publike në Vlorë, lirohet një sipërfaqe 300 m² te ‘Uji i Ftohtë’! Hiqen dhjetëra automjete të parkuara gabim, gjobiten shoferët

6 Korrik, 13:48| Përditesimi: 6 Korrik, 14:25

  • Share

Vijojnë kontrollet për lirimin e hapësirave publike në qytetin e Vlorës pas kritikave të kryeministrit Edi Rama. Policia bën me dije se gjatë 24 orëve të fundit, janë hequr me karrotrec dhjetëra automjete të parkuara në rrugëkalime për këmbësorë, trotuare apo segmente rrugore, si dhe janë gjobitur drejtuesit e tyre.

“Gjatë 48 orëve të fundit: Janë vendosur dhjetëra gjoba për drejtues automjetesh që kanë parkuar gabim, në rrugëkalime për këmbësorë, trotuare dhe segmente rrugore ku pengohej qarkullimi; Janë larguar me karrotrec automjete të parkuara në mënyrë të gabuar, që krijonin pengesë për lëvizjen e qytetarëve dhe automjeteve të tjera.”, njofton policia.

Këto kontrolle, thotë policia, do të vijojnë pa ndërprerje ndërsa apelon drejtuesit që të respektojnë rregullat, përndryshe do të përballen me gjoba. Ndërkohë, në kuadër të operacionit “Plazhi i lirë” është liruar një hapësirë publike prej 300 metrash katrorë në lagjen  “Uji i Ftohtë”, ndërsa është proceduar penalisht administratori i subjektit që e kishte zënë me çadra, shezlongë dhe tavolina pa leje. Policia thotë se ai nuk ishte pajisur me leje nga autoritetet përkatëse.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake, si rezultat i kontrolleve të ushtruara në bregdet, pranë një restoranti në lagjen “Uji i Ftohtë”, konstatuan se administratori i këtij subjekti, shtetasi G. I., 62 vjeç, banues në Orikum, kishte zënë në mënyrë të paligjshme një sipërfaqe toke publike prej 300 m², në të cilën kishte vendosur çadra, shezlongë dhe tavolina plazhi, pa qenë i pajisur me leje nga autoritetet përkatëse. Për këtë rast, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë referuan materialet në Prokurori dhe nisën procedimi penal ndaj shtetasit G. I., për veprën penale “Pushtimi i tokës”, parashikuar nga neni 200 i Kodit Penal.”, njofton policia.

Autoritetet në Vlorë janë vënë në lëvizje pas kritikave të kryeministrit Edi Rama gjatë një vizite që zhvilloi pak ditë më parë në Vlorë. Kreu i qeverisë do të rikthehet sërish të hënën për të parë nëse porositë janë zbatuar. Kreu i qeverisë ka paralajmëruar zaptuesit që të lirojnë hapësirat përndryshe do të përballen me gjoba ose hetim penal.

Xh.D/A.A/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sona: 06/07/2025 19:03

    Ne Vlore dora e shtetit mungon totalisht, si ne rruget kryesore, si brenda lagjeve. Pse sot e pane keta burra se hapesirat jane zene ? Se deti eshte me i piset se kurre? Se nuk ka hapesira per femijet? Se rruget jane ngushtuar kaq shume? Sa shume ka per te thene.. !

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Rama paralajmëron aksion për lirimin e hapësirave publike, si e vlerësoni?