Vlorë- Nisja e sezonit veror dhe turistik ka shtuar edhe përpjekjet e për aktivitete të paligjshme, madje edhe nga shtetas të huaj, kryesisht në trafikimin e lëndëve narkotike.
Policia e Vlorës ka goditur sot dy raste të shitjes së lëndëve narkotike në Dhërmi. Operacioni është kryer nga Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Stacionit të Policisë Dhërmi.
“Si rezultat i kontrolleve të kryera, u goditën 2 raste të shitjes së lëndëve narkotike, për të cilat u arrestuan në flagrancë J. S., 30 vjeç, nga Malajzia, i cili ishte akomoduar në një banesë në fshatin Dhërmi. Gjatë kontrollit në ambientet e banesës, u gjetën dhe u sekuestruan disa doza të lëndëve të dyshuara narkotike cannabis sativa dhe kokainë”, tha policia për aksionin e parë.
Pak orë më pas është kapur edhe O. S., 22 vjeç, britanik, të cilit gjatë kontrollit fizik, në Dhërmi, iu gjetën disa doza të lëndës së dyshuar narkotike kokainë dhe disa tableta ekstazi, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprën penale “prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Komente
