Edhe në Qarkun e Shkodrës janë aktivizuar disa vatra zjarri, konkretisht në kënetën e Domnit, majën e Zezë mbi Rrjoll dhe zonën e Pulajt, në Vaun e Dejës dhe në Qaf Qerret.
Situata e vatrës së zjarrit në Malin Kolaj në Rrjoll ka 4 ditë që vijon, ku terreni i thyer malor dhe era e fortë e bëjnë të pamundur ndërhyrjen e zjarrfikësve si dhe ndihmojnë në përhapjen e flakëve. Forcat zjarrfikëse janë në gatishmëri për të shmangur afrimin e flakëve në zonat e banuara.
Një tjetër vatër zjarri është përhapur në Qerret Velipojë, ku janë dërguar dy mjete me 6 efektivë për të shmangur afrimin e flakëve drejt banesave dhe kishës së fshatit. Vijon puna për vënien në kontroll të tyre dhe shuarjen e plotë të zjarrit.
Edhe në Bashkinë Vau Dejës është riaktivizuar përsëri zjarri në qytet afër një restoranti dhe po punohet për shuarjen e tij.
Në vendin e quajtur Qaf Qerreti është aktivizuar një vatër zjarri që ka marrë përmasa të papërballueshme duke djegur një sipërfaqe të konsiderueshme pylli pishe. Bashkia Pukë po kërkon mbështetje dhe ndërhyrje nga ajri për shuarjen e zjarrit, pasi nga terreni është e pamundur. Aktualisht është djegur 20 ha pyll pishe, ndërsa janë angazhuar 3 zjarrfikëse dhe vullnetarë dhe personel nga sektori pyjor.
Aktivizimi i disa vatrave të zjarri njëkohësisht dhe terreni i vështirë ka bërë që autoritete në Shkodër të kërkojnë ndihmë në resurse njerëzore dhe logjistike, vrojtues dhe vullnetarë, pasi situata nuk përballohet vetëm nga forcat zjarrfikëse.
Lajmi kryesor: