Kronikë

Bankers nuk pagoi tatimet për 20 vite, Prokuroria jep detajet: Shiti 532 mld lekë naftë, por deklaroi 11.7 mld lekë humbje! Miliona euro dëm shtetit nga kthimi i TVSH

3 Korrik, 11:20| Përditesimi: 3 Korrik, 15:27

  • Share

FIER- Për 20 vite me radhë, kompania më e madhe e nxjerrjes së naftës në Shqipëri, “Bankers Petroleum” ka shmangur tatimet duke i shkaktuar miliona euro dëm buxhetit të shtetit. Një ditë pas aksionit në zyrat e kompanisë kineze në Fier që çoi në pranga edhe CEO-n Hongping Xiao dhe ish-drejtorin Leonidha Çobe, Prokuroria ka dhënë detajet e hetimit dhe ka zbuluar skemën e mashtrimit.

“Bankers Petroleum”, gjatë periudhës 2004–2024 ka kryer shitje dhe eksporte nafte në vlerën totale prej 532 mld lekë, por pavarësisht kësaj shume, kompania ka deklaruar humbje për çdo vit, me një total prej 11.7 mld. Sipas organit të akuzës, përmes kësaj skeme, kompania ka shmangur pagimin e tatim-fitimit për 20 vite me radhë dhe për më tepër ka përfituar rimbursime fiktive të TVSH-së, duke shkaktuar dëm financiar në miliona euro në buxhetin e shtetit.

"Nga hetimi i deritanishëm ka rezultuar se, shoqëria “Bankers Petroleum Albania Ltd”, nga viti 2004 e deri në fund të vitit 2024 ka dalë me humbje, çka ka bërë që shteti shqiptar të mos përfitojë asnjë të ardhur prej 20 vitesh nga ky aktivitet, pavarësisht se janë nxjerrë e tregtuar sasi të konsiderueshme karburanti në zonat e njohura me rezerva nafte, Patos-Marinëz-Fier. Është vërejtur se, shoqëria ka kryer eksporte dhe shitje brenda vendit nga viti 2004 deri në vitin 2024 në vlerën prej 532,433,614,112 lekë. Po ashtu, rezulton se shoqëria ka deklaruar shpenzime tatimore në vlera që tejkalojnë të ardhurat nga eksportet dhe shitjet, duke dalë në çdo vit ushtrimor me humbje, ku vlera totale për të gjitha periudhat është në shumën 11,691,799,688 lekë. Nga hetimi, dyshohet se dëmi i shkaktuar në buxhetin e shtetit, përmes përfitimit të Tvsh-së, është në miliona euro", njoftoi Prokuroria e Fierit. 

Aksioni dhe akuzat

Me vendim të Gjykatës së Fierit, janë lëshuar 14 masa sigurie, ku 9 prej tyre janë ekzekutuar dhe 5 përfaqësuese kinezë të kompanisë janë shpallur në kërkim. Ndaj tyre rëndojnë veprat penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, “Fshehja e të ardhurave”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Moskryerja e detyrave nga organet tatimore”.

Organi i akuzës thotë se kontrolle nuk janë ushtruar vetëm te kompania, së cilës i janë sekuestruar edhe serverat, por edhe nëpër banesa private ku janë sekuestruar sende të nevojshme për hetimin. Aksioni, thotë Prokuroria e Fierit, u ndërmor në këtë fazë të hetimit, pasi kishte rrezik për prishjen e provave, ndërprerjen e mëtejshme të aktivitetit kriminal dhe shmangien e rrezikut të ikjes. Gjatë aksionit në kompani, oficerët të shoqëruar nga njësi të zyrës tatimore janë përballur me rezistencë. Dyert e selisë qendrore qëndronin të mbyllura, dhe është dashur përdorimi i forcës për të hyrë në mjediset e brendshme.

Skema e mashtrimit

Hetimi që çoi në këtë operacion u zhvillua për një periudhë 6-mujore, pas referimit të materialeve nga Drejtoria e Hetimit Tatimor. Sipas Prokurorisë së Fierit, hetimi është kryer me metoda proaktive dhe në bashkëpunim të ngushtë me strukturat tatimore dhe policore.

