Akuzat për shitblerje të votave, zhvillohet në Dibër seanca e parë për Dosjen 184, shtyhet për në 29 janar! PD kërkon që çështja të shkojë në GJKKO (VIDEO)

15 Janar 2021, 09:25| Përditesimi: 15 Janar 2021, 15:09

  • Share

Ditën e sotme në Dibër u zhvillua seanca e parë gjyqësore e një dosjeje që ka tërhequr vëmendjen e të gjithë opinionit publik dhe ka përplasur palët politike prej 3 vitesh tashmë.  Dosja e famshme 184 pasi prokuroria e Dibrës përfundoi hetimet para 1 muaji tashmë do të jetë para togave të zeza për gjykim. I pranishëm në seancë edhe përfaqësuesi i PD, në rolin e kallëzuesit.  Seanca u shty për në 29 janar pasi palët kërkuan të njihen me fashikujt e dosjes. Pas 2 javësh pritet të vendoset nëse dosja rikthehet për hetim apo vijon procesi gjyqësor.

Partia Demokratike kërkon që çështja të shkojë në GJKKO për kompetencë lëndore pasi bëhet fjalë për grup të strukturuar kriminal. 

Prokurori që përfaqëson akuzën në seancë është Urim Buci. Gjyqtari është Xhevdet Lika, i cili sipas një vendimi të siguruar nga Report Tv është emëruar gjyqtar në janarin e vitit 2020, pra një vit më parë.  

Kujtojmë dosja 184 vjen para gjykatës së Dibrës pas një ping-pongu të gjatë mes institucioneve të drejtësisë. Nga krimet e renda kjo dosje bëri rrugën Tiranë-Dibër për 4 herë vajtje-ardhje deri sa prokurorët aty u bindën që ishte kompetencë e tyre dhe pranuan ta hetojnë. Sipas akuzës së Dibrës në zgjedhjet lokale të 2016 ku do të zëvendësohej Shukri Xhelili me Agim Ramën, ka pasur shit-blerje votash por personat përgjegjës s'mund të hetoheshin pasi vepra penale ishte parashkruar.

Robert Aga ish shefi policisë në vitin 2016, Drini Gjeci ish kreu arsimit, Nuri Meda zyrtar në Njësinë administrative Tomin, Hasan Hoti Njësia Administrative Lurë dalin sot para gjykatës pasi Prokuoria ka kërkuar të merren të pandehur për shpërdorim detyre dhe kanosje të zgjedhësve dhe rrezikojnë të dënohen nga 1 deri në 7 vite burg. Shpërdorimi detyrës sipas nenit 248 ka një marzh dënimi deri në 7 vite ndërsa kanosja e zgjedhësve nga një vit deri në katër sipas nenit 329 të kodit penal.

Për të tjerët të akuzuar, mes tyre kryebashkiakun aktual të Dibrës Dionis Imeraj, dhe shtetasit Imer Lala, Arben Keshi, Bekim Krashi, afrim Mikli, Prokuroria e Dibrës kërkoi më 18 dhjetor pushimin e çështjes dhe tani i  takon gjykatës të japë vendimin e saj nëse do pranojë këtë hetim apo do e rikthejë sërish në Prokurori.

Kujtojmë se PD, si kallëzues palë e interesuar e ka ankimuar vendimin dhe kërkon të vihen përballë ligjit të gjithë persona e përgjuar në këtë dosje.

Ora 11:51
Avokati i PD: Dosja 184 të shkojë në GJKKO, bëhet fjalë për grup të strukturuar kriminal (VIDEO)

Avokati Indrit Sefa, përfaqësues i PD-së në seancë në intervistën për Report Tv është shprehur se çështje duhet të shkojë në GJKKO pasi bëhet fjalë për një grup i strukturuar kriminal.

"PD kërkon që çështja të shkojë në GJKKO që duhet ta vendosë. Prokurori në nëntor 2020 ka bëri edhe ndryshimin e cilësimit të veprës penale, për disa të pandehur. Për Arben Keshin dhe Bekim Krashin ka hequr veprën penale të shpërdorimit të detyrës dhe ka lënë vetëm atë të dhunimit të zgjedhjeve, e cila në bazë të kodit është parashkruar sepse ka qenë kundërvajtje penale dhe jo vepër penale. Të gjithë këta persona në hetim kanë funksionuar si grup i strukturuar kriminal. Ndaj nuk mund të jetë kompetente gjykata e Dibrës", tha ai.

Ora 11:31
Dosja 184/ Avokati i të akuzuarve: PD nuk mund të bëhet viktimë, çështja nuk mund të kalojë në GJKKO (VIDEO)

Petrit Ismaili, avokat i 4 të pandehurve dhe 5 të akuzuarve të tjerë ka folur sot për Report Tv dhe ka dhënë detaje mbi atë që ka ndodhur në gjykatë.

"Sot u bë legjitimimi i palëve, u konkludua se jo të gjithë ishin njoftuar. PD kërkoi njohjen me aktet e fashikujve të gjykimit. U bë vetëm verifikimi i palëve dhe seanca në këtë moment u shty.

Sa i përket të akuzuarve për shit-blerje të votave kanë kaluar afatet e parashkrimit të kësaj vepre.  Akuzohen për shpërdorim detyre dhe kanosje të zgjedhjeve. PD ka një moment procedural që kërkon të bëhet si viktimë. Por nuk mund të paraqitet si viktimë e veprës penale", tha ai teksa shtoi se nuk sheh asnjë arsye që çështje të shtyhet pa fund tani që është futur në proces gjyqësor.

Ora 10:29
Flasin për Report Tv, dëshmitarët në 'dosjen 184' pretendojnë se nuk dinë pse janë thirrur (VIDEO)

Para se të niste seanca gjyqësore për 'dosjen 184' , disa persona të thirrur si dëshmitarë kanë folur për Report Tv teksa pretendojnë se nuk e dinë pse janë në këtë seancë.

"Nuk jemi akuzuar, jemi thirrur si dëshmitar kur nuk dimë asgjë", tha njëri prej tyre.

"Askurrgjë nuk di. Ta shohim këtu, jam punëtor i thjeshtë nuk di asgjë. Të shohim çdo na thonë këta këtu", tha një tjetër.  

 

Ora 10:17
Dosja 184/ Flet për Report Tv një prej të akuzuarve, Nuri Meda: Nuk kam lidhje me asgjë, nuk ka parë asnjë si të majtë e të djathtë (VIDEO)

Një prej personave që prokuroria ka kërkuar të merret i pandehur për dosjen 184, Nuri Meda, në mikrofonin e Report Tv është shprehur se akuza është e pavërtetë.

"Jam këtu, më kanë thirrur si të dyshuar për "shpërdorim detyre". Kam qenë administratori i Njësisë Administrative Tomin. Unë nuk kam lidhje me asgjë. Unë nuk kam parë asnjë atje as për të majtë dhe të djathtë pasi kalamajtë nuk e dinë se më kë është baba.

Të shikoj se çdo më thonë. Më akuzojnë se kam hequr asistencat. Nuk heq asistencat unë. Ka një specialist atje. Unë vetëm kam qenë administrator, kam qenë politikisht, nuk ka shans që për arsye partiake të vendos unë për ndihmën ekonomike", tha Meda.

K.T.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Iris: 16/01/2021 00:05

    Interesante,papritur u bene te gjithe te paditur,te papare,pa influence.pa veshe,pa sy,pa goje.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?