Liderja e opozitës venezueliane, Maria Corina Machado, fitoi Çmimin Nobel për Paqen këtë të premte. Machado, një inxhiniere 58-vjeçare në profesion, jeton në fshehtësi. Ajo u pengua në vitin 2024 nga gjykatat e Venezuelës të kandidonte për presidente dhe të sfidonte kështu Presidentin Nicolas Maduro, i cili është në pushtet që nga viti 2013.
Në njoftimin e saj në ‘X’, Komiteti Norvegjez i Çmimit Nobel bëri me dije se çmimi iu dha Maria Corina Machado, për punën e saj të palodhur në promovimin e të drejtave demokratike për popullin e Venezuelës.
Po ashtu në njoftim theksohet se Maria Corina Machado ka luftuar për një tranzicion të drejtë dhe paqësor nga diktatura në demokraci.
“Komiteti Norvegjez i Çmimit Nobel ka vendosur t'i japë Çmimin Nobel për Paqen 2025 Maria Corina Machado-s për punën e saj të palodhur në promovimin e të drejtave demokratike për popullin e Venezuelës dhe për luftën e saj për të arritur një tranzicion të drejtë dhe paqësor nga diktatura në demokraci”, thuhet në njoftimin në ‘X’.
Akademia gjithashtu argumentoi shpalljen e çmimit duke thënë se ai i jepet një kampioneje të guximshme dhe të përkushtuar të paqes, një gruaje që mban gjallë flakën e demokracisë mes një errësire në rritje.
Machado u njoftua nga Instituti nëpërmjet një telefonate, e cila e gjeti papritur dhe e emocionoi. Komiteti zgjodhi të përqendrohej tek Venezuela në këtë moment, në një vit të dominuar nga deklaratat publike të përsëritura të Presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, i cili ka pohuar se ai e meriton Çmimin Nobel për Paqen.
Para shpalljes, ekspertët e çmimit kishin deklaruar se Trump nuk do ta fitonte, pasi ai po shkatërron rendin ndërkombëtar që komiteti i Nobelit vlerëson.
Machado është lidere e opozitës së Venezuelës, e cila për vite me radhë ka luftuar kundër regjimit të Nikola Maduros. Ajo drejton forcën më të madhe opozitare në Venezuele. Vitin e kaluar Bashkimi Evropian, Maria Corina Machado-s së bashku me një politikan tjetër të opozitës venezueliane, Edmundo Gonzalez Urrutia-n, i dha çmimin për të drejtat e njeriut
Çmimi Nobel për Paqen, me vlerë 11 milionë korona suedeze, ose rreth 1.2 milionë dollarë amerikanë, do të dorëzohet në Oslo më 10 dhjetor, në përvjetorin e vdekjes së industrialistit suedez Alfred Nobel, i cili themeloi çmime në testamentin e tij.
Pasi u shpall fituese e çmimit Nobel për Paqen për vitin 2025, Maria Corina Machado ka reaguar në postim në ‘X’.
Maria Corina Machado shkruan se me çmimin Nobel, u njoh lufta e venezulianëve për liri. Ndërsa më tej citon edhe presidentin Trump, teksa shkruan se mbështeten tek ai, populli i SHBA-së dhe kombet demokratike të botës.
Teksa në fund, politikania shkruan se çmimin Nobel ia dedikon popullit të vuajtur të Venezuelës dhe presidentit Trump.
“Kjo njohje e luftës së të gjithë venezuelianëve është një shtysë për të përfunduar detyrën tonë: të luftojmë për Lirinë. Ne jemi në prag të fitores dhe sot, më shumë se kurrë, mbështetemi te Presidenti Trump, populli i Shteteve të Bashkuara, popujt e Amerikës Latine dhe kombet demokratike të botës si aleatët tanë kryesorë për të arritur Lirinë dhe demokracinë. Ia dedikoj këtë çmim popullit të vuajtur të Venezuelës dhe Presidentit Trump për mbështetjen e tij vendimtare ndaj kauzës sonë”, shkruan Maria Corina Machado.
Komente