Sipas Prokurorisë së Fierit, “Bankers Petroleum” dyshohet se gjatë gjithë periudhës 20-vjeçare të aktivitetit të saj ka rritur në mënyrë fiktive shpenzimet, me qëllim që në bilancet vjetore të rezultonte me humbje. Kjo skemë i ka mundësuar kompanisë të shmangë pagesën e tatim-fitimit, ndërkohë që ka përfituar rimbursime të pajustifikuara të TVSH-së, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit miliona lekë dëm.

Mashtrimi është realizuar, sipas hetimeve, me ndihmën e individëve dhe shoqërive kontraktuese, përmes dokumenteve të falsifikuara dhe veprimeve financiare të dyshimta, të kryera me operatorë dhe individë të ndryshëm brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Reagon Bankers

Një ditë pas aksionit, në zyrat e kompanisë Bankers Petroleum puna vijon normalisht ashtu si edhe aktiviteti fushën naftëmbajtëse të Patos- Marinzës. Në një deklaratë publike kompania tha se “që prej vitit 2004, operacionet tona kanë sjellë vlera të prekshme: kemi investuar 4.5 miliardë dollarë në ekonominë shqiptare; kemi siguruar 83% të prodhimit kombëtar të naftës bruto”, ndërkohë shtoi se “kompania vazhdon të ketë të pashlyera pranë autoriteteve tatimore, rimbursime të TVSH-së (Tatimi mbi Vlerën e Shtuar) në vlerën mbi 36 milionë USD”.

Hetimet vijojnë, përfshirë edhe kompani të tjera

Hetimet në kuadër të këtij procedimi penal vijojnë pasi dyshohen disa skema të ndyshme mashtrimi për TVSH-në, pastrim parash, etj, ku janë të implikuar dhe shumë individë dhe kompani të tjera.

Prokuroria, policia dhe tatimet zbarkuan prej mëngjesit të së mërkurës në zyrat qendrore të “Bankers Petroleum”. Fillimisht hasën në rezistencë dhe u desh përdorimi i forcës për të hyrë në ambientet e brendshme, ku qëndruan për disa orë, duke kontrolluar në detaje për gjetjen e provave shtesë për hetimin, sidomos në serverat e kompanisë. “Bankers Petroleum”, ka qenë shpesh në përplasje me autoritetet fiskale për mos shlyerjen e detyrimeve ndaj shtetit shqiptar. Me dhjetëra shoqëri shqiptare janë ankuar se për një kohë të gjatë nuk janë paguar për shërbimet që i kanë ofruar kësaj kompanie. Po ashtu ka qenë në mënyrë të përsëritur në qendër të kritikave për mosrespektimin e parametrave mjedisor, apo për përdorimin e teknikave jo të përshtatshme në shfrytëzimin e nëntokës shqiptare.

Akuzat
“Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”,
“Fshehja e të ardhurave”,
“Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”
“Shpërdorimi i detyrës”
“Moskryerja e detyrave nga organet tatimore”.

Njoftimi i plotë i Prokurorisë së Fierit

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, lëshoi 14 masa sigurimi për ‘Bankers Petroleum Albania Ltd’ nën akuzë për veprat penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, “Fshehja e të ardhurave”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Moskryerja e detyrave nga organet tatimore”, të parashikuara nga nenet 144/a, 180/3, 287, 248, 181/a të Kodit Penal.

Hetimet mbi procedimin penal nr.2063, datë 30.12.2024 nisën pas referimit nga Drejtoria e Hetimit Tatimor pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe pas një hetimi 6-mujor edhe me metoda të hetimit proaktiv, në bashkëpunim të ngushtë me Drejtorinë e Hetimit Tatimor, u grumbulluan prova të mjaftueshme të cilat krijojnë dyshimin e arsyeshëm se janë konsumuar elementet e figurave të veprave penale për të cilat është regjistruar ky procedim penal.

Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Fier dhe në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Fuer dhe Drejtorisë së Hetimit Tatimor, janë ushtruar kontrolle në disa ambiente të kompanisë si dhe në banesa private, nga ku janë sekuestruar sende që i përkasin veprave penale dhe u ekzekutuan 9 (nëntë) masa sigurimi personal me karakter shtrëngues, ndaj Administratorit aktual të shoqërisë H.X, ish- administratorit të kompanisë të shoqërisë “Bankers Petroleum Albania Ltd”, L.Ç, si dhe ndaj disa shtetasve të tjerë L.Ë, A.K, K.Xh, D.G, M.Th, M.I dhe E.A, me pozicione drejtuese në këtë kompani. Ndërsa u shpallën në kërkim 5 (pesë) shtetas, kryesisht të huaj. Ndërhyrja në këtë fazë të hetimit, lidhet me rrezikun e prishjes së provave, ndërprerjen e mëtejshme të aktivitetit kriminal dhe shmangien e rrezikut të ikjes.

Nga hetimi i deritanishëm ka rezultuar se, shoqëria “Bankers Petroleum Albania Ltd”, nga viti 2004 e deri në fund të vitit 2024 ka dalë me humbje, çka ka bërë që shteti shqiptar të mos përfitojë asnjë të ardhur prej 20 vitesh nga ky aktivitet, pavarësisht se janë nxjerrë e tregtuar sasi të konsiderueshme karburanti në zonat e njohura me rezerva nafte, Patos-Marinëz-Fier. Është vërejtur se, shoqëria ka kryer eksporte dhe shitje brenda vendit nga viti 2004 deri në vitin 2024 në vlerën prej 532,433,614,112 lekë. Po ashtu, rezulton se shoqëria ka deklaruar shpenzime tatimore në vlera që tejkalojnë të ardhurat nga eksportet dhe shitjet, duke dalë në çdo vit ushtrimor me humbje, ku vlera totale për të gjitha periudhat është në shumën 11,691,799,688 lekë. Nga hetimi, dyshohet se dëmi i shkaktuar në buxhetin e shtetit, përmes përfitimit të Tvsh-së, është në miliona euro.

Dyshohet se, gjatë gjithë periudhës që ka ushtruar aktivitetin e saj, shoqëria “Bankers Petroleum Albania Ltd” ka rritur në mënyrë fiktive shpezimet e saj, me qëllim që në bilancin vjetor të rezultojë me humbje, e më pas nuk ka paguar asnjë tatim mbi fitimin, por ka përfituar nga rimbursimi i TVSH-së nëpërmejt skemave mashtruese, e ndihmuar dhe nga individë e shoqëri të tjera kontraktuese të saj, me objekte dhe veprimtari të ndryshme. Për arritjen e këtij qëllimi, nga shoqëria e punonjësit e saj dyshohet se janë falsifikuar dokumente të ndryshme dhe kryhen operacione financiare të natyrave të ndryshme me operatorë dhe individë të ndryshëm si brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Hetimet në kuadër të këtij procedimi penal vijojnë pasi dyshohen disa skema të ndyshme mashtrimi për TVSH-në, pastrim parash, etj, ku janë të implikuar dhe shumë individë dhe kompani të tjera.

Në përfundim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, mbetet e angazhuar në ushtrimin me efektivitet të ndjekjes penale dhe vendosjen para përgjegjësisë së autorëve të këtyre veprave që lidhen me taksat dhe tatimet.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë

Ora 14:14
Aksioni te Bankers/ Ministri Malaj: Hetimi do nxjerrë kush janë figurat e përfshira në evazion fiskal e pastrim parash

 

Ministri i Financave, Petrit Malaj foli në Kuvend për aksionin në kompaninë Bankers, e cila akuzohet se për 20 vite nuk ka paguar tatimet. Pyetjeve të opozitës mbi këtë çështje, Malaj iu përgjigj duke thënë se çështja e Bankers, është ende në hetim. Hetimi do nxjerrë kush janë figurat e përfshira qoftë në evazion fiskal, qoftë edhe në pastrimin e parave.”

Ora 12:42
Akuzohet se shmangu tatimet për 20 vite, Bankers: Kemi investuar 4.5 mld $ në ekonominë shqiptare, Tatimet kanë për të na shlyer edhe 36 mln $ TVSH

1751539497_bankers.jpg

Kompania Bankers Petroleum Albania ka reaguar pas aksionit të Prokurorisë së Fierit, e cila e akuzon se për 20 vite shmangu tatimet. Në një reagim për mediat, Bankers thotë se që prej vitit 2004, kanë investuar 4.5 mld $ në ekonominë shqiptare dhe kanë siguruar 83% të prodhimit kombëtar të naftës bruto.

Bankers pretendon gjithashtu se ka kontribuar me 730 milionë dollarë në rentën minerare dhe ka mbështetur mjedisin dhe komunitetet me fonde. Sipas tyre, Tatimet kanë për t’u shlyer edhe 36 mln $ nga TVSH-ja.

Në reagim, kompania thotë se janë të “përkushtuar të bashkëpunojnë plotësisht me autoritetet shqiptare. Jemi në proces të emërimit të një përfaqësuesi të lartë për të garantuar një bashkëpunim të plotë dhe transparencë operacionale.”

Deklarata e plote

Për njëzet e një vjet, Bankers Petroleum Albania (BPAL) ka qëndruar krah për krah me Shqipërinë në fuqizimin e së ardhmes së saj energjetike. Që prej vitit 2004, operacionet tona kanë sjellë vlera të prekshme: kemi investuar 4.5 miliardë dollarë në ekonominë shqiptare; kemi siguruar 83% të prodhimit kombëtar të naftës bruto; dhe kemi mbështetur më shumë se 1,500 familje lokale përmes punësimit cilësor. Jemi krenarë në mënyrë të përulur që kemi kontribuar me 730 milionë dollarë në rentën minerare (68.9% e totalit të Shqipërisë) për zhvillimin e sektorit energjetik, 40 milionë dollarë për mbrojtjen e mjedisit dhe 10 milionë dollarë për forcimin e komuniteteve – një trashëgimi që e konsiderojmë të shenjtë. Ndërkohë, kompania vazhdon të ketë të pashlyera pranë autoriteteve tatimore, rimbursime të TVSH-së (Tatimi mbi Vlerën e Shtuar) në vlerën mbi 36 milionë USD.

Që pas blerjes nga aksionerët e mëparshëm në vitin 2016, ekipi ynë i ri drejtues ka integruar ndershmërinë në çdo aspekt të operacioneve të BPAL. Kemi dëshmuar angazhimin tonë ndaj partneritetit përmes prokurimeve më transparente, përputhshmërisë më rigoroze me ligjet dhe uljes së ndjeshme të mosmarrëveshjeve.

Në përgjigje të hetimeve të fundit rregullatore, BPAL dhe kompania jonë mëmë, BPL, janë të përkushtuara të bashkëpunojnë plotësisht me autoritetet shqiptare. Jemi në proces të emërimit të një përfaqësuesi të lartë për të garantuar një bashkëpunim të plotë dhe transparencë operacionale. Respektojmë dhe mbështesim të gjitha masat ligjore për të ruajtur standardet rregullatore dhe të integritetit në Shqipëri. Deri më tani, operacionet tona mbeten të qëndrueshme, ekipi ynë bazë është i plotë dhe aktivitetet tona të përditshme vazhdojnë pa ndërprerje të mëdha.

Jemi të përkushtuar të vazhdojmë të shërbejmë klientët dhe partnerët tanë. Duke parë përpara, BPAL mbetet e vendosur në qëllimin e saj për të garantuar stabilitetin energjetik të Shqipërisë përmes operacioneve të besueshme, thellimit të rrënjëve në punësimin lokal dhe investimeve në komunitet, si dhe duke nderuar besimin që Shqipëria na ka dhënë që prej vitit 2004.

Ne ecim përpara me përkushtim për të përmbushur përgjegjësitë tona ndaj Shqipërisë me profesionalizëm dhe përgjegjshmëri të vazhdueshme.

Ora 10:05
Një ditë pas aksionit në Bankers për pastrim parash e evazion fiskal, puna në fushën naftëmbajtëse të Patos- Marinzës vijon normalisht

Report TV kreu sot një vëzhgim në zyrat qendrore të Bankers Petroleum në Fier dhe në fushën naftëmbajtëse të Patos-Marinzës, ku u konstatua se puna vijon normalisht, një ditë pas arrestimit të drejtorit dhe punonjësve të tjerë për evazion fiskal.

