Akuzat për listat zgjedhore? Lleshaj: Zero raste të lëvizjes së Qendrës së Votimit! Në Vlorë u arrit misioni për goditjen e kultivimit të kanabisit! (VIDEO)

20 Nëntor 2020, 14:53| Përditesimi: 20 Nëntor 2020, 15:12

  • Share

Vlorë -Ministri i Brenshëm, Sander Lleshaj, ka qenë në Vlorë, ku ka marrë pjesë në analizën e zhvilluar me strukturat drejtuese të DVP Vlorë dhe komisariatet e kësaj Drejtorie.

Pas këtij takimi Lleshaj ka folur për mediat. Ai u shpreh se nga drejtoria vendore e ka plotësuar misionin, pra ka arritur të godasë fort fenomenin e kultivimit të kanabisit në gjithë qarkun e Vlorës duke shënuar rezultate të rëndësishme.

"Lufta kundër kanabisit këtë vit ka shënuar rezultate shumë inkurajuese. Kjo vërehet në sasinë e kanabisit të kapur, të sekuestruar, nga autoritetet e vendeve fqinje, vende të cilat kanë qenë dhe vazhdojnë të mbeten destinacion i kësaj veprimtarie të paligjshme.

Duhet thënë se angazhimi ynë për luftën kundër kanabisit do të vijojë të thellohet, megjithëse thashë që rezultatet janë shumë të mëdha deri tani. Bashkë me përfundimin e operacionit për vitin 2020, fillon tani operacioni i Policisë në gjithë vendin për të goditur tentativat për vitin 2021.

Ne jemi të bindur se lufta kundër kanabisit është në thelb një luftë kundër krimit në tërësi në vend. Për arsye se kanabisi dhe veprimtari të tjera të bashkëlidhura me të, janë gjeneratori kryesor i të gjithë veprimtarisë, ose një pjese të madhe të veprimtarisë kriminale në vend.

Goditja e fortë e kohëve të fundit, qoftë kundër kanabisit, qoftë kundër pasurive të gjeneruara nga veprimtaritë kriminale ka sjellë si rezultat që e gjithë tabloja e kriminalitetit në vend të pësojë një tkurrje të ndjeshme. Të gjitha figurat e krimit, pra të gjitha veprat kriminale të regjistruara për vitin 2020, shënojnë një reduktim të ndjeshëm edhe krahasuar me vitin 2019. Sigurisht krahasuar me vitet e mëparshme janë akoma më ulët.

Ndaj ne do ta vazhdojmë këtë betejë, në dy fronte të rëndësishme: luftën kundër kanabisit dhe goditjen e pasurive kriminale të gjeneruara prej tij dhe prej veprimtarive të tjera. Të dy këto, besoj të dy këto fronte, do të na garantojnë që ne t’i mbajmë parametrat e sigurisë në vend në nivel optimal dhe t’i përmirësojmë përherë në të ardhmen", tha Lleshaj.

Ai është pyetur edhe në lidhje me akuzat e ditëve të fundit nga opozita për zhvendosje të qytetarëve në listat zgjedhore Lleshaj u përgjigj se nuk ka asnjë rast konkret që një qytetar të ketë shkuar, të ketë verifikuar emrin e tij në listën zgjedhore pranë Njësive Administrative, ose online në e-Albania, dhe të ketë thënë që më kanë lëvizur Qendrën e Votimit.

"Për listat zgjedhore, ministria e Brendshme ka bërë një deklaratë lidhur me këtë, duke përgënjeshtruar dhe hedhur poshtë me vendosmëri të gjithë zërat që përpiqen të krijojnë një klimë dezinformimi në radhët e qytetarëve sa u përket listave zgjedhore. Listat zgjedhore janë publikuar tashmë dy herë në Shqipëri, pra nga fillimi i muajit tetor e deri tani janë publikuar dy herë. Në fillim të dhjetorit do të jetë ekstrakti i tretë që publikohet.

Nuk kemi asnjë rast konkret që një qytetar të ketë shkuar, të ketë verifikuar emrin e tij në listën zgjedhore pranë Njësive Administrative, ose online në e-Albania, dhe të ketë thënë që më kanë lëvizur Qendrën e Votimit, - nuk kemi asnjë rast.

Kemi vetëm pretendime politike, të pambështetura dhe të gënjeshtërta, të cilat mundohen të krijojnë një tym, që në fakt nuk mund të krijohet, sepse realiteti është aq kokëfortë, është aty. Çdokush prej jush, çdo qytetar i këtij vendi ka mundësinë sot të shkojë te Njësia e tij Administrative dhe të shohë emrin e tij në listën zgjedhore. Do të konstatojë ai që është aty ku ka qenë. Ose mund të futet në e-Albania dhe ta verifikojë këtë, pa u lodhur për të shkuar tek Njësia Administrative, ta verifikojë që Qendra e tij e Votimit nuk është e ndryshuar dhe nuk mund të ndryshohet.

Qendra e Votimit mund të ndryshohet vetëm me pëlqimin e qytetarit. Është vetëm qytetari që e vendos nëse do të transferohet në një Njësi tjetër Administrative apo jo, kundrejt plotësimit të kushteve ligjore. Të gjitha të tjerat janë përralla dhe vetëm përralla, të cilat u bëjnë dëm dhe nuk nderojnë autorët e tyre, vetëm kaq. Është krejtësisht e pamundur. Kjo histori është një zero e madhe", tha ndër të tjera nga Vlora ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj.

 

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?