Në pranga është vënë numri 1 i kompanisë, Hongping Xiao. Ai drejton prej disa vitesh, aktivitetin e Bankers Petroleum. Drejtuesë të tjerë të niveleve të larta po ashtu janë arrestuar. Në total bëhet fjalë për 9 persona ndaj të cilëve gjykata kishte firmosur urdhërat e arrestit, mes të cilëve 4 në arrest shtëpie. Ndërkohë, 5 të tjerë, të gjithë kinezë, të emëruar nga kompania mëmë, janë shpallur në kërkim. Bie në sy arrestimi po ashtu dhe i ish-drejtorit, Leonidha Çobo. 

SI.E./r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Faiku: 03/07/2025 18:03

    Duhen denime me nga 100 vjet qe mos ti shkoji ne mendje me askujt.

    Përgjigju
  • Lui: 03/07/2025 16:29

    Pastaj shajnë Enverin që gjoja i ka rënë në qafë pasanikëve. Ja pra si bëhesh pasanik. Me vjedhje e me grabitje. Me punë rrogtar e me punë të ndershme nuk bëhesh dot kurrë pasanik.

    Përgjigju
  • ana: 03/07/2025 14:41

    KANE 30 VITE KETA QE SHIJNE MBI KURRIZIN TONE....TANI ARRESTOJINI DHE SEKUESTRONI TE GJITHA PASURITE QE KA KETU TEK NE BANKERSI...

    Përgjigju
  • five company: 03/07/2025 13:47

    Far East hmmm..Nejse fillojme me vlerat e fitimit dhe pastaj do te kalojme te preventivi jo i fitimit, por i tatimit. Nuk eshte me parapagim eshte me "shlyerje ne natyre ". Le te fillojme: 3 dhoma hoteli "Burj Khalifa" dhe 2 te Vela Dubai; 4 dhoma Mandarin Hotel Middle East. 2 dhoma hoteli Hilton ne Moske, dhe 5 Dacha ne Siberi. Preventivi i tatimit mbi vleren jo te " kalkuluar" ekzakt. Ora me rere shken nga West ne drejtim te East...Dhe te ndertosh daca ne Siberi nuk ishte ide e mire. Une si five company, mund ti sugjeroj gjithe botes te fillojme dhe te prenotojme 1 m katror cope mali ne Himalayas, mqs eshte catia e botes dhe pika me larte. Uroj qe nga 8848 m, minus 100 m, Oqeani do ngrihet deri ne 8748 m...Ju lutem mund ti merni komentet ne analize dhe me thoni nese preventivi im nuk eshte i perllogaritur mire Post Scriptum. Nuk ma do mendja qe edhe per kryesine e CE te kete 1m katror mal, vend te lire..Jane vetem per njerezit me te fuqishem ne bote??! Sarkazem ??!@ Romeo & Juliet??!!

    Përgjigju
  • budalli lart: 03/07/2025 13:04

    23 VITE KETA DR E VIPAVE CA KANE BO? FIGUROJNE ME TE PAKTEN 3 SHPIA NGA 300 MI EURO SEJCILA... SHTET PLRE!

    Përgjigju
  • Kasapi Derrave Rexhep Bule Leka [ kepi ]: 03/07/2025 12:30

    Shqipria ēshtē vēnd i çudirave vēnd praller pēr mashtrusit. Se dhe vet shqiptarēt 90% jan mashtrus hajdut e gēnjeshtar.

    Përgjigju
  • Eri: 03/07/2025 11:39

    E po te besh besh 5 miliard usd shitje e te dalesh me humbje, vec keta artistet mund ta benin. Le qe s'kane paguar tatim fitimi, por kane marre edhe TVSH-ne mbrapsh. Shume paskeni pritur, duhet t'u kishit rene me heret ne koke ndyresirave.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si e gjykoni etiketimin në Kuvend të Flamur Nokës 'media vari Kar-lo'